Shqipëria ankohet në CEFTA për bllokimin e çimentos

14 Qershor 2012 - 09:53      

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për vendosjen e një tarife prej 35 për qind për çimenton e importuar ka çuar në zero eksportin e këtij produkti nga Shqipëria në Kosovë. Qeveria e Shqipërisë pritet të reagojë në kuadër të CEFTA-s, ndaj kësaj mase të ndërmarrë nga pala e Kosovës.

Tiranë, Kukës, 14 qershor - Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës  për vendosjen e një tarife prej 35 për qind për çimenton e importuar ka çuar në zero eksportin e këtij produkti nga Shqipëria në Kosovë. Qeveria e Shqipërisë pritet të reagojë në kuadër të CEFTA-s, ndaj kësaj mase të ndërmarrë nga pala e Kosovës.

Drejtori i Doganës së Kukësit, Ali Tota, ka bërë të ditur se të mërkurën, ndryshe nga ditët e tjera, asnjë automjet i ngarkuar me çimento nuk është paraqitur në Morin për të kaluar në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

”Jemi gjendur para një të papriture, kur të mërkurën në Morin nuk është paraqitur asnjë automjet i ngarkuar me çimento, ndërkohë që ditët e tjera krijohej një radhe e gjatë e kamionëve të ngarkuar me këtë artikull. U interesova në Doganën e Kosovës dhe ata më thanë se fajin e ka “Kusari-Lila”.

“Problemi i bllokimit të eksportit të çimentos po diskutohet në instancat e larta të Qeverisë”, tha drejtori Ali Tota.

Për vendimin e ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës janë njohur edhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në Shqipëri.

”Me vendimin e Ministrisë, Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës jam njohur sot (të mërkurën) në mëngjes, por nuk kam asnjë reagim për ju si gazetar”, thotë Pranvera Kastrati, drejtoreshë e Politikave të Integrimit Tregtar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë. Lidhur me aplikimin e tarifës 35 për qind për çimenton në Doganat e Kosovës ka pranuar të prononcohet shkurt zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë, Enno Bozdo.

“Me problemin e një tarife ekstra  prej 35 për qind për çimenton e importuar e aplikuar në Doganat e Kosovës pas një vendimi të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së këtij vendi jemi njohur sot. Aktualisht jemi në procesin e verifikimit. Po të ketë shkelje të marrëveshjeve do të reagojnë në sekretariatin e CEFTA-s”, deklaron për “Kohën Ditore” zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë, Enno Bozdo.

Bozdo, në detyrën e tij si zëvendësministër mbulon edhe MTL-të me vendet e rajonit. Gjatë dy vjetëve të fundit çimentoja e Fushë-Krujës zë vendin e parë në gamën e artikujve që eksportohen nga Shqipëria në Kosovë, ndërkohë që në vitin 2011 eksporti i çimentos është dyfishuar krahasuar me vitin 2010. Gjatë vitit 2011 janë eksportuar në Kosovë nga firma “Fushë-Kruja Cement Factory”, 264480 ton çimento. E krahasuar me vitin 2010 ka një rritje prej 144797 tonesh ose 1.2 herë më shumë. Edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 importi nga Shqipëria ka vazhduar të dominojë, pasi janë importuar 102 mijë  tonë çimento. Zyrtarë të doganës së Kukësit pohojnë se fillimi i ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar ka ndikuar në rritjen e vëllimit të eksportit të çimentos e cila zë peshën kryesore në eksportet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës. ”Cilësia, por edhe çmimi më i ulët ka bërë që çimentoja e Fushë-Krujës të jetë  konkurruese në tregun e Kosovës”, argumentojnë zyrtarë të doganës së Kukësit.

Çimentoja përfshihet në marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes Kosovës e Shqipërisë, por eksportuesit tashmë janë  të detyruar të paguajnë përveç TVSH-së edhe një tarifë plus në masën 35% të vendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë Kosovës. Këtë masë ministrja Kusari-Lila thotë se e ka ndërmarrë për të mbrojtur prodhimin vendas. Por prodhuesi i vetëm në Kosovë është “SharrCemi”, që është në pronësi të kompanisë greke “Titan”.

Me ligjin 9122, datë 29/07/2003, të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë  është bërë ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Shqipërisë e Kosovës. Me këtë marrëveshje palët kontraktuese kanë synuar të krijojnë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet tyre. Kujtojmë se kjo marrëveshje është hartuar në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së  M.P.T.T të vitit 1994 dhe Marrëveshjes themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë. Konflikti Shqipëri-Kosovë për moszbatim të MTL-së ka më shumë se dy vjet që qëndron i hapur, ku patatja e Kosovës është shndërruar në “mollë sherri” mes dy vendeve. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhalliu, në tetor të vitit 2010, paralajmëroi rishikim të marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë ku  pala kosovare ka hedhur  dyshime se Shqipëria po bën proteksionizëm për të favorizuar grupe të caktuara për produktin e patates. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës kërcënoi asokohe se do të ankohej zyrtarisht kundër Shqipërisë në sekretariatin e CEFTA-s, bordit që mbikëqyr Marrëveshjen e përbashkët të Tregtisë së Lirë në rajon. Të njëjtën gjë ka përsëritur edhe pala shqiptare, por kësaj radhe nga përfaqësues të Qeverisë, pikërisht nga numri dy i Ministrisë  së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...