Është arrestuar Naser Kelmendi

21 Shtator 2012 - 09:22      

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar të enjten Naser Kelmendin, i cili konsiderohet si njëri prej bosëve të drogës në Ballkan dhe Evropë.
I shoqëruar nga shumë forca Kelmendi është sjellë në stacionin “Qendra” në Prishtinë rreth orës 19 e 30, njofton sot “Koha Ditore”.

Prishtinë, 21 shtator – Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar të enjten Naser Kelmendin, i cili konsiderohet si njëri prej bosëve të drogës në Ballkan dhe Evropë.

I shoqëruar nga shumë forca Kelmendi është sjellë në stacionin “Qendra” në Prishtinë rreth orës 19 e 30, njofton sot “Koha Ditore”.

Burime nga Policia e Kosovës i kanë thënë “Kohës Ditore” se Kelmendi është arrestuar në Pejë dhe është shoqëruar në Prishtinë ku është marrë në pyetje disa orë. Ai i ka thënë Policisë se nuk është Naser Kelmendi, duke u përpjekur ta fshehë identitetin.

“Sapo është sjellë në stacion ka mohuar se është Naser Kelmendi, duke thënë se kanë arrestuar njeriun e gabuar. Por Policia e di fare mirë se kë ka arrestuar”, ka thënë një zyrtar policor në kushte anonimiteti.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë të enjten rreth orës 21:00 se zyra për media nuk ka informacion deri në atë kohë se është arrestuar Kelmendi. Shefi i Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare në Policinë e Kosovës, Veton Elshani, nuk ka dashur të flasë.

Naser Kelmendi ndodhet në Kosovë prej javës së kaluar. Ai kishte ikur nga Sarajeva për shkak të një aksioni të Policisë së atjeshme për kapjen e tij. Kishte kaluar në Mal të Zi dhe pastaj në Pejë ku ka qëndruar për më shumë se një javë. Ndaj tij nuk ka pasur urdhërarrestim ndërkombëtar. Për këtë arsye Policia nuk e ka arrestuar deri tash.

Naser Kelmendi, 55 vjeç, i lindur në Sarajevë, i cili ka nënshtetësi të Bosnjës, është futur muaj më parë në listën e zezë të presidentit amerikan Barack Obama. Ai gjendet në listë krah liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah. Amerikanët e kanë konsideruar si njeriun më të rrezikshëm në Evropë për interesat e tyre.

Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi. Kërkesa është dërguar përmes Interpolit, ndërsa vendimin formal për fillimin e ngrirjes do ta sjellë komisioni i Bashkimit Evropian.

Kelmendi të enjten nuk ka qenë i kërkuar nga Interpoli. Emri i tij nuk ka figuruar në faqen zyrtare në internet të Policisë ndërkombëtare. Deri të premten për të nuk ka pasur urdhërarrestim të ardhur në Kosovë.

Policia e Bosnjës ka nisur një aksion për të arrestuar dhjetëra persona që merreshin me krim të organizuar. Aksioni i koduar me emrin “Lutka”, ka rezultuar me prangosjen e rreth 25 personave, të cilët janë arrestuar në bazë të kërkesës së prokurorisë.

Aksioni është kryer në tërë territorin e Bosnjës. Mediat boshnjake dhe ato të Malit të Zi kanë raportuar se qëllimi kryesor ka qenë arrestimi i Naser Kelmendit. Me origjinë nga Peja, Kelmendi për mediat është i njohur si biznesmen kontrovers dhe i cilësuar shpesh edhe si një nga narkobosët më të mëdhenj.

Një nga lokacionet e kontrolluara nga policia ka qenë “Casa Grande” në pronësi të Naser Kelmendit. Policia ka deklaruar se ai megjithatë është larguar për në Mal të Zi. Por, policia e ka mohuar që ai është në territorin e Republikës së Malit të Zi.

Kelmendi, 55-vjeçar, qytetar i Kosovës, i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH), sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit. Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.





 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...