”Festa e muzikës” gjallëron Shtëpinë e Pleqve

22 Qershor 2012 - 09:47      

Hasime Musaj (75) nuk e mbante mend kur kishte dëgjuar muzikë për herë të fundit. Kjo ka qenë arsye që ajo të shijojë më tepër performancat që i janë ofruar në shtëpinë ku është strehuar prej kohësh. “Po më pëlqen shumë”, thoshte ajo, teksa shijonte tingujt e muzikës.

Prishtinë, 22 qershor - Hasime Musaj (75) nuk e mbante mend kur kishte dëgjuar muzikë për herë të fundit. Kjo ka qenë arsye që ajo të shijojë më tepër performancat që i janë ofruar në shtëpinë ku është strehuar prej kohësh. “Po më pëlqen shumë”, thoshte ajo, teksa shijonte tingujt e muzikës.

Për të e moshatarët e saj e enjtja nuk ka qenë ditë e zakonshme. “Festa e muzikës” është bërë sebep që Shtëpia e Pleqve të vizitohej nga një grup muzikantësh të rinj. Studentët e muzikës në Fakultetin e Arteve për më shumë se një orë janë kujdesur që të interpretonin live në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Një sallë me tavolina e karrige modeste shërbeu si vend i skenës dhe audiencës. Të moshuarit nuk e mirëpriten fillimin e programit, kur studentët nisën të performonin vepra të muzikës klasike. Atmosfera u ndez vetëm kur ata performuan “Gajdexhiun”. Tingujve të klarinetës e  të darabukëve nuk kanë mundur t’u rezistonin. Ata kanë vallëzuar për më shumë se gjysmë ore. Muzika ka emocionuar të gjithë. Madje edhe studentët.

“Ndoshta do të kishte qenë mirë që më shpesh të organizoheshin ngjarje të tilla”, ka thënë Arta Mazreku, studente e vitit të parë e solo këndimit në Fakultetin e Muzikës, derisa fshinte lotët. Ajo ka komentuar edhe programin.

“Në fillim ndoshta ishte pak i ngadalshëm, por pastaj u ngjall atmosfera”, ka thënë Mzreku.

Profesoresha e saj, mezopranoja Besa Berberi, ka thënë se 21 qershori është rast i mirë që muzika të depërtojë gjithkund.

“Është shumë e rëndësishme që studentët të jenë pjesë e manifestimeve të tilla dhe të dërgojmë muzikë edhe te ata që nuk mund të dalin”, ka thënë Berberi.

Trim Musliu, organizator i “Festës së muzikës” - e cila shënohet çdo vit në më shumë se 250 qytete në 100 vende të botës - ka thënë se një prej parimeve themelore të kësaj feste është pjesa sociale.

“Shpresoj që sado pak t’i lehtësojmë dhe argëtojmë në njëfarë mënyre këtë shtresë që ndodhet në këtë shtëpi”, ka thënë Musliu. Ai ka shpjeguar se kjo nuk është hera e parë që në Shtëpinë e Pleqve dërgojnë muzikë. “Tash e dy vjet që realizojmë këtë eveniment kalojmë shumë mirë dhe për këtë arsye kemi vullnet sepse na presin mirë dhe i shohim tek relaksohen”, ka shtuar ai.

Përveç aktivitetit në Shtëpinë e Pleqve, “Festa e muzikës” ka ofruar edhe performanca në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe aktivitete në Qendrën Korrektuese në Lipjan dhe në Prizren. Agjenda ka përfshirë muzikë të të gjitha zhanreve, si rock, rap, muzikë klasike, tradicionale e muzikë për fëmijë.

“Festa e muzikës” ishte shënuar për herë të parë Francë në vitin 1982. Ajo karakterizohet me një dinamikë të fuqishme, pasi është rritur nga viti në vit. Muzikantët e çdo niveli dhe stili performojnë me mijëra koncerte të muzikës, kryesisht në ambiente të hapura. Aktivitetet që organizohen në kuadër të kësaj feste janë falas për audiencën.

“Festa e muzikës” në Kosovë është përkrahur nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Ambasada e Francës në Kosovë dhe nga Komuna e Prishtinës.



 

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...