Qeveria: Ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimin do kohë

23 Korrik 2012 - 11:05      

Qeveria e Kosovës nuk e di se kur mund të fillojë trajtimi i rasteve të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin nga ana e Grupit Punues Ndërministror që është themeluar për këtë çështje. Në ekzekutiv kanë thënë se në këtë fazë, grupi është në proces të funksionalizimit, ndërsa kanë paralajmëruar që ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimin do të jetë një punë që do të marrë kohë, shkruan “Koha Ditore”.

Prishtinë, 23 korrik - Qeveria e Kosovës nuk e di se kur mund të fillojë trajtimi i rasteve të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin nga ana e Grupit Punues Ndërministror që është themeluar për këtë çështje. Në ekzekutiv kanë thënë se në këtë fazë, grupi është në proces të  funksionalizimit, ndërsa kanë paralajmëruar që ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimin do të jetë një punë që do të marrë kohë, shkruan “Koha Ditore”.

Zëvendësministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Daut Xhemajli, ka treguar se vendimi për themelimin e Grupit tashmë është marrë dhe se tashmë janë afatet e caktuara për formësimin e tij me përfaqësues nga Qeveria dhe institucione të tjera.

“Në këtë fazë nuk mund të flitet për rastin e parë të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin nga ky grup punues ndërministror, duke pas parasysh se ky është dhe do të jetë një proces shumë i gjatë e kompleks”, ka thënë ai. “Vendimi për themelimin e këtij grupi është i datës 4 qershor dhe, sipas këtij vendimi, institucionet që do të përfaqësohen në këtë grup, i kanë afatet të caktuara për propozimet e tyre. Qeveria brenda dy muajve duhet t’i propozojë përfaqësuesit e vet, ndërsa Zyra e kryeministrit, brenda katër muajve, nga nxjerrja e vendimit, duhet fillojë funksionalizimin e tij”.

Xhemajli e ka arsyetuar vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin.

“Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm në Kosovë, sepse familjarët e viktimave dhe të personave të zhdukur, bile edhe qytetarët e tjerë kanë të drejtë të dinë me saktësi kush dhe pse ka ushtruar dhunë në familjarët e tyre dhe ku gjenden varret apo eshtrat e tyre, e pastaj edhe kompensimi financiar lehtëson paksa pasojat dhe dhembjet e familjarëve”, ka thënë ai. “Sipas meje, është e domosdoshme që në këtë proces të gjatë të përfshihen të gjithë mekanizmat e shtetit të Kosovës, pavarësisht sesa i gjatë do të jetë ai”.

Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, kurrë nuk është vonë për kompensimin e dëmit të shkaktuar.

“Dua të rikujtoj diçka shumë me rëndësi, që nuk nënkupton përfitime sot për sot apo  shpejt e shpejt - Gjermania në fund të vitit 2010 ka paguar këstin e fundit prej 69,9 milionë eurosh të reparacioneve për luftën e viteve 1914-1918”.

Më 4 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky Grup që do të kryesohet nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit do të përbëhet nga gjithsej 20 veta - 7 përfaqësues që vijnë nga ministri të ndryshme, një përfaqësues nga Presidenca, një nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, një nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, një tjetër nga Komisioni për Gjuhë dhe 8 përfaqësues të shoqërisë civile. Në cilësinë e ekspertëve dhe vëzhguesve do të jenë të ftuar plot 13 veta të tjerë që vijnë nga institucione vendore, sidomos nga ato ndërkombëtare.

Qëllimi i këtij Grupi thuhet të jetë “ballafaqimi me shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në të kaluarën në Kosovë, që përfshin luftën e fundit dhe periudhën e transicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, me qëllim që të promovohen pajtimi dhe paqja e qëndrueshme, në mes tjerash, duke siguruar përgjegjshmërinë, arritjen e drejtësisë, ofrimin e kompensimit për viktimat, lehtësimin e kërkimit të së vërtetës, promovimin e shërimit, marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të rikthyer besimin në institucionet e shtetit dhe zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet e drejtësisë transicionale”.

Vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin e ka kundërshtuar lideri i forcës së dytë më të madhe opozitare, lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Në një prononcim publik, Kurti ka thënë se krimet e Serbisë në Kosovë janë të gjata në kohë dhe të mëdha në përmasa.

“Kush është kjo Qeveri që në emër të shekullit XIX, XX po edhe XXI dhe për të gjithë këta shekuj dëshiron të pajtohet me Serbinë në atë që po e quajnë pajtim historik. Pse ky rol dhe pse kjo nguti. Çka fitojmë me këtë pajtim e pas këtij pajtimi”, ka pyetur ai. 

Lideri i “Vetëvendosjes” është shprehur se pajtimi i propozuar nga ky Grup ofron opinionet e palëve para fakteve të krimeve dhe dialog gjithëpërfshirës para drejtësisë gjyqësore.

“Ky Grup është zëvendësimi i shkencës me letërsinë. Ne kemi nevojë për fakticitet dhe gjyqësi. Për hetime serioze për krimet e luftës e të pasluftës dhe për një rrëfim të vetëm – për rrëfimin e gjykatave të drejta e të paanshme teksa ndajnë drejtësi. Në kushtet kur s’kemi drejtësi gjykatash, drejtësia transicionale do të jetë padrejtësi pa transicion”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, gjatë këtyre 13 vjetëve të pasluftës janë organizuar pafund konferenca e seminare ndërkombëtare e vendore me viktimat e të gjitha palëve.

“Kemi qenë dëshmitarë se si pajtimi që synohet nuk është pajtimi midis palëve, por pajtimi i të gjitha palëve me ‘faktin’ se kriminelë e viktima paska pasur nga të gjitha palët. Efekti dihet: dekurajimi i të gjithëve nga të gjitha palët për kërkim të drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, nuk mund të ketë ballafaqim dhe pajtim për të kaluarën pa një qasje ndryshe të Kosovës kundrejt Serbisë.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...