PDK-së në Prizren i rebelohen këshilltarët e vet

21 Shtator 2012 - 10:35      

Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në të cilën është dashur të debatohej për buxhetin komunal 2013-2015, të enjten është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që takimin e kanë braktisur fillimisht tetë këshilltarë të PDK-së, veprim ky që është pasuar edhe nga 11 këshilltarët opozitarë të LDK-së. KK-ja ka miratuar vetëm procesverbalin e mbledhjes së kaluar, ndërkohë që nuk është shkuar në miratim të rendit të ditës në mungesë të numrit të mjaftueshëm të këshilltarëve.

Prizren, 21 shtator - Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në të cilën është dashur të debatohej për buxhetin komunal 2013-2015, të enjten është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që takimin e kanë braktisur fillimisht tetë këshilltarë të PDK-së, veprim ky që është pasuar edhe nga 11 këshilltarët opozitarë të LDK-së. KK-ja ka miratuar vetëm procesverbalin e mbledhjes së kaluar, ndërkohë që nuk është shkuar në miratim të rendit të ditës në mungesë të numrit të mjaftueshëm të këshilltarëve.

Grupi i këshilltarëve "rebelë" të PDK-së ka shprehur pakënaqësi në lidhje me formulimin e buxhetit dhe praktikat e qeverisjes në nivel lokal dhe ka bërë të ditur se nuk pranon më që të jetë peng i dy-tre personave që qeverisin me Komunën e Prizrenit.

"Aktualisht qeverisjen në Prizren e mbajnë dy-tre njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin. Realisht, Prizreni nuk ka as opozitë, ngase edhe ata janë vënë në shërbim të këtyre 2-3 njerëzve që mbajnë pushtetin në Prizren", ka thënë këshilltari i PDK-së, Hajrim Qengaj.

Sipas tij, këshilltarët e KK-së nuk kanë asnjë rol domethënës, ngase vendimmarrja e tyre sfidohet sapo të dalin nga salla e legjislativit. Ai e ka pranuar se problemet në PDK që e udhëheq koalicionin qeverisës në Prizren janë thelluar prej kohësh dhe se tetë këshilltarët nuk do të marrin pjesë në KK pa ndryshim qenësor të parimeve të qeverisjes.

Ndërsa këshilltari tjetër i PDK-së, Masar Shala, propozimin për rend dite me vetëm një pikë e ka quajtur joseriozitet, njëjtë sikurse edhe propozim-buxhetin komunal për periudhën 2013-2015.

"Qe 10 vjet rresht na ofrohen këso buxhetesh që denigrojnë edhe rolin e këshilltarit", ka thënë Shala, duke përkujtuar hartuesit e buxhetit se në Drejtorinë e Administratës figuron pozicioni i kryeshefit ekzekutiv, që është mënjanuar nga LVL-ja pesë vite më parë.

"Ky buxhet nuk është hartuar konform interesave të qytetarëve të Prizrenit, por paraqet një stereotip", është shprehur Shala.

Ai ka kritikuar ekzekutivin komunal për shkak se në buxhet nuk figuron pozicioni për legalizimin e ndërtimeve, pastaj mjetet e kufizuara të ndara për raste sociale sikurse edhe mungesën e investimeve në infrastrukturën kulturore të qytetit.

"Ne si këshilltarë të PDK-së nuk do të marrim pjesë në debatin për buxhet, ngase konsiderojmë se duhet të hulumtohen mirë nevojat e qytetarëve dhe buxheti të hartohet konform nevojave të tyre, sepse deri tani edhe buxhetin që e kemi votuar ne është ndryshuar nga Bordi i Drejtorëve dhe është shkelur vota jonë", ka theksuar Shala.

Me largimin e këshilltarëve të PDK-së nga salla e mbledhjes në objektin e administratës komunale, fjalën e ka marrë shefi i këshilltarëve të LDK-së, Haziz Hodaj, i cili ka kërkuar nga kryetari i komunës, Ramadan Muja që të dorëzojë mandatin te qytetarët e Prizrenit.

"Kryetari i Komunës sot duhet ta thirrë një konferencë për shtyp dhe t'ua dorëzoj pushtetin qytetarëve të Prizrenit, ngase që nga sot ju nuk i keni numrat për të qeverisur me Prizrenin", ka thënë Hodaj.

Ai u është përgjigjur edhe kritikave të këshilltarit Qengaj, duke theksuar se LDK-ja ka bërë opozitë në mënyrën e vet dhe me qasje konstruktive dhe se nuk bëhet objekt kusuritjesh mes fraksioneve të asnjë subjekti politik. Hodaj ka bërë të ditur se LDK-ja lëshon mbledhjen për shkak të parimeve të saj dhe jo për shkak të qëndrimeve të këshilltarëve 'rebelë' të PDK-së. 

Pak orë më pas ka reaguar Dega e LDK-së.

"Qëndrimi kritik i 8 këshilltarëve të vetë PDK-së në Kuvendin Komunal është shenjë inkurajuese se në front  ndaj së keqes janë vënë edhe vetë kuvendarët e PDK-së, duke iu bashkuar betejës së drejtë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve", thuhet në komunikatë ku është përsëritur thirrja për dorëheqjen e qeverisë lokale.

E, Lulzim Kabashi i LDD-së ka akuzuar këshilltarët që kanë braktisur mbledhjen e KK-së për mungesë të guximit për ballafaqim argumentesh në mënyrë demokratike.

"Ju bëj thirrje që ata të kthehen dhe këtu ta vazhdojnë luftën e tyre me argumente dhe në mënyrë demokratike", ka thënë Kabashi.

Në anën tjetër, kryesuesi i KK-së, Nijazi Kryeziu, ka bërë të ditur se është kundër sabotimeve dhe praktikave të lëshimit të takimit dhe se është pro ballafaqimit të argumenteve. Sipas tij, sfida të kësaj natyre KK-ja e Prizrenit ka pasur edhe në  të kaluarën dhe ka shfaqur shpresën se edhe kjo situatë do të tejkalohet.

"Nga 1 deri më 31 shtator çështja e buxhetit është në duart e KK-së. Ne e kemi propozimbuxhetin 2013-2015 dhe është vota e kuvendarëve që i jep formën finale buxhetit komunal", ka thënë Kryeziu.

Ndërsa sa i përket kërkesës së opozitës për dorëzimin e pushtetit, ai ka thënë se thirrje të tilla janë bërë që prej se kryetari Muja ka fituar mandatin e dytë.

"Ata që e njohin LVL-në e dinë se në rast të mosaprovimit të buxhetit nga KK-ja,ai shpallet jofunksional, dhe jo ekzekutivi i komunës apo kryetari, që është zgjedhur me votën e qytetarëve", ka përfunduar Kryeziu.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...