Latinoamerikanët më të lumturit në botë

21 Dhjetor 2012 - 10:11      

Njerëzit më të lumtur të botës nuk jetojnë në Katar, shtetin më të pasur, bazuar në shumë parametra. Ata nuk jetojnë në Japoni, shtetin me jetëgjatësinë më të madhe të popullsisë. As Kanadaja, me përqindjen më të lartë të të diplomuarve, nuk hyn në dhjetëshen e parë.

Mexico City, 21 dhjetor   – Njerëzit më të lumtur të botës nuk jetojnë në Katar, shtetin më të pasur, bazuar në shumë parametra. Ata nuk jetojnë në Japoni, shtetin me jetëgjatësinë më të madhe të popullsisë. As Kanadaja, me përqindjen më të lartë të të diplomuarve, nuk hyn në dhjetëshen e parë.

Sipas një sondazhi me 150.000 njerëz në botë, shtatë prej dhjetë shteteve me qëndrimet më pozitive ndodhen në Amerikën Latine.

Shumica prej këtyre shtatë shteteve nuk i kanë punët mirë, sipas parametrave tradicionalë të matjes së mirëqenies, siç është rasti me Guatemalën, një shtet i shkatërruar nga dhjetëvjeçarë të luftës civile, me normën më të lartë të vrasjeve në botë.

Guatemala ndodhet vetëm një pozitë më lartë se Iraku në Indeksin e OKB-së për Zhvillim, ku merren parasysh jetëgjatësia mesatare, arsimimi dhe të ardhurat për kokë banori. Megjithatë, ajo ndodhet e shtata në listën e emocioneve pozitive.

“Në Guatemalë është kultura e njerëzve miqësorë, që janë gjithnjë të buzëqeshur”, ka thënë Luz Castillo, instruktor 30-vjeçar i surfit. “Me gjithë problemet me të cilat jemi duke u përballur, ne jemi të rrethuar nga bukuritë natyrore, të cilat na mundësojnë ikjen nga gjithçka”.

“Gallup Inc” ka pyetur rreth 1.000 njerëz në secilin prej 148 shteteve gjatë vitit të kaluar, nëse kishin qenë të trajtuar me respekt, nëse kishin qeshur, kishin mësuar apo kishin bërë diçka interesante dhe kishin pasur ndjenja gëzimi një ditë më parë.

Në Panama dhe Paraguai, 85 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht në pesë pyetjet, duke i vënë këto shtete në krye të listës. Pas tyre me një dallim të vogël janë ranguar El Salvadori, Venezuela, Trinidad dhe Tobago, Guatemala, Filipinet, Ekuadori dhe Kostarika.

Njerëzit që kanë më së paku emocione pozitive jetojnë në Singapur, shteti-qytet i pasur që është një prej më të zhvilluarve në botë. Edhe shtetet e tjera të pasura ndodheshin për befasi nga fundi i listës. Gjermania dhe Franca ndodhen në pozitën e 47-të, së bashku me shtetin e varfër afrikan të Somalilandit.

Shtetet e pasura mund të jenë tejet të palumtura. Nga ana tjetër, ato të kapluarat nga varfëria shpesh janë të mbushura me pozitivitet.

Është ky një paradoks me implikime serioze për një fushë relativisht të re dhe kundërthënëse, të quajtur ekonomiksi i lumturisë, që synon përmirësimin e performancës së qeverisë, duke shtuar përceptimet e njerëzve tek parametrat tradicionalë, si jetëgjatësia, të ardhurat për kokë banori dhe arsimimi.

Mbretëria himalajase e Butanit mat politikat sipas ndikimit të tyre, në bazë të një koncepti të quajtur Lumturia Kombëtare Bruto.

Kryeministri britanik, David Cameron, e kishte shpalosur një program të mirëqenies më 2010, në kuadër të zotimeve për përmirësimin e jetës së britanikëve, pas recesionit global.

Sa u përket nëntë shteteve më së paku pozitive, disa nuk ishin befasuese, si Iraku, Jemeni, Afganistani dhe Haiti.

SHBA-ja ishte e radhitur në pozitën e 33-të. Ekonomitë më të mëdha të Amerikës Latine, Meksika dhe Brazili, ndodheshin 20 vende më poshtë listës.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...