Halil Budakova vjen si Rambo në “Shkollën e maleve”

8 Tetor 2012 - 10:54      

Personazhi që e luan Halil Budakova në filmin e tij përsëri është një komandat i cili vdes pas një akti heroik. Skena e vdekjes në filmin e tij më të ri “Shkolla e maleve”, që u dha premierë të dielën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është xhiruar në të njëjtin pozicion dhe ka gati të njëjtin monolog sikur tek filmi i tij i parafundit “Azem Galica”. Veçse në filmin e ri që flet një mësues që hap një shkollë në malet

Prishtinë, 8 tetor - Personazhi që e luan Halil Budakova në filmin e tij përsëri është një komandat i cili vdes pas një akti heroik. Skena e vdekjes në filmin e tij më të ri “Shkolla e maleve”, që u dha premierë të dielën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është xhiruar në të njëjtin pozicion dhe ka gati të njëjtin monolog sikur tek filmi i tij i parafundit “Azem Galica”. Veçse në filmin e ri që flet një mësues që hap një shkollë në malet ku popullata kosovare ka qëndruar gjatë luftës, Halil Budakova nuk e ka rolin kryesor sikurse në filmin e tij për Azem Galicën. Por, megjithëkëtë, Halil Budakova nuk rri në hije gjatë filmit. Si hero, përpos që e ka prezantuar mësuesin Burim që luhet nga Avni Lushtaku, Budakova i ka dhënë shumë rëndësi paraqitjes së tij. Në film ai nuk është një komandat dosido i UÇK-së. Ai duket si Sylvester Stalone në rolin e Rambos. Në skenat ku bën luftë në tre metra distancë, Budakova i shkarravitur në fytyrë, me një mitraloz në dorë, lufton përballë të gjithëve. Ai është një bashkatdhetar që i është bashkuar luftës, përderisa “djalit të tij Lirimit i premton se do t’ia çojë lirinë në Gjermani”. Më dramatike është pjesa e ngadalësuar ku ai duket idhnak. Tamam sikur në filmat karate, ku aksionet kulmore bëhen në “slow motion”. I gjithë filmi që zgjat më shumë se një orë, ka mbledhur kastën e aktorëve vendorë jo pak të njohur. Përpos gruas së tij që e angazhon në çdo film, Meritën, në “Shkollën e maleve” ka angazhuar edhe Enver Petrovcin në rolin e komandantit të UÇK-së e Çun Lajçiin në rolin e një komandanti në ushtrinë serbe. Petrovci, i nxitur nga Budakova që ka kritikuar Ministrinë e Kulturës që nuk i ka dhënë mbështetje financiare, e ka quajtur Ministrinë një bandë.

Ka qenë Budakova ai që ka vazhduar këto kritika duke thënë se edhe nëse nuk i japin pare, ai do të vazhdojë të bëjë filma. “Shkolla e maleve” vjen vetëm një vit e shtatë muaj pas filmit “Azem Galica”, i kritikuar ashpër edhe për kualitetin, por edhe për shtrembërim faktesh.

“Nuk e kam problem të bëj filma, sepse jam më i fort sa krejt Qeveria”, ka thënë Budakova. Ai ka falënderuar Zotin dhe shumë të tjerë që i kanë ndihmuar.

“Me e kry filmin e kam pasur të vështirë”, ka thënë Budakova. Ai ka thënë edhe dy tri fjalë të tjera për Ministrinë e Kulturës. Asnjë zyrtar i kësaj ministrie nuk ka qenë në premierën e tij. “Ndoshta pak e kam tepruar, por edhe këtë film nuk e ka financuan Ministria e Kulturës, sepse janë alergjikë ndaj filmave të mi”, ka thënë Budakova. Regjisori i cili është i njohur edhe si njëri nga më të “fortët” në bërjen e filmave, ka stërmbushur sallën e TKK-së. Në audiencë nuk janë regjisorë a aktorë të njohur të kinematografisë kosovare, pos atyre që luajnë në “Shkolla...”. Por njëri që jeton në Amerikë e që ka qenë profesor i Halil Budakovës, Xhevat Nimani, e ka quajtur studentin e tij një regjisor të madh.

“Mendoj se ky film është dëshmi e ëndërrimit tonë shqip, shqip dhe vetëm shqip”, ka thënë Nimani. Por filmi i ri i Budakovës, të cilin e ka sponsorizuar edhe një gjellëtore në kryeqytet, ka jo pak dialogë në serbisht në gjuhë të huaja që shumë herë iu mungonte përkthimi. Zërimi, ani pse i sapoblerë në Teatër, nuk ka kryer punë. Shpeshherë ka pasur ulje e ngritje të volumit.

“Shkolla e maleve” fillon me skenën e protestave të viteve ’90. Më pas ngjarja zhvendoset në një fshat, ku forcat serbe sulmojnë edhe shkollën. Aty plagoset nxënësi Krenari, që luhet nga Shaban Jashari, anëtar i familjes së Adem Jasharit. Skenat e filmit zhvillohen më së shumti në male. Krenari me mësuesin Burimin gjithmonë e kanë me vete një glob. Ata ndërtojnë një shkollë nga druri e llastiku. Ndërkohë aty bëhen edhe dasmat. Pak sekonda më vonë aty afër kris lufta. Dhe në fund kur nxënësi Krenari zihet nga ushtria serbe në mal, aty del Halil Budakova i cili i vret krejt armiqtë teksa arrin ta shpëtojë nxënësin, por vetë ai vdes. Përfundon lufta e fill pas kësaj UÇK-ja ndërton një shkollë të re. Krenari kthehet nga Zvicra, ku ka shkuar për shërim. Me vete sjell edhe një glob dhe filmi përfundon.

Murat Jashari, që ka qenë edhe konsulent i Halil Budakovës për të bërë këtë film, ka thënë të ketë bërë gjithçka që nga përvoja dhe njohuria e tij t’i shkrijë në skenar. Por ka thënë se filmi ka mundur të bëhej më mirë. “Në film është munduar të zbardhen disa periudha 50 deri 60-vjeçare. Natyrisht që përpjekjet kanë qenë, por ka vend për përmirësime”, ka thënë Jashari. Megjithatë, sipas tij, filmi ka ruajtur kronologjinë. “Ndoshta ka mundur të jetë edhe më mirë sikurse të kishte mjete më shumë, ose teknologji më moderne për ta bërë një film”, ka thënë Jashari. E një ish - komandant në UÇK-në e vërtetë, tash deputet , Rexhep Selimi, ka thënë se filmi është realizuar mirë. I pyetur nëse gjatë luftimeve frontale gjatë luftës ka ndodhur që të luftohet në 5 metra afërsi, Selimi është përgjigjur duke thënë se ka pasur raste kur është luftuar edhe më afër. “Edhe në tri metra kemi luftuar”, ka thënë Selimi. Për të “Shkolla e maleve” është një realizim i mirë.

“Është vështirë që të përshkruhet çka ka qenë, por asaj çfarë i dedikohet. Ka shumëçka që të përmirësohet, por shkollën e maleve e pashë”, ka thënë Selimi për filmin i cili prej sot (e hënë) do të zërë vend në repertorin e Kinemasë ABC.


comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...