Toleranca fetare gjithnjë ka ekzistuar dhe ekziston në Kosovë

5 Gusht 2012 - 18:36      

Shumë të rinj në Kosovë mendojnë se rinia është demokratike dhe tolerante në shumë aspekte. Sa i përket tolerancës fetare, ata mendojnë se ajo gjithmonë ka ekzistuar dhe se Kosova ka qenë shembull i mirë në këtë drejtim

Prishtinë, 5 gusht - Shumë të rinj në Kosovë mendojnë se rinia është demokratike dhe tolerante në shumë aspekte. Sa i përket tolerancës fetare, ata mendojnë se ajo gjithmonë ka ekzistuar dhe se Kosova ka qenë shembull i mirë në këtë drejtim. Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë janë marrtë mendimet e disa të rinjve lidhur me atë se çka mendojnë ata për tolerancën ndërfetare në Kosovë.

Vlora Haxhiu, studente e Fakultetit Filozofik në UP tha se mendon që ka dhe se gjithnjë ka pasur tolerancë ndërfetare në Kosovë. “Për shembull, mund ta vëreni që në Kosovë, ku 95 për qind e popullatës janë myslimanë, në mes të kryeqytetit është katedralja e cila mund të shihet nga të gjitha anët e qytetit dhe askujt s’i bën përshtypje. Ky është një fakt se ekziston toleranca ndërfetare në Kosovë”, tha ajo.

Ndërkaq, Genci nga Prishtina, pohon se ka tolerancë fetare nga shumica e popullsisë në vend, duke e dalluar një pjesë të vogël të popullsisë.

“Mendoj që një grup i madh ka tolerancë, por kemi një grup të vogël që ka shpërfillje fetare. Mendoj që disa njerëz janë rritur të ekspozuar ndaj feve të ndryshme, derisa një pjesë tjetër është rritur në vendet rurale më të izoluar, janë më të irrituar nga kryqi e simbolet fetare i lidhin me ato nacionale”, shprehet Genci.

Besnik Gashi, ekonomist, 26-vjeçar, jep mendimin e tij duke bërë një krahasim mes njerëzve lidhur me atë se sa në fakt ekziston toleranca ndërfetare në Kosovë.

“Ata njerëz që kanë pasur rastin të dalin jashtë vendit dhe kanë pasur shoqëri me njerëz të feve të ndryshme, ata janë më tolerantë, derisa të tjerë që kanë qenë më të izoluar i japin më shumë rëndësi fesë dhe mendoj se nuk janë aq tolerantë”, tha Besniku.

Donika Bajgora thotë se vërehet një dallim nga koha e pasluftës, kur të rinjtë kanë qenë edhe më tolerantë sesa që janë tani.

“Mendoj që para luftës ka pasur më shumë tolerancë fetare, duke u nisur nga fakti se festat fetare janë festuar pavarësisht se cilës fe i përket. Tash po më duket që ka më pak tolerancë”, tha ajo.

Edhe i riu, Arbani nga Prishtina, 20 vjeç, mendon se ka tolerancë ndërfetare. “Mendoj që arsye e tolerancës ndërfetare është se kemi një rini demokrate”.

Por, ka edhe të tillë që vetes ia shtrojnë disa pyetje lidhur me tolerancën ndërfetare. Ai është Samiu nga Prishtina, student i Fakultetit të Teologjisë.

“Mendoj se ka tolerancë fetare në Kosovë. 96 për qind e popullatës, sipas statistikave të fundit, janë deklaruar se i përkasin besimit islam. Por, mua më intereson a do të ekzistonte një tolerancë e tillë sikur të ishte e kundërta? Po të ishte Kosova me 96 për qind të besimeve të tjera e 4 për qind myslimanë?”, përgjigjet me kundërpyetje Samiu.

Derisa Nora Kadriu, regjisore, deklaron se besimi te njerëzit është shumë individual, andaj secili duhet të jetë tolerant sa i përket kësaj çështjeje.

“Mendoj që ka tolerancë fetare, sidomos te të rinjtë. Më shumë i lidhë shoqëria, nuk bëjnë dallime fetare. Unë kam shumë shoqe katolike dhe kaloj shumë mirë, edhe pse unë i përkas fesë islame. Feja është shumë personale te secili njeri dhe tekefundit ne jemi të gjithë shqiptarë të Kosovës”, shprehet Nora.

Edhe arkitektja Vesa Nuhiu shprehet tolerante në këtë aspekt, por ja se çfarë mendon për popullin e Kosovës në përgjithësi:

"Unë jam tolerante, unë e kam besimin tim dhe mendoj që është çështje personale. Nuk ka nevojë të imponohet. Përndryshe, sa i përket popullatës, në përgjithësi, mendoj se ne si popull jemi shumë neglizhent ndaj pakënaqësive të jetës, andaj si popull nuk e di a jemi tolerantë”.

Sidoqoftë, Raporti për Liritë Fetare në botë, për vitin 2011, i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë, ka vënë në theks edhe ankesat e liderëve fetarë për “mungesën e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal”.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...