Krasniqi kërkoi nga Egjipti njohjen e shtetësisë së Kosovës

19 Shtator 2012 - 19:00      

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Sabri Hamiti dhe Enis Kervan, në kuadër të vizitës zyrtare në Egjipt është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Këshillit Shura (Dhoma e Lartë) të Egjiptit, Ahmed Fahmy dhe personalitete të tjera egjiptiane.

Prishtinë, 19 shtator - Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Sabri Hamiti dhe Enis Kervan, në kuadër të vizitës zyrtare në Egjipt është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Këshillit Shura (Dhoma e Lartë) të Egjiptit, Ahmed Fahmy dhe personalitete të tjera egjiptiane.

Fahmy tha se Egjipti ende nuk e ka njohur Kosovën por, sipas tij, populli atë e njeh dhe shfaqi shpresën që së shpejti të merret vendimi për njohje nga ana e qeverisë së re egjiptiane. Ai tha se vetë kjo vizitë dhe pritja zyrtare e dëshmon këtë.

Kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq, tha se Kosova përcjell me vëmendje të arriturat në Egjipt pas ndryshimeve dhe inkurajoi institucionet dhe popullin egjiptian për përpjekjet për ta përfunduar tranzicionin demokratik, duke besuar kështu që Egjipti do ta rikthejë rolin që e ka pasur si vend kyç i botës arabe dhe myslimane. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kryetari Krasniqi i konsideroi miqësore, duke theksuar nevojën e forcimit të mëtejmë të tyre, në të gjitha fushat.

Krasniqi e njoftoi mikpritësin egjiptian për zhvillimet në Kosovë, si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi para dhe pas shpalljes së pavarësisë, si dhe shtori nevojën e njohjes së shtetit të Kosovës nga a Egjiptit.

“Jemi të bindur se njohja e pavarësisë nga Egjipti, përveç që i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve tanë, do të ndikojë në njohjen e Kosovës edhe nga shtetet e tjera”, tha Krasniqi.

Në fund të këtij takimi kryeparlamentari Krasniqi ftoi për vizitë zyrtare kreun e Dhomës së Lartë të Egjiptit, gjë që u pranuar me shumë kënaqësi nga ana e Fahmyt.

Krasniqi është pritur në takime të ndara edhe nga ministri i Çështjeve Parlamentare, Muhamed Mahsub, Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë dhe ai për Çështje Ekonomike.

Ministri Mahsub u shpreh i vetëdijshëm për vonesën në njohjen e Kosovës, por kërkoi që Kosova të këtë mirëkuptim për periudhën nëpër të cilën është duke kaluar Egjipti, duke shfaqur shpesën se pas përfundimit të këtyre proceseve, njohja e Kosovës do të vijë natyrshëm.

Gjatë takimeve me komisionet parlamentare, u shkëmbyen pikëpamje dhe informata lidhur me funksionimin e këtyre komisioneve dhe u diskutua për mundësinë e shkëmbimit të përvojave të dy palëve, njofton Zyra për marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...