Qetësi e brishtë në Lindjen e Mesme

16 Shtator 2012 - 13:17      

Nën presionin intensiv të Uashingtonit, forcat e sigurisë në Egjipt kanë arrestuar të shtunën qindra protestues përreth Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kajro. Protestat që tronditën rajonin në javën që shkoi, duket se janë qetësuar, të paktën përkohësisht, shkruan gazeta

New – York, 16 shtator - Nën presionin intensiv të Uashingtonit, forcat e sigurisë në Egjipt kanë arrestuar të shtunën qindra protestues përreth Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kajro. Protestat që tronditën rajonin në javën që shkoi, duket se janë qetësuar, të paktën përkohësisht, shkruan gazeta “New York Times”. Sipas saj, kryeministri i Egjiptit, Hisham Kandil, ka vizituar Ambasadën Amerikane dhe ka shprehur keqardhje për fajësimin e madh të saj, në lidhje me filmin anti-islamik.

Megjithatë, Kandil i ka bërë thirrje Perëndimit “që të arrijë ekuilibër në mes të lirisë së shprehjes dhe të ruajë respektin për besimet e njerëzve të tjerë”. Ai ka thënë se “dhuna është shkaktuar nga një numër i vogël njerëzish, që bëjnë punë të papërgjegjshme”, porse “autoritetet do të bëjnë gjithçka të mundur për të ndaluar përsëritjen e saj”.

Ndonëse dhuna është pakësuar, dega e Al Kaidës në Jemen u ka bërë thirrje ndjekësve të saj që të “dëbojnë ambasadat e Amerikës nga tokat e myslimanëve” dhe ka “vlerësuar lart” vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi, shkruan “New York Times”.

Sipas gazetës amerikane, dhuna ka nxitur dyshime për qëndrueshmërinë politike në Egjipt, Tunizi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, të sapodala nga regjimet autoritare.

Liderët e Egjiptit pranojnë se kanë gabuar në mosndëshkimin me forcë të dhunës që nga fillimi. Bilanci i protestave në Egjipt është bërë i qartë të shtunën, kur mediat lokale kanë raportuar për të paktën një person të vrarë në përleshjet me policinë, dhe mbi 220 të plagosur gjatë katër ditëve protesta.

Raporte për të vdekur ka pasur anembanë rajonit, përfshirë dy në Sudan, tre në Tunizi dhe një në Liban.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka dënuar dhunën.

“E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për njerëzit e të gjitha besimeve. Ne mbështesim liritë fetare dhe refuzojmë fyerjen e çdo feje – përfshirë Islamin. Megjithatë, kurrë nuk ka justifikim për dhunën”, ka thënë Obama.

Udhëheqësit politikë dhe fetarë në botën arabe po ashtu kanë bërë thirrje për qetësi. Në Arabinë Saudite, ku nuk janë raportuar protesta, myftiu i madh ka thënë se “është e ndaluar të fajësohen të pafajshmit për krime të liga”.

Protestat në Libi, Egjipt, Sudan, Tunizi, Jemen, Afganistan, Pakistan dhe vende të tjera të botës myslimane, janë nxitur nga filmi “Pafajësia e Myslimanëve”, i cili është bërë në SHBA dhe tall Muhamedin.

Në Libi, dhuna ka rezultuar me vrasjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Kristofer Stivens, dhe të tre zyrtarëve të tjerë amerikanë.

Sudani ka kundërshtuar sot kërkesën e SHBA-së për të vendosur marinsa rreth ambasadës së saj, duke bërë Uashingtonin t’i kujtojë Kartumit obligimet për të ofruar siguri diplomatike.

Departamenti amerikan i Shtetit, po ashtu, ka urdhëruar evakuimin e stafit jo-emergjent nga ambasadat në Tunis dhe Kartum, duke cituar situatën e sigurisë. Ai, gjithashtu, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë kundër udhëtimeve në këto dy kryeqytete.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...