Fol: Korrupsioni në Kosovë përtej perceptimit

1 Korrik 2012 - 14:25      

Lëvizja FOL, në kuadër të punës së sajë kundër korrupsionit, ka filluar një sektor të ri: Statistikat e Korrupsionit në Kosovë. Kjo është mundësuar duke shkrirë punën dyvjeçare të ekipit të FOL në monitorimin e korrupsionit në Kosovë.Në kuadër të këtij sektori të ri, FOL sot ka bërë publike statistikat që tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik:

Prishtinë, 1 korrik - Lëvizja FOL, në kuadër të punës së sajë kundër korrupsionit, ka filluar një sektor të ri: Statistikat e Korrupsionit në Kosovë. Kjo është mundësuar duke shkrirë punën dyvjeçare të ekipit të FOL në monitorimin e korrupsionit në Kosovë.Në kuadër të këtij sektori të ri, FOL sot ka bërë publike statistikat që tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik:

Korrupsioni në Kosovë, i lidhur ngushtë me krimin e organizuar, është pengesa kryesore për sundim të ligjit, zhvillim ekonomik si dhe funksionim demokratik të institucioneve publike të Kosovës. Efektet e korrupsionit janë gjithëpërfshirëse dhe ndjehen në të gjitha fushat dhe sektorët e qeverisjes. Shpërndarja e gjerë e korrupsionit po thellon hapësirën ndërmjet qytetarit dhe institucioneve publike. Kjo gjendje ka ndikuar që besimi i qytetarëve në institucionet publike të jetë shumë i ulët, diçka që po manifestohet tashmë për vite të tëra edhe nga shkalla gjithnjë e më e ulët e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. Pasoja të kësaj gjendjeje janë të shumta, por ajo që është shumë e rëndësishme në këtë kontekst është hapësira që kjo krijon për inkurajimin e një tendence drejt zhvillimit të një sistemi paralel të ofrimit të shërbimeve publike. Në ekonomi, kjo reflektohet me ekzistimin e tregut të zi që dëmton drejtpërdrejt buxhetin publik të Kosovës dhe shkel të drejtat e njeriut.

Duke shkrirë punën dyvjeçare të ekipit të FOL në monitorimin e korrupsionit në Kosovë, organizata po bën një hap tjetër më të avancuar në përmbushjen e misionit të saj për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit duke krijuar një sistem të Statistikave të Korrupsionit në Kosovë. Ky sistem do të mundësojë publikimin e rregullt të statistikave tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik, duke i mundësuar kështu opinionit të gjerë publik, si individëve ashtu edhe institucioneve publike, që t’i lexojnë në mënyrën e tyre këto të dhëna, dhe që të mund ta bëjnë këtë duke u bazuar në të dhëna të matshme. Më tej, kjo do t’u ndihmonte për të kuptuar dhe analizuar më mirë punën dhe kontributin e tyre dhe hapësirat ku nevojiten përmirësime. 

FOL po krijon një sistem që është i ri jo vetëm në Kosovë por mbase edhe në nivel rajoni, dhe mëton të avancoj këtë praktike të Statistikave të Korrupsionit. Këto të dhëna do të freskohen në vazhdimësi dhe kategori të reja do të krijohen për të zhvilluar më tej këtë qasje të re, e cila është kyce në veçanti për matjen e ndikimit të zbatimit të ligjeve dhe politikave anti-korrupsion në vendi. Qëllimi i këtij sistemi nuk është që ne si organizatë të dalim me konkluzione për këto statistika, por ato do t’ia lëmë secilit personalisht që t’i nxjerr. Ne presim që këto të dhëna të jenë të dobishme për institucionet tona, sidomos Gjyqësorin, që të reflektojnë dhe të rrisin efektivitetin e luftës kundër korrupsionit, i cili faktikisht po mban peng të ardhmen tonë evropiane.



Pse statistikat e korrupsionit? 



Sa i përket korrupsionit në Kosovë, ka një debat shpeshherë të ashpër, ndërmjet perceptimit dhe realitetit. Disa argumentojnë se korrupsioni është i ekzagjeruar nga perceptimi publik i tij, dhe se kjo ushqehet nga deklarime të shpeshta publike të pabazuara në fakte. Sipas barometrit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2011, të realizuar nga organizata Transparency International, perceptimi për korrupsionin në Kosovë është shumë i lartë. Në një shkallë nga 0 - 10, ku 0 do të thotë që vendi perceptohet si shumë i korruptuar dhe 10 që një vend është perceptuar si shumë i pastër, Kosova ka vlerësimin 2.9, që nënkupton se vendi shihet nga qytetarët si tejet i korruptuar 

Gjatë vitit 2010 Lëvizja FOL ka bërë një përpjekje që të ndajë perceptimin nga realiteti duke publikuar në mënyrë të rregullt raportin “Monitoruesi i Korrupsionit”. Kur kemi filluar punën me këtë raport, shumë institucione janë gjetur të papërgatitura, dhe si rezultat ato nuk kanë mundur të përgjigjen në pyetjet tona për statistikat e korrupsionit. Sot, pas një pune dyvjeçare, disa institucione kanë krijuar sisteme të mira të bazës së të dhënave për korrupsionin. Ky projekt gjithashtu ka kontribuar në themelimin e grupit të veçantë të prokurorëve që do të merren ekskluzivisht me zgjidhjen e lëndëve me natyrë korruptive. Kjo tregon se veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare janë duke u bërë prioritet i prokurorive të rregullta publike.  

Monitoruesi i Korrupsionit gjatë vitit 2010 është publikuar çdo muaj, dhe përmes tij janë publikuar rregullisht statistika, pra numra konkretë, sa i përket gjendjes së korrupsionit në Kosovë dhe përgjigjes së institucioneve publike ndaj korrupsionit. Monitoruesi i Korrupsionit është i vetmi matës i progresit në fushën e politikave kundër korrupsionit në Kosovë i cili shkon përtej perceptimit.

Qëllimet e projektit të Monitoruesit të Korrupsionit janë të shumëfishta, duke filluar nga krijim i një pasqyre të bazuar në fakte rreth gjendjes së korrupsionit dhe aktiviteteve të institucioneve publike në luftimin e tij,e deri te ushtrimi i presionit ndaj tyre për të përmirësuar punën e tyre në këtë derjtim. Te dhënat statistikore të mbledhura përmes tij tregojnë se përderisa korrupsioni është në nivel të lartë reagimi i institucioneve, si Prokuroritë, gjykatat e institucioneve të tjera, lë shumë për të dëshiruar.



Përmbledhje ekzekutive:



Statistikat e korrupsionit tregojnë se në Kosovë gjatë vitit 2010 pothuajse çdo ditë ka pasur një vepër korrupsioni, përderisa në vitin 2011 kjo pothuajse është dyfishuar në dy vepra apo akte të korrupsionit në ditë, sipas të dhënave nga Policia e Kosovës. Në anën tjetër, prokuroritë publike kanë bërë gjithsej 1273 kallëzime penale për korrupsion gjatë vitit 2010 dhe 2011. Kjo tregon se pothuajse çdo ditë janë ushtruar nga 4 kallëzime penale. Kostoja e supozuar e korrupsionit në Kosovë gjatë vitit 2011 ishte mbi 11 milionë euro. Gjatë vitit 2010 janë arrestuar gjithsej 50 persona për korrupsion, gjë që i bie që pothuajse çdo muaj janë arrestuar 5 persona nën dyshime për përfshirje në akte të korrupsionit. Statistikat tregojnë edhe për natyrën e korrupsionit në Kosovë.

Shpërdorimi i detyrës zyrtare është forma më e përhapur e korrupsionit në Kosovë. Sipas Kodit të Përkohshëm Penal,   kjo vepër përkufizohet në këtë mënyrë:  “Personi zyrtar i cili, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, për vete ose për tjetrin, ose për organizatën e biznesit, apo të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për atë organizatë të biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare, tejkalon kompetencat ose nuk i përmbush detyrat zyrtare, dënohet me burgim deri në një vit.”  

Sa i përket shtrirjes gjeografike të korrupsionit në Kosovë, listës i prijnë Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica. Rajoni i Prishtinës prin me numrin më të lartë të lëndëve gjyqësore për korrupsion, kjo mbase për shkak se të gjitha institucionet kryesore qeveritare janë në Prishtinë.

Gjykata kryesisht japin dënime shumë  të buta për raste të korrupsionit. Gjatë vitit 2011 gjykatat kanë shqiptuar dënim me burg vetëm për 20 persona nga gjithsej 135 sa janë dënuar për korrupsion deri më tani. Efektiviteti i gjykatave në luftën e korrupsionit është rreth 50%, pra po aq lëndë sa kanë trajtuar për korrupsion po aq mbetet të pazgjidhura. 



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...