Ligji për shëndetësinë (s)’mjafton për reforma

14 Dhjetor 2012 - 17:01      

Ligji për shëndetësi është miratuar të enjten në Parlamentin e Kosovës. Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se miratimi i këtij ligji është shumë premtues dhe baza më e mirë e reformës shëndetësore. Por jo edhe sindikalistë dhe ekspertët shëndetësorë mendojnë kështu.

Prishtinë, 14 dhjetor – Ligji për shëndetësi është miratuar të enjten në Parlamentin e Kosovës. Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se miratimi i këtij ligji është shumë premtues dhe baza më e mirë e reformës shëndetësore. Por jo edhe sindikalistë dhe ekspertët shëndetësorë mendojnë kështu.

Blerim Syla, udhëheqës i sindikatës së shëndetësisë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk pajtohet me miratimin e ligjit për shëndetësi për shumë arsye.

“Nuk pajtohem. Ligji ka ardhur pa ligjin për sigurime shëndetësore dhe në këtë ligj, i cili është aprovuar, ka shumë nene që shëndetësinë publike do ta dërgojnë në një udhë pa kthim. Këtu po hapen rrugët e privatizimit për privatizimin e institucioneve publike, kuadrot të degradohen, ta lëshojnë punën në sistemin publik, e që vetë qytetari do t’i bartë këto pasoja”.

“Ky ligj është bërë për qëllime politike, për hir të koalicionit dhe për asgjë tjetër. Ky nuk është ligji që ministri i Shëndetësisë e ka premtuar, vetë fakti që shkon pa ligjin për sigurime shëndetësore”, tha Syla.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë pohojnë se miratimi i ligjit për shëndetësi parasheh gjitha reformat e domosdoshme për përmirësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, duke pasur parasysh se e vë pacientin në qendër të vëmendjes, si dhe stafin shëndetësor në një pozitë më të mirë se deri tani.

Arsim Çavdërbasha, zyrtar në MSH, jep më shumë hollësi.

“Ligji e qartëson në mënyrë shumë të mirë rrugën e riorganizimit të financimit të shëndetësisë përmes krijimit të mekanizmave funksionalë, të cilët duhet të kontraktojnë shërbime shëndetësore ku saktësohet përgjegjësia dhe rolet e kontraktuesve si dhe e spitaleve publike”.

“Ky ligj është në harmoni të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, dhe ky fakt është një argument i fuqishëm si përkrahje për adoptimin e këtij ligji”, tha Çavdërbasha.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh anëtar i grupit të ekspertëve të shëndetësisë nga radhët e LDK-së, ka bërë të ditur se punëtorët shëndetësorë dhe pacientët kanë pritur më shumë në fillimin e reformës të sistemit financiar të shëndetësisë, e që sipas tij, është pritur të miratohet edhe  ligji për sigurime shëndetësore.

“Ligji i shëndetësisë, i cili është miratuar dhe pritet t’i bëjë disa ndryshime, nëse nuk shkon si pako me Ligjin për sigurime shëndetësore, efektet e tij do të jenë të mangëta. Dhe shpesh mund të shkaktojnë zbrazëtira juridike”.

“Por, ne shpresojmë se shumë shpejt do të miratohet edhe ligji për sigurime shëndetësore, dhe me miratimin e tij mund të pritet një përmirësim substancial në gjendjen e sistemit shëndetësor si për pacientë po ashtu edhe për stafin shëndetësor”, theksoi Avdyli.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka deklaruar se me projektligjin e ri do të bëhen reforma të thella shëndetësore. Ai ka theksuar se do të parandalohet konflikti i interesit në sistemin shëndetësor, ndërsa do të aplikohen masa të rrepta për keqpërdorimet farmaceutike në veçanti dhe referencat nga institucionet publike në ato private.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...