Adeti

10 Janar 2017 - 08:14 - Flaka Surroi      

Është bërë adet i Kosovës që ashtu siç ia nis, ashtu ta përfundojë vitin. E këtë që e kemi parë në javën e parë të këtij viti është një ogur jo i mirë. Edhe s’ka sesi bëhet ndryshe me njerëzit e njëjtë në krye: me gënjeshtarët, inatxhinjtë e diletantët, të cilëve u ka rënë luga në mjaltë

Shkoi edhe një vit – e ky që e lamë pas nuk është për t’u harruar. Posaçërisht për të gjitha të këqijat që i solli.

Në prag të ndërrimit të moteve, edhe pse gojën plot urime dhe shprehje dëshirash për gëzime dhe lumturi, megjithatë, në ajër ndihej se 2017-a me gjasë nuk do të jetë shumë më ndryshe sesa 2016-a. Sepse shumë gjëra të papërfunduara janë bartur në të, sikur të ishte një buxhet i keqplanifikuar që pret mend e ditë më të më mira për t’u realizuar.

Bagazhi i bartur

Kosova hyn në 2017-n me shumë pikëpyetje, duke nisur nga politika e ardhshme e jashtme e SHBA-së dhe shkallës së interesimit që do të tregojë ajo për Kosovën e vockël me një udhëheqje që e degradoi krejt investimin amerikan në luftën e para gati 20 vjetësh.

Para përvjetorit të nëntë të Pavarësisë do të ballafaqohet me trysninë edhe më të madhe nga përfaqësuesit e BE-së së hallakatur nga problemet e brendshme të shteteve anëtare, për jetësimin e Zajednicës dhe për kalimin e Marrëveshjes për demarkacionin, duke luajtur në të përhershmen notë bajate të liberalizimit të vizave.

Me ardhjen e pranverës do të ballafaqohet me ethet e Speciales dhe me pyetjen që rri pezull në ajër: cilët janë 10 të parët, apo 5 të parët që shkojnë në Hagë, dhe cili prej të “mëdhenjve” do ta gjejë veten në atë listë. Dhe, po qe se dikush nga “të mëdhenjtë” shkon, a do të ketë dy palë zgjedhje në këtë vit.

Por pjesa më e keqe që do të vazhdojë të na e komplikojë jetën do të jenë negociatat me Serbinë, derisa në krye të delegacionit kosovar të vazhdojë “Fjolla” Tahiri. Një person, i cili qartazi ka dëshmuar gjithë paaftësinë dhe injorancën gjatë këtyre gjashtë vjetëve të bisedimeve “teknike” do të duhej të dorëzohej, sepse nuk po di. E nëse nuk dorëzohet, do të duhej ta shkarkonin, sepse nuk po di, dhe nuk po di asgjë dhe vetëm po e fut Kosovën thellë e më thellë në telashe. E se nuk di, e dëshmojnë së paku dy nga ngjarjet që ndodhën gjatë kësaj jave, e që është dashur të shërbenin si kushte për të nisur çfarëdo negociate me Serbinë.

“Pelegrinazhi” edhe i kriminelëve

Sërish dje në Gjakovë dolën nënat për të protestuar dhe për të mos lejuar që pelegrinët dhe “pelegrinët”, në mesin e të cilëve gjendej edhe shefi i policisë sekrete serbe gjatë kohës së okupimit serb dhe të bombardimit, të vinin në kishën ortodokse për kërshëndella. Të drejtës së pelegrinëve për të shëtitur nëpër kisha i humb kuptimi krejtësisht kur vetëm në qytetin e Gjakovës iu privua e drejta në jetë 308 civilëve, përderisa edhe 30 janë ende të zhdukur – apo kur në gjithë Komunën e Gjakovës nga serbët u vranë madje 902 civilë, e 77 të tjerë u zhdukën po nga ushtria serbe. E drejta në shëtitje me autobus nuk ka kuptim, kur askush prej atyre që kanë kryer masakra në Kosovë nuk ndien as keqardhjen më të vogël për viktimat, e lëre më të kërkojë falje.

E zonja Tahiri, bashkë me shefin e vet të atëhershëm dhe të përhershëm, Hashim Thaçi, i nisën negociatat me Serbinë pa kërkuar që ky shtet ta pranojë fajin dhe përgjegjësinë për masakrat e kryera në Kosovë, si kushtin e parë, dhe pa kërkuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve, si kushtin e dytë. Kapërcyen nëpër këto, thuajse kanë ndodhur diku në Tunguzi, thuajse krejt u fshinë me gomë, thuajse viktimat ishin fajtore pse u vranë.

Vetëm një faqe përkujtimi që botohet çdo vit në KOHA Ditore më 2 prill do të duhej të mjaftonte: dy familje -- dy gjyshe, dy nëna dhe nëntë fëmijë, më e vogla 2 vjeçe e më e madhja 16 vjeçe – u vranë barbarisht nga policia/ushtria serbe. Gjysheve të tjera të mbijetuara nuk ka kush t’ua kthejë të vdekurit. E nuk ka kush as t’u japë prehje – sepse shteti nuk çan kokën për to. Përkundrazi, shteti pret që ato të mos ua shkelin të drejtën e shëtitjes me autobusë “pelegrinëve”, në mesin e të cilëve janë edhe ata që i kanë duart e gjakosura me gjakun e këtyre viktimave. Përkundrazi, shteti i arreston ato, sepse po ua shkelin të drejtën e shëtitjes me autobusë atyre që ua kanë marrë ardhmërinë.

Fletarrestimet që nuk u sosën

Sërish u arrestua Ramush Haradinaj. Kësaj radhe në Francë, në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar që ka lëshuar Serbia, “për krime lufte të kryera në Kosovë”. Haradinaj u gjykua dy herë dhe tash e ka një aktgjykim të plotfuqishëm lirues. Po qe se akuzat janë për të njëjtat vepra penale për të cilat është gjykuar, askush nuk mund ta mbajë të burgosur, sepse ka një aktgjykim të plotfuqishëm lirues.

Por, edhe po të kishte elemente të reja akuze, për vepra penale që mund të jenë kryer në Kosovë, Serbia nuk ka të drejtë ta kërkojë ekstradimin, sepse Kosova nuk është Serbi; sepse Franca e ka njohur, ndër të parat, shtetin e pavarur të Kosovës. E, megjithatë, Haradinaj mbahet në paraburgim, derisa Vuçiqi e Nikoliqi ngrenë zërin për drejtësi.

E gjithë kjo ka mundur të evitohej. Zonja Tahiri dhe shefi i saj i përhershëm, që gjithashtu ka fletarrestim ndërkombëtar, por i cili kurrë nuk arrestohet, është dashur ta vinin edhe këtë si kushtin e tretë: të gjitha fletarrestimet e lëshuara nga Serbia (nja 145 thuhet) nëpërmjet Interpolit duhet të tërhiqen menjëherë, dhe se riaktivizimi eventual i tyre (sepse Serbisë nuk i besohet) me automatizëm e ndërpret procesin e negociatave. Por jo, as kjo nuk ka qenë temë boll e rëndësishme për ta qitur në rend dite.

Me rëndësi ka qenë të shkohet në Bruksel e të grumbullohen mëditjet. Se, fundja, rezultati i këtyre negociatave varet nga përvoja 20-vjeçare diplomatike e politike e Tahirit. Shyqyr që nuk i ka 30 vjet përvojë, se Zajednicën e kishte sjellë deri në Vitomiricë.

Dje doli ministri i Jashtëm dhe deklaroi se veprimi i këtillë i Serbisë na bën të mendojmë se duhet ta ndërrojmë qasjen në dialog. Pak si vonë duket të jenë kujtuar, sepse tash janë futur në aq shumë telashe sa nuk e dinë se si do të dalin prej aty. Sepse krejt çka kanë bërë deri tash ka qenë të lëshojnë pe para kërkesave të Serbisë – jemi të vetmit në rajon që kemi dy-tri lloj targash për vetura; jemi të vetmit që dokumentet origjinale të regjistrit civil e të kadastrës i kemi në shtetin tjetër; jemi të vetmit që për të kaluar në Serbi duhet të ngjisim targa prej letre; nuk jemi të vetmit, por me gjasë as që na kujtohet kjo punë, që i kemi një mori artefaktesh muzeore në Serbi; jemi me gjasë ndër të vetmit që na e kanë vjedhur fondin pensional dhe kursimet bankare, që me gjasë askujt nuk i është kujtuar bile ta shtrojë si çështje..., me rëndësi ka qenë Zajednica- OJQ-ja e Thaçit, që do ta sjellë edhe ndarjen e veriut nga Kosova.

Kryesorja, megjithatë, është që Kuvendi të miratojë rezoluta për mure e për mbrojtjen e vlerave të luftës, etj., etj – dhe shteti të dëshmojë se brengoset për presionet e lojërat që na i bën “armiku shekullor”, ani që krejt penalet ua kemi falë vetë.

Badihavxhinjtë ankohen

Sot do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për rastin e Haradinajt. Dhe pos që do të çohen krejt ta akuzojnë njëri-tjetrin, dhe pos që në fund nuk do të bëjnë më shumë sesa ta miratojnë një rezolutë, nuk do të ndodhë asgjë e re derisa të dalë në rend dite projektligji për rritjen e pagave të tyre. Qeveria e Kosovës, nuk e di pse, pos nëse llogaritë se do të ketë së shpejti zgjedhje, përpiqet t’i rehatojë bile përkohësisht badihavxhinjtë më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë në një legjislaturë.

Këta që i kanë rrogat bazë rreth 1500 euro, deri tash i kanë marrë nga 240 euro për pjesëmarrje në plenare dhe nga 120 euro për pjesëmarrje në punën e komisioneve. Shtrohet pyetja pse janë paguar ekstra për mbledhje, kur pjesëmarrja e tyre në mbledhje është puna e tyre e vetme për të cilën e marrin rrogën shuuuumë të madhe. Në vend se këtyre t’iu llogaritet dita e punës në rreth 70 euro dhe për secilën mospjesëmarrje në mbledhje plenare a komisioni t’iu hiqen po aq, këtyre iu falen nga 240 euro, me vetë faktin se nënshkruhen e më pas dalin nga salla për ta prishur kuorumin, për shembull.

Pra, meqë dy mijë e kusurshi në muaj nuk po u dalka boll, tash propozohet që të rriten bonuset edhe për nja 20%, për shkak se deri tash e kanë bërë fet punën.

Por, arsyeja pas këtij projektligji mund të jetë edhe ai tjetri për shërbyesit civilë, i cili thuajse po kontrabandohet me gradimin dhe rritjen e rrogave të atyre që gjithsesi paraqesin hiperinflacionin e të punësuarve në administratën publike. Ama, të cilët në fund janë votuesit më të devotshëm që mund t’i gjejë çfarëdo partie politike. Sepse për ta kaluar ligjin që i privilegjon deputetët edhe më shumë, askush nuk do të ketë arsye ta kundërshtojë ligjin për pagat në shërbimin civil, sepse ai do t’iu shërbejë si alibi. Askush, pos atyre që kanë ndërgjegje dhe e marrin parasysh situatën e një shteti të bankrotuar ekonomikisht që krejt paratë e gatshme i harxhon në “dhuratat” e quajtura autostrada.

Me gjithë këtë varfëri që sa nuk na i ha veshët, të çohesh e t’i rrisësh shpenzimet për ta rehatuar veten mund ta bëjë vetëm dikush që nuk e do këtë vend. E bën dikush që është i bindur se ky shtet nuk ka perspektivë, për shkak se krejt çka ka, ngadalë (apo më shpejt seç pritej) po e humb në një proces negociatash me Serbinë. Me po atë Serbi që dëshmohet më evropiane me trashëgimtarët e fashizmit të saj , sesa ne që edhe ngjyrat e flamurit ia kemi përshtatur Evropës.

* * *

2017-a nisi njësoj sikurse edhe shumë vitet që i kemi lënë pas, nën udhëheqjen e kësaj strukture politike, e cila nuk ka lidhje as çka është shteti e as si duhet ndërtuar ai.

Është bërë adet i Kosovës që ashtu siç ia nis, ashtu ta përfundojë vitin. E këtë që e kemi parë në javën e parë të këtij viti është një ogur jo i mirë. Edhe s’ka sesi bëhet ndryshe me njerëzit e njëjtë në krye: me gënjeshtarët, inatxhinjtë e diletantët, të cilëve u ka rënë luga në mjaltë. Me të “zgjedhurit” e popullit që nuk guxojnë të qarkullojnë nëpër qytet pa përcjellje të afërt policore – sepse e dinë se nuk përcillen pse janë VIP-a, por përcillen për shkak se e dinë se krejt çka bëjnë, e bëjnë mbrapshtë.

Kot e kanë që dalin e lavdërohen sa herë t’iu jepet mundësia. Veprat e tyre përherë ua dëshmojnë të kundërtën. Si te pasqyra e Borëbardhës.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Ballkani shënon kthesë prapa - situata e rrezikshme

Para pikërisht 25 vitesh Kroacia dhe Sllovenia u njohën si shtetet të pavarura nga BE-ja. Në kohën kur ato kremtojnë 25-vjetorin e kë...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Mbi integritetin që s’e kemi

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...