“Termokosi” paralajmëron dimër të gjatë në kryeqytet

30 Tetor 2012 - 10:10      

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” të hënën ka paralajmëruar dimër të ftohtë për konsumatorët dhe nuk ka dhënë ndonjë datë të përafërt se kur do të nisë sezonin e ngrohjes.
Për më tepër, drejtues të saj kanë thënë se ende nuk e kanë siguruar sasinë e nevojshme të mazutit për këtë sezon.

Prishtinë, 30 tetor – Ngrohtorja e qytetit “Termokos” të hënën ka paralajmëruar dimër të ftohtë për konsumatorët dhe nuk ka dhënë ndonjë datë të përafërt se kur do të nisë sezonin e ngrohjes.

Për më tepër, drejtues të saj kanë thënë se ende nuk e kanë siguruar sasinë e nevojshme të mazutit për këtë sezon.

“Falë temperaturave të volitshme që kanë mbretëruar deri më tani mbi vendin tonë, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë financiare në të cilën ndodhet aktualisht ‘Termokosi’,  sezoni ngrohës nuk ka filluar më 15 tetor, por është shtyrë për pak kohë”, ka deklaruar zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu. Sipas saj, ngrohtorja është e gatshme teknikisht për të filluar këtë sezon, porse nuk ka para për të blerë sasi të mjaftueshme mazuti.

“Është vendosur që mazuti të ruhet për ditët kur temperaturat do të jenë më të ulëta”, ka bërë të ditur zëdhënësja. Ajo nuk ka pranuar të bëjë publike sa është sasia e mazutit të  blerë dhe për sa kohë mjafton.

“Ditë më parë ka filluar furnizimi me mazut, por sasitë e siguruara deri më tani nuk mbulojnë as për së afërmi nevojat e ‘Termokosit’ për lëndë djegëse për prodhimin e energjisë ngrohëse”, është shprehur Uka-Fejzullahu

Sipas saj, për të ofruar ngrohje stabile për një sezon ngrohës, vetëm për shpenzimet e mazutit  “Termokosit” i duhen rreth 8 milionë euro.

“E kaq mjete ndërmarrja nuk i ka në dispozicion, madje as që pritet se do t’i kemi”, ka nënvizuar zëdhënësja e “Termokosit”.

E nga krejt kjo situatë nuk do të përjashtohet as Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), e cila edhe vitin e shkuar është përballur me telashe rreth furnizimit me ngrohje për pacientët e shtrirë aty.

“Edhe këtë sezon për QKUK-në do të ketë ngrohje aq sa do të ketë edhe për të gjithë konsumatorët e tjerë të ‘Termokosit’”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.

Sipas saj, për nevojat e QKUK-së ndërmarrja do të ketë në dispozicion ngrohtoren e veçantë, e cila punon me naftë, por atë duhet ta sigurojë vetë QKUK-ja.

Por zyrtarë të QKUK-së pohojnë se sigurimi i sasisë së naftës për këtë ngrohtore është shumë vështirë i përballueshëm për buxhetin e këtij institucioni. 

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka pohuar për gazetën se “në rast të mosfurnizimit nga ‘Termokosi’, e vetmja mundësi për furnizim me ngrohje për QKUK është ai nga ngrohtorja alternative me naftë, e cila është në pronësi të ‘Termokosit’, që ngrohë me derivate të naftës, por e cila është shumë e kushtueshme dhe vështirë e përballueshme për buxhetin e QKUK-së”.

Fazliu pohon se vitin e kaluar furnizimi me ngrohje në këtë mënyrë i ka shkaktuar shpenzime të mëdha QKUK-së, dhe kjo sivjet do të jetë pothuajse e pamundur të përsëritet sërish.

“Brenda një dite ne harxhojmë 5 tonë naftë për ngrohjen alternative, që i bie të kemi mbi 6 mijë euro shpenzime brenda një dite”, ka thënë Fazliu.

Ai ka nënvizuar se “vitin e kaluar kemi pasur shpenzime mbi 600 mijë euro dhe nuk na janë alokuar mjete shtesë”.

Ndërkohë në “Termokos” pohojnë se vazhdon të mbetet e pandryshuar gjendja rreth një borxhi prej një milion eurosh që “Termokosi” ia ka një kompanie private “Compact Group”, e cila kishte furnizuar me mazut ndërmarrjen, por paratë nuk i janë paguar në të kaluarën. Për pasojë kompania ka paditur në gjyq “Termokosin” dhe gjykata ka bllokuar xhirollogarinë e ndërmarrjes derisa ajo të mos e paguajë këtë borxh.

“Çështja e borxhit ndaj” “Compact Group” ka mbetur e pandryshuar ashtu sikur edhe çështja e xhirollogarisë së bllokuar, por shpresojmë se së shpejti do të zgjidhet edhe çështja e këtij borxhi”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.

 

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...