VV-ja pyet qeverinë: Nëse platforma është raciste, pse bisedoni me racistët?

22 Dhjetor 2012 - 09:43      

Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kërkuar Qeverisë që të dalë nga dialogu politik me Serbinë. Sipas subjektit të dytë më të madh opozitar, arsyet për një veprim të tillë janë shtuar tashmë kur Serbia ka prezantuar platformën e saj, shkruan Koha Ditore.

Prishtinë, 22 dhjetor - Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kërkuar Qeverisë që të dalë nga dialogu politik me Serbinë. Sipas subjektit të dytë më të madh opozitar, arsyet për një veprim të tillë janë shtuar tashmë kur Serbia ka prezantuar platformën e saj, shkruan Koha Ditore.

Subjekti që drejtohet nga Albin Kurti i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të deklarohen për planin e publikuar nga Beogradi zyrtar.

“Kërkesa e ‘Vetëvendosjes’ i drejtohet Qeverisë së Kosovës dhe Blerim Shalës - dilni prej këtyre negociatave sa nuk është bërë shumë vonë. Nëse shkoni më 17 janar në negociata, doemos do të diskutoni për platformën e Serbisë. E nëse kjo platformë qenka raciste e antievropiane, çka po bëni ju të ulur në një tavolinë me këta racistë e me këta antievropianë”, ka thënë nënkryetari i “Vetëvendosjes”, Shpend Ahmeti në konferencë për shtyp.

Pas thirrjes në drejtim të institucioneve të Kosovës, Ahmeti ka elaboruar edhe thirrjen në drejtim të BE-së e SHBA-së.

“Kërkesë po ashtu kemi ndaj BE-së dhe SHBA-së, që deri më tani janë deklaruar dhe janë shprehur, po e citoj Qeverinë e Kosovës, si ‘garantues’ të këtyre negociatave, që të dalin haptas dhe ta japin qëndrimin e tyre rreth platformës së Serbisë. Reagim më të qullët të BE-së sesa atë që ka deklaruar Maja Kocijançiq ‘nuk kemi komente, i kemi vetëm konkluzionet e KE-së’, nuk kam parë. Përfaqësuesi i BE-së në Beograd ka thënë se e ka marrë platformën, ka disa gjëra të mira, ka disa gjëra në drejtimin e duhur, ka disa që nuk janë në drejtimin e duhur”, ka thënë ai. “Domethënë që BE-ja e ka pranuar atë dokument si diçka mbi të cilin mund të diskutohet”.

Prandaj, ka thënë ai, u bëhet  thirrje BE-së, SHBA-së, zonjës Ashton, të gjithë atyre që janë të përfshirë në dialog, që ta bëjnë publik qëndrimin e tyre lidhur me aspiratat e vazhdueshme të Serbisë që, sipas tij, janë që ta defunksionalizojnë shtetin e Kosovës.

Nënkryetari i “Vetëvendosjes” ka thënë se platforma serbe e propozuar e konfirmon synimin e Serbisë për autonomi të veriut, ashtu siç kishte thënë “Vetëvendosje”.

“Kemi thënë prej fillimit se qëllimi i Serbisë nuk është ndarja e Kosovës, por krijimi i një “Republika Srpska” brenda Kosovës, dhe pikërisht ajo u pa edhe në këtë platformën e re. Edhe në negociatat e Vjenës, ku Serbia ka hyrë duke thënë gjithmonë se ne ‘nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës’, atëherë Kosova në mënyrë të njëanshme i ka marrë obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit, dhe nuk u mor pranimi i shtetësisë nga Serbia”, ka thënë ai. “Ky është kapitulli i ri i negociatave, ku Serbia thotë prapë ‘ne po hyjmë në negociata me  Kosovën, por nuk do ta njohim Kosovën në fund’”.

Ahmeti është shprehur se tash patjetër do të diskutohen pjesë nga platforma serbe.

“Do të diskutohen prapë kërkesat e Serbisë mbi Kosovën, por duke mos e marrë prapë shpërblimin, e që është njohja e Kosovës nga Serbia. Për shembull, ata thonë - t’i bëjmë dy dhoma të parlamentit në Prishtinë, tanët thonë jo - nuk ka shanse dy dhoma të parlamentit, ata thonë - në rregull pra po e bëjmë vetëm të komunave serbe në veri”, është shprehur ai. “Pra, ne po nisemi prej Pakos së Ahtisaarit, ata po nisen prej platformës së Serbisë, e rezultati do të jetë një mes”.

Për platformën serbe ka folur edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se strategjia e Serbisë është induktive. “Synimi përfundimtar i Serbisë, i shpallur në platformën zyrtare të saj për dialogun, është në funksion të dy gjërave: Serbia do ta përqendrojë vëmendjen në synimin përfundimtar për ta shmangur vëmendjen nga hapat më të vegjël që të çojnë atje, duke kushtëzuar kështu një pranim të pjesshëm të tyre, të cilat gjithsesi do ta avancojnë synimin përfundimtar të Serbisë”, ka thënë ai. “Disa prej kërkesave të Serbisë janë haptazi dhe qëllimisht teprime, në mënyrë që përmes dialogut të hiqet dorë nga ato (për shembull përmendja e Gorës si potencialisht pjesë e Rajonit Autonom)”.

Sipas tij, këto i shërbejnë pastaj Serbisë të thotë se edhe ajo lëshoi pe, tash duhet edhe Kosova të lëshojë pe.

“P.sh. i kanë radhitur aty një gamë të gjerë fushash ku kërkojnë autonomi në vendime, prej kuvendit e ekzekutivit për Rajonin Autonom e deri te telekomunikacioni e energjia”, është shprehur Konjufca. “Në cilën do nga këto që arrihet marrëveshje, ajo do të jetë larg konstelacionit politik e institucional/ligjor të Kosovës e më afër platformës së Serbisë”.

Ai ka thënë se objektivi i Serbisë është kantonizimi, i cili pashmangshëm çon te federalizimi.

“Dallimi cilësor në mes të shtetit të pavarur dhe sovran dhe Planit të Ahtisaarit është shumë më i madh se sa ai në mes të Planit të Ahtisaarit dhe statusit autonom që po e kërkon Serbia. Pra angazhimi për shtetndërtim duhet të niset duke e luftuar statusin autonom, por edhe duke e luftuar planin e Ahtisaarit. Platforma e Serbisë duhet të shfrytëzohet nga Qeveria që të dilet nga dialogu. Me këtë platformë edhe formalisht ky dialog nuk është për normalizim marrëdhëniesh, por për statusin e Kosovës”, ka thënë ai. “Kështu vazhdimi i pjesëmarrjes së Kosovës në dialog është pranim i dialogut për Platformën e Serbisë”.  

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...