Hooper: BE-ja sipërfaqësore kundruall Kosovës

13 Shtator 2012 - 13:58      

"Evropianët kanë tendencë ta trajtojnë Kosovën si të mirëqenë dhe nuk bëjnë përpjekje të mëdha për të punuar me kosovarët, ata thjesht presin nga Shtetet e Bashkuara që t’i tregojnë Kosovës se çka duhet bërë", thotë James Hooper, ish diplomat amerikan, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

"Evropianët kanë tendencë ta trajtojnë Kosovën si të mirëqenë dhe nuk bëjnë përpjekje të mëdha për të punuar me kosovarët, ata thjesht presin nga Shtetet e Bashkuara që t’i tregojnë Kosovës se çka duhet bërë", thotë James Hooper, ish diplomat amerikan, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, mbikëqyrja e pavarësisë mori fund, por sfidat përpara nuk janë të pakta, siç thuhet. A është Kosova e gatshme të përballet me to?

James Hooper: Mendoj se është e gatshme, po. Të kthehemi prapa dhe të shohim gjithë atë që kanë bërë liderët e Kosovës, ata aktualë dhe ata që s’janë më me ne;  fillimisht është larguar autoriteti i Serbisë mbi Kosovën, gjë që është arritur me luftën e vitit 1999.

Së dyti, ndonëse mori shumë kohë, Kosova fitoi pavarësinë e saj. Sapo pamë se mbikëqyrja ndërkombëtare mbi Kosovën, pas disa vitesh, u zbeh dhe u hoq në mënyrë thelbësore.

Tani, periudha e ardhshme, në ecjen përpara të Kosovës, është anëtarësimi në OKB dhe organizata të tjera.

E di se qeveria ka punuar në këtë drejtim, nuk është se ka qenë e ngathtë apo  përtace, por nuk bëhet më fjalë vetëm për arritjen e pavarësisë dhe heqjen e mbikëqyrjes…është shumë e rëndësishme që të punohet në drejtim të anëtarësimit në OKB.

Është gjithashtu e qartë se Kosova duhet të ketë marrëdhënie konstruktive më Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Një prej sfidave është natyrisht pjesa veriore e shtetit. Nëse komuniteti ndërkombëtar dështoi në integrimin e asaj pjese, ç’mund të bëjë Prishtina për ta arritur këtë synim?

James Hooper: Pyetje shumë e mirë. Është thelbësore tani që liderët e Kosovës të rivlerësojnë situatën në Serbi.

Situata atje ka ndryshuar që prej zgjedhjeve në maj. Është një parti e re në pushtet, që është ndryshe edhe qendër graviteti atje, Partia Përparimtare. Disa nga pjesëtarët e saj kanë histori të njohur dhe e gjithë kjo nuk është aq e admirueshme, thënë kushtimisht.

Por, ata gjithashtu kanë bërë një thyerje me atë histori.

Vendimi kyç, të cilin liderët e Kosovës duhet ta bëjnë, e deri në një masë edhe populli i Kosovës, ka të bëjë me çështjen nëse Partia Përparimtare dëshiron zgjidhje të gjerë apo hapa të vegjël përpara në raport me Kosovën dhe veriun?

Sipas mendimit tim, “përparimtarët” duan zgjidhje të gjerë. Nuk mendoj se kjo gjë është duke u kuptuar në Kosovë, por nëse del e vërtetë kjo që po them, autoritetet e Kosovës tani kanë shansin të merren vesh për një zgjidhje të pranueshme për interesat e të dyja palëve.

Nuk mendoj se pushteti i ri serb dëshiron t’i kthehet së kaluarës. Nuk jam adhurues i Boris Tadiqit si ish president, sepse nuk mendoj se e ka trajtuar çështjen e Kosovës si duhet.

Partia Përparimtare ka mundësinë të fitojë besimin e komunitetit ndërkombëtar, e deri në një masë edhe të kosovarëve, se duan vetëm të mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre në Kosovë.

E gjithë kjo nënkupton se kosovarët duhet të hartojnë një strategji, e cila do të mundësonte hulumtimin e mundësive në raport me situatën e re në Serbi dhe gatishmërinë mbase të qeverisë serbe për të gjetur zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se do të ishte zgjidhja e arsyeshme, gjithnjë duke pasur parasyshë rrethanat aktuale?

James Hooper: Zgjidhja që do të funksiononte për veriun, sipas mendimit tim, duhet të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kësisoji, do të ishte përgjegjësi e Beogradit të bind Rusinë të heqë dorë nga vetoja në Këshillin e Sigurimit. Nuk është e thënë që vetë Serbia të votojë për anëtarësimin e Kosovës, dhe as nuk do të nënkuptoja që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Mjafton që Serbia të ketë raporte konstruktive, duke ia hapur vetes dyert që të ndihmojë ta zëmë rreth lokacioneve fetare në Kosovë dhe të mbajë kontakte dhe raporte kulturore me serbët etnik në Kosovë, por duke e njohur si realitet sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj, përfshirë pra veriun.

E gjithë kjo duhet të jetë e përqëndruar në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Për mua, ky do të ishte elementi qendror në cilëndo situatë të ardhshme, qoftë edhe në bisedimet, negociatat që mund të ndodhin për veriun.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, perspektiva evropiane është një premtim që po u bëhet të dyja palëve. Serbia tashmë ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim, ndërkaq Kosova është ende në hapat e saj të parë në ndërtimin e raporteve me BE-në. Shumë skeptikë druajnë se Serbia mund të lëvizë më shpejt, duke vënë në rrezik të ardhmen evropiane të Kosovës. A do të pajtoheshit edhe ju?

James Hooper: Po, do të pajtohesha edhe unë. Mendoj se një nga problemet ka të bëjë me faktin se ekzistojnë disa qarqe në BE, të cilat vërtetë nuk e duan Kosovën brenda.

Dhe ky në fakt nuk është rreziku më i madh; rreziku më i madh i qasjes së BE-së karshi Kosovës është se BE-ja nuk e kupton se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundshme.

Në vend të kësaj, BE-ja bën trysni për hapa të vegjël. Ka gjithashtu rrezik që Bashkimi Evropian të përfundojë duke forcuar prospektet e një konflikti të ngrirë, i cili pastaj mund të shpërthejë në të ardhmen.

Evropianët kanë tendencë ta trajtojnë Kosovën si të mirëqenë dhe nuk bëjnë përpjekje të mëdha për të punuar me kosovarët, ata thjesht presin nga Shtetet e Bashkuara që t’i tregojnë Kosovës se çka duhet bërë.

Është formë sipërfaqësore e të menduarit dhe sipas meje, nuk është aspak formë efektive e diplomacisë që Brukseli po ndjek aktualisht.

Radio Evropa e Lirë: Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës duan të përfshihen në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar trajtim të njejtë sikur që kanë serbët në veri. Si do të duhej t’u përgjigjej Prishtina kërkesave të këtilla?

James Hooper: Nëse Serbia pret të ketë një rol legjitim për t’u kujdesur për serbët që janë qytetarë të Kosovës, e që jetojnë në një shtet të pavarur, nëse pret që të ketë raporte me këta qytetarë – nuk mendoj këtu në manipulime politike – atëherë duhet të dëshmojë fleksibilitet dhe të lejojë raporte të njejta ndërmjet Prishtinës dhe shqiptarëve që fundja janë qytetarë të Serbisë.

Duhet patjetër të jetë reciproke. Serbia nuk mund të kërkojë diçka nga Kosova, e të mos jetë e gatshme të ofrojë të njejtën gjë për ata që jetojnë në Luginën e Preshevës.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...