Ferrari preferon Vettelin para Hamiltonit

22 Dhjetor 2012 - 22:40      

Skuderia e Formula 1, Ferrari, preferon pilotin gjerman Sebastian Vettel para atij britanik Lewis Hamilton. Presidenti i Ferrarit, Luca di Montezemolo, thotë se zgjidhja e tij e parë për ta zëvendësuar Fernando Alonson është Vettel, i cili ka fituar tri herë rresht titullin në Formula 1. Ai nuk e preferon aspak Hamiltonin, nëse një ditë merr vendim për të marrë një pilot të ri.

Milano, 22 dhjetor - Skuderia e Formula 1, Ferrari, preferon pilotin gjerman Sebastian Vettel para atij britanik Lewis Hamilton. Presidenti i Ferrarit, Luca di Montezemolo, thotë se zgjidhja e tij e parë për ta zëvendësuar Fernando Alonson është Vettel, i cili ka fituar tri herë rresht titullin në Formula 1. Ai nuk e preferon aspak Hamiltonin, nëse një ditë merr vendim për të marrë një pilot të ri.

Vettel, i cili është pjesë e skuderisë Red Bull, kohët e fundit vazhdimisht ka qenë i lidhur me një kalim eventual te Ferrari. Madje, më herët është spekuluar se Vettel, 25-vjeçar, ka firmosur parakontratë me Ferrarin për t'iu bashkuar në vitin 2014.

"Nëse Alonso për ndonjë arsye vendos të largohet, atëherë e dua Vettelin. Sebastian Vettel është piloti potencial i Ferrarit për të ardhmen", u shpreh Montezemolo. "Vettelin e preferoj para Hamiltonit".

Britaniku Hamilton me të përfunduar edicioni 2012 është larguar nga skuderia e McLarenit dhe tash e tutje do të jetë pilot i Mercedesit, duke e zëvendësuar Michael Schumacherin e pensionuar. Mirëpo Vettel është rekomanduar edhe nga Schumacheri, i cili me bolidin e Ferrarit ka fituar pesë herë rresht titullin e kampionit. Schumacher është kampion i shtatëfishtë në Formula 1.

"Kemi shumë rekomandime për Vettelin, por tash për tash nuk ka asgjë. Vettel ka dëshirë për fitore, por nuk është arrogant dhe për këtë arsye është i përkryer për skuderinë tonë", tha Montezemolo.

Montezemolo insiston se Alonso, Vettel dhe Hamilton kanë qenë një nivel më lart se pilotët tjerë në edicionin 2012 në Formula 1. Megjithatë, Montezemolo është i bindur se Alonso ishte më i miri nga të gjithë, ndonëse nuk arriti ta fitojë titullin e kampionit. Ai përfundoi i dyti pas Vettelit, kurse Hamilton u pajtua me pozitën e tretë në renditjen e përgjithshme.

"Jam shumë i kënaqur me Alonson. Ai është më shumë se një pilot, është figura më e rëndësishme e Ferrarit. Ai përshtatet shumë mirë në mënyrën se si punon skuderia", deklaroi Montezemolo. "Alonso është shumë inteligjent dhe për këtë arsye ka qenë piloti më i mirë në vitin 2012 në Formula 1".

Alonso 31-vjeçar ka kontratë me Ferrarin deri në fund të vitit 2016.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...