Haxhiu: Historia e klasës së pestë, përrallë e shkruar keq

14 Shtator 2012 - 09:50      

Deputeti Bekim Haxhiu është shokuar me historinë e klasës së pestë të shkollës fillore. E kishte marrë për ta lexuar nga kureshtja, kur atë e kishte sjellë në shtëpi vajza e tij, e cila sivjet është në klasën e pestë. Përshtypjet pas leximit të këtij libri shkollor, të enjten ai i ka ndarë me kolegët deputetë në Kuvendin e Kosovës. U ka thënë se nga ajo që ka lexuar ka ardhur në përfundim se ky libër nuk u mëson histori fëmijëve, por ua ofron një “përrallë të shkruar keq nga Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj”.

Prishtinë, 14 shtator - Deputeti Bekim Haxhiu është shokuar me historinë e klasës së pestë të shkollës fillore. E kishte marrë për ta lexuar nga kureshtja, kur atë e kishte sjellë në shtëpi vajza e tij, e cila sivjet është në klasën e pestë. Përshtypjet pas leximit të këtij libri shkollor, të enjten ai i ka ndarë  me kolegët deputetë në Kuvendin e Kosovës. U ka thënë se nga ajo që ka lexuar ka ardhur në përfundim se ky libër nuk u mëson histori fëmijëve, por ua ofron një “përrallë të shkruar keq nga Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj”.

Më pas është përpjekur ta arsyetonte perceptimin e tij ndaj librit. 

“Në këtë libër shkollor fëmijëve tanë u mohohet historia e vërtetë...Në të, le që nuk flitet për themelimin dhe historinë e UÇK-së, por fëmijëve u mohohet të mësojnë për komandantin legjendar të UÇK-ës Adem Jashari,  për heronjtë tanë si Zahir Pajaziti , Luan e Shkëlzen Haradinaj, për Fehmi e Xhevë Lladrovcin,  Ilaz Kodrën e shumë heronj të tjerë”, ka thënë Haxhiu. Nuk ka mbaruar me kaq.

“Fëmijëve tanë, në këtë libër shkollor u mohohet të mësojnë për heronjtë dhe figurat më të ndritura, që dhanë më së shumti që këta fëmijë të rriten të lirë”, ka vazhduar Haxhiu. “Më besoni ose jo, fëmijët tanë në këtë libër mund të lexojnë në faqen 104 vetëm tre rreshta për luftën e fundit të UÇK-së, kurse në faqen 106, si për ironi shkruhen dy rreshta më shumë për administratën e UNMIK-ut dhe më pas shkruhet edhe për zgjedhjet e pasluftës dhe historinë e tyre”, ka shtuar ai.

Autorët e librit, sipas tij, më shumë u kanë dhënë hapësirë krijimit të partive politike dhe filmave si “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” dhe “Era e Lisi” sesa formimit të UÇK-së dhe komandantit të saj.

“Në këtë libër fëmijët tanë nuk mund të mësojnë për protestat e studentëve të 1 tetorit 1997, as për Adem Demaçin e as për Ukshin Hotin, e as që mund ta gjesh një fjalë të vetme për mijëra të burgosur politikë. As edhe një fjalë, as edhe një numër për mijëra të vrarë në luftën e fundit”, ka konstatuar Haxhiu.

Frashër Demaj, si njëri nga autorët e librit, i ka vlerësuar këto kritika të paqëndrueshme. Për “Kohën Ditore” ai ka thënë se historia e klasës së pestë qëllimisht nuk është ngarkuar me fakte, data e emra, sepse në të kundërtën do të bëhej e pakapshme për fëmijët e asaj moshe.

“Qëllimi, ka qenë që nxënësit tanë të mësojnë ngadalë histori e jo të ngarkohen me fakte e më gjëra të tjera që janë vështirë të kapshme për nxënësit e klasës së pestë”, ka thënë Demaj.

Shqiptarët, sipas tij, kanë një histori mbi 2500-vjeçare dhe secila periudhë e ka rëndësinë e saj.

“Pastaj është çështje e autorëve të teksteve shkollore se çka ata e çmojnë si më të rëndësishme. Por secili duhet ta kuptojë se autorët e teksteve, në vija të trasha përfshijnë të gjitha periudhat e historisë dhe përfshijnë të gjitha personalitetet e rëndësishme që kanë lënë gjurmë. Kështu kemi vepruar edhe ne”, ka deklaruar Demaj.

Ai nuk është befasuar nga Haxhiu që ka thënë se UÇK-së i janë kushtuar vetëm tre rreshta, duke thënë se po të varej vetëm prej tij, edhe vetë do t’i kishte bërë shumë gjëra më ndryshe.

“Mirëpo, secili duhet ta dijë se ka rregulla se si duhet shkruar historia për mosha të caktuara”, ka thënë Demaj. “Duhet të jemi të vetëdijshëm si historianë dhe si deputetë, por edhe si qytetarë të thjeshtë se historia nuk fillon as nuk mbaron me neve. Unë nuk jam i gatshëm që të bëj ndryshime për teka të askujt. Do të ishte mirë që secili qytetar i Kosovës të vetëdijesohet dhe ta kryejë punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur ai.

Në këtë kuptim, ai ka shtuar se edhe deputetët duhet të gjykojnë me një gjuhë pak më intelektuale dhe më të pranueshme kur dëshirojnë të komunikojnë me intelektualët. Tekefundit, ka thënë se: “Kritikat nga joprofesionistët janë joserioze”.

Në fakt, libri i historisë për klasën e pestë është kritikuar edhe nga  disa historianë qysh para dy vjetësh.

Por jo për UÇK-në! Asokohe është polemizuar rreth “paraardhësve të ilirëve”. Derisa autorët e librit kanë shkruar se: “Dijetarët mendojnë se pellazgët janë paraardhësit e ilirëve”, historiani Jahja Drançolli pati thënë se kjo është vetëm një hipotezë, që nuk është dashur t’u servohet fëmijëve për mësim.

“Këto teza janë lansuar më shumë nga historianët romantikë të shekullit nëntëmbëdhjetë, mandej janë përsëritur, por janë krejt hipotetike”, pati thënë ai.

Ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili vetë është historian, pati thënë se për tekstet shkollore të historisë, përgjegjësinë e mbajnë autorët. Libri i historisë për klasën e pestë, megjithatë, është lejuar nga MASHT-i. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...