Viti kur vdiq muzika?

7 Janar 2017 - 09:51 - Adriatik Kelmendi      

Me ikjen e katër gjigantëve të muzikës bota më s’do të jetë njësoj, por muzika e tyre do të jetë gjithmonë në botë – për ta bërë atë më të mirë! Ose – muzika vazhdon...

1. TASHMË e kam fare të qartë
Jam ngopur me këta zinxhirë
Jeta është për t’u rrëmbyer
Cili i krisur do t’qëndronte në këtë shpellë të lirë të praruar
S’më kujtohet e vërteta
Por papritmas audienca u bë kaq mizore
Oh, Zot, më fal
Mendoj se kaq e pata

Me këngën “Through” George Michael e kishte përmbyllur studio albumin e tij të fundit “Patience” (2004), kurse me të njëjtën e kishte hapur live albumin e fundit “Symphonica”. Një ndër zërat dhe personalitetet më origjinale të muzikës iku në moshën 53-vjeçare në ditën e Krishtlindjeve, festës së cilës ia kishte kushtuar një ndër këngët më të paharrueshme “Last Christmas”. Ndonëse vetëm me 8 studio albume të publikuara (3 në duetin “Wham!”), Michael ka shitur rreth 100 milionë kopje dhe ka inspiruar qindra këngëtarë të tjerë.

2. NËSE TI JE referi
Më le jashtë loje
Nëse ti je shëruesi
Jam i thyer dhe i lodhur
Nëse jotja është lavdia
Imi duhet të jetë turpi
E ke dashur të errët
Hineni, hineni`
Jam i gatshëm, Zoti im

Kënga nga albumi me të njëjtin titull “You Want It Darker” lëshoi perden e këngëtarit dhe poetit kanadez, Leonard Cohen. 7 nëntori, dita kur i mbylli sytë në moshën 82-vjeçare, dëshmon se ai ndonëse në pritje të vdekjes, nuk deshi të ikën pa na lënë edhe një album të shkëlqyeshëm prapa. Albumi që u lansua vetëm 2 javë para ikjes së tij është i 14-i i tij dhe një ndër më të vlerësuarit nga kritika.

3. NËSE NDONJËHERË ka pasur ndonjëherë
një gjë të tillë si koha, oh loçkë
Është e kotë, e padobishme tash për mua
Gjithçka është në duart tua, çdo gjë
Një ushtri urrejtësish, një nga një
Do ta bëjnë atë që ata duan për secilin
Por detyrë imja derisa ta shoh diellin
Është që ta bëj me ty derisa ta mbërrish – zbulesën

Kështu këndonte Prince në këngën “Revelation” nga albumi i tij publikuar në fund të 2015-s “Hitnrun Phase Two” (në “Hitnrun Phase One” kishte edhe një duet me Rita Orën). Albumi mbyllet me këngën “Big City”, në fund të së cilës ai në mënyrë profetike thërret “kjo është e tëra”, gjë që pasohet me një heshtje prej 49 sekondash. Princi i muzikës funk u nda nga jeta më 21 prill, në moshën 57-vjeçare, pasi që kishte publikuar plot 39 studio albume dhe shumë përmbledhje të tjera.

4. SHIHNI KËTU, jam në qiell
Kam vrragët që s’mund të shihen
Kam dramë, s’mund të vidhet
Të gjithë më njohin tash
Në një mënyrë ose në tjetrën
Ti e di se unë do t’jem i lirë
Njëjtë sikurse ai zogu
Tash a s’më ngjet kjo mua?
Oh, do të jem i lirë
Njëjtë sikurse ai zogu
Oh, do të jem i lirë
Tash a s’më ngjet kjo mua?

“Lazarus” është kënga prezantuese e albumit të fundit i David Bowiet “Blackstar”, të 25-it me radhë, publikuar vetëm dy ditë para vdekjes. Në video shfaqet Bowie i shtrirë në një shtrat spitali dhe me rroba funebre. Bowie vdiq më 10 janar 2016, në moshën 69-vjeçare, pas një beteje me kancerin, mbajtur fshehur nga publiku.

5. VITI 2016 mund të shënohet edhe si viti më i kobshëm për muzikën. Katër nga artistët më të mëdhenj dhe të papërsëritshëm muzikorë gjetën vdekjen gjatë këtij viti.
Siç mund të shihet edhe nga tekstet e këngëve në albumet e tyre, arti i tyre në mënyra të ndryshme, por gjithsesi të mahnitshme, kishte paralajmëruar edhe vdekjet personale – me stil.
George Michael na thoshte “mendoj se kaq e pata” dhe doli të jetë e saktë – ai i mbyllur nga të tjerët dhe i tmerruar nga mizoria e opinionit publik për shkak të orientimit të tij seksual dhe mënyrës së jetesës – nuk publikoi asnjë album me këngë origjinale më.
Më pak se tre muaj më herët, Leonard Cohen iku, por jo pa na lënë edhe një album si suvenir të çmueshëm. Në një moshë kur shumica e artistëve të tjerë muzikorë as që mendojnë për këndimin, ai me baritonin e veçantë dhe tekstin gati religjioz, iu drejtua vetë Zotit - “jam i gatshëm”.
Gati në mes të vitit, krejt befasisht, iku edhe më i madhi i muzikës funk, Prince Rogers Nelson, me referenca këngësh në zbulesën biblike dhe fundit të jetës, duke u kënaqur në seks, aktit që nënkupton edhe fillimin e jetës së re.
Teksa paralajmërimin e një viti të rëndë na e bëri që në janar David Bowie, me një album të mbushur me aludime të ikjes së vet, si në këngën “Lazarus” (sipas Biblës, Jezu Krishti e kthen Lazarin në jetë katër ditë pas vdekjes), ose në atë “Dollar Days”, ku është krejt i drejtpërdrejtë – “po vdes”.
Bota më s’do të jetë njësoj pa ta, por muzika e tyre do të jetë gjithmonë në botë – për ta bërë atë më të mirë!

6. PËR TË QENË edhe ironia njësoj e madhe ashtu edhe si kobi në aspektin muzikor, 2016-a e çoi artin muzikor edhe në një piedestal tjetër. Bob Dylan u bë këngëtari i parë i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsi. Me këtë u dëshmua se njëjtë si tingujt, që janë shërbyer me fjalët deri më tash për të bërë art, iu njoh edhe fjalës së përzier me tingujt statusi më i lartë i shkrimit të bukur – art letërsie.
Me këtë dritare të re, me këtë ndërrim paradigme, secili nga katër artistët e mëdhenj të muzikës, të cilët u shuan më 2016, do të mund të ishin kandidatë seriozë për çmimin e madh letrar.

7. NË TË NJËJTËN kohë, viti 2016 ka sjellë edhe sasi dhe cilësi të madhe të muzikës së re. Si rrallë ndonjë herë tjetër, brenda një viti kanë publikuar albume të reja të shkëlqyeshme shumica e artistëve më të mëdhenj të muzikës bashkëkohore, në të gjitha zhanret, nga Bon Iver te Frank Ocean, nga Nick Cave te PJ Harvey, nga Green Day te Radiohead, nga Weeknd te Bruno Mars, nga Kanye West te Drake, nga Rihanna te Beyonce, nga Alicia Keys te Emily Sande, nga Bon Jovi te Metallica,nga James Blake te Jake Bugg, nga Pet Shop Boys te Red Hot Chili Peppers, nga Kings of Leon te The Last Puppet Shadows, nga Richard Ashcroft te Rick Astley, nga Santana te Mark Knopfler, nga Katie Melua te Norah Jones...
Ose edhe albumin e ri të tashmë artistit më të shitur britanik të të gjitha kohëve, Robbie Williams, i cili me aludim te vdekjet e yjeve muzikore, me kuazisnobizëm cinik këndon:

Mirëmbrëma, fëmijë të braktisur kulturalisht
Po kërkonit një shpëtimtar dhe ja ku më keni
Teksa gjithë më të mirët janë duke vdekur shumë shpejt
Unë ende jam këndej, kënaquni me mua sa ende keni shansin.

!!!

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...