LDK: Papunësia në Kosovë, alarmante

16 Dhjetor 2012 - 18:08      

Papunësia në Kosovë është në gjendje alarmante, pasi shkalla e saj arrin në rreth 48 për qind, thanë të dielën ekspertë të LDK-së në një konferencë me gazetarë.

Prishtinë, 16 dhjetor - Papunësia në Kosovë është në gjendje alarmante, pasi shkalla e saj arrin në rreth 48 për qind, thanë të dielën ekspertë të LDK-së në një konferencë me gazetarë.

Kjo parti opozitare vlerëson se fajin për papunësinë e madhe e ka qeveria e Hashgim Thaçit, e cila përmes Ligjit për Regjistrim të të Papunëve po diskriminon 42 mijë persona të moshës nga 15-18 vjeçare.

Eksperti i LDK-së për ekonomi, Avdullah Hoti tha se papunësia në vendin tonë është tri herë më e lartë se në Malin e Zi dhe dy herë më e lartë se në Bosnjë dhe 50 për qind më e lartë sesa në Maqedoni.

“Të dhënat e fundit nga organizatat botërore tregojnë se papunësia në fakt është alarmante. Kjo arrin në 48 për qind të tregut të punës. Ndërkohë që zyrat e punësimit prezantojnë të dhëna për rreth 330 mijë persona të papunë. Mesatarisht vetëm dy nga 10 persona të moshës së punës janë të punësuar”, tha ai.

Sipas të dhënave më të reja të LDK-së, mbi 90% e të papunëve janë të papunë për më shumë së një vit. Pra, janë të papunë afatgjatë. Në fakt, shumica janë të papunë prej kohës kur për herë të parë kanë vendosur të kërkojnë punë. Kjo tregon qartë mungesën e perspektivës për të rinjtë.

“Me qeverisjen Thaçi Kosova në çdo aspekt po largohet nga Evropa”, shtoi Hoti.

“Papunësia e lartë dhe mungesa e zhvillimit ekonomik i kanë shuar shpresat e të rinjve për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse tendenca për të emigruar është tepër e lartë, gjë që ka pasoja në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në”.

Në vijim u tha se papunësia e lartë dhe në rritje e ka thelluar varfërinë në mesin e qytetarëve të Kosovës. Të dhënat nga organizata ndërkombëtare tregojnë se afër 40% e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri të thellë me vetëm 1 euro në ditë ose me të ardhurat që marrin nuk arrijnë të sigurojnë konsumin e nevojshëm për zhvillimin afatgjatë.

“Si rezultat i varfërisë dhe mungesës së të ardhurave, qytetarët e Kosovës krahasuar me qytetarët e vendeve fqinje: ushqehen shumë më keq, kurse shëndeti i tyre është më i dobët dhe incidenca e sëmundjeve është shumë më e lartë”, tha Hoti.

Sipas LDK-së Ligji i ri për të papunët diskriminon dhe shkel të drejtat njerëzore. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...