Për objektin e Entit të Monumenteve i paguhet kishës serbe

21 Shtator 2012 - 11:23      

Në konton e kishës ortodokse serbe në Kosovë çdo muaj dredhen mijëra euro nga buxheti i Kosovës në emër të qirasë mujore për objektin 804 metra katror, ku është e vendosur Agjencia Kosovare Kundërkorrupsion (AKK), i cili nuk është pronë e kishës, por e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike.

Prishtinë, 21 shtator - Në konton e kishës ortodokse serbe në Kosovë çdo muaj dredhen mijëra euro nga buxheti i Kosovës në emër të qirasë mujore për objektin 804 metra katror, ku është e vendosur Agjencia Kosovare Kundërkorrupsion (AKK), i cili nuk është pronë e kishës, por e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, i jep këto para në emër të një shtëpie të vogël prej 203 metra katror pronë e kishës e cila gjendet në oborrin e kësaj prone që e shfrytëzon një departament i Ministrisë së Punës.



Ministria për çdo muaj në llogari të kishës derdh hiq më pak se 9 mijë e 63 euro, por në realitet kjo shumë është dashur të jetë shumë herë më e vogël. Madje edhe vetë përfaqësues të kishës kanë kërkuar kompensim shumë më të vogël se sa ajo që po i bën ministri Rashiq.



Nga dokumentet që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se kisha ortodokse serbe përmes një dokumenti ka kërkuar nga AKK-ja pagesën e qirasë lidhur me shfrytëzimin e parkingut pesë ari nga parcela 5141-1 me sipërfaqe prej 12.54 ari dhe atë për 3 euro në muaj për metër katror.



Ndërkaq Ministria e Punës që drejtohet nga Rashiq ka vendosur që të paguajë qira mujore në vlerë prej 9 euro për metër katror për shfrytëzimin e objektit që gjendet në parcelën 5127-3 në të cilën është shtëpia 203 metra katror si dhe hapësirën prej 804 metra katror në parcelën 5127-2 në të cilën është vendosur AKK-ja.



Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni thotë për gazetën “Zëri” se pagesa e qirasë për objektin prej 804 metra katror që është ndërtuar në parcelën 5127-2 është e pajustifikueshme, ngase për një gjë të tillë nuk është kërkuar një gjë e tillë, madje as nga vetë kisha. “Një përcaktim i tillë i çmimit nuk është i bazuar as ne vlerën e tregut për lokacionin ku ndodhet objekti. Gjithashtu duhet të theksohet se sa i përket hapësirës ku është e vendosur AKK-ja është kontestuese dhe si i tillë vendimi i Ministrisë së Punës paragjykon të drejtën pronësore të kishës në këtë rast si qiradhënës për hapësirën kontestuese”, tha ai.



Në vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të nënshkruar nga Nenad Rashiq thuhet se caktohet shuma për pagesën e qirasë mujore në vlere prej 9 euro për shfrytëzimin e objektit që ndodhet në rrugën “Nazim Gafurri”. “Në parcelën 5127-3 gjendet sipërfaqja prej 203 metra katror si dhe në parcelën 5127-2 gjendet parcela prej 804 metra katror të cilën momentalisht e shfrytëzon AKK-ja”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministri Rashiq.



Më tej në këtë vendim thuhet se qiraja ndaj Kishës Ortodokse serbe për shfrytëzimin e objektit në vlerë prej 9063 euro në muaj duhet të paguhet nga një janari i këtij viti.

Në anën tjetër zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), kanë thënë se objekti për të cilin ministria i paguan qira kishës është pronë e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike. “Ngastra 5127-2 me kulturë-ndërtese në sipërfaqe prej 440 metra katror është në emër të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike”, thuhet në shkresën që drejtori i AKP-së Xhevat Azemi i ka dërguar drejtorit të AKK-së Hasan Pretenit. 

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...