Nata me Hënë të plotë

6 Janar 2017 - 12:51 - Granit Kurti      

Për ëndërrimtarët që i duhen këtij vendi, për ata që fajësojnë Hënën, rrëfimet nga objekti me 13 kate dhe urimi për ditë të bardha

Ka qenë një pyetje përhershme e Nanamadhes, para çdo vendimi a veprimi të rëndësishëm për të e për të tjerët. “Çfarë Hëne është?” Këshillonte që një punë e re, kapitull të ri në jetë, të nisej me Hënë të re: qoftë dasmë, mbjellje, blerje toke e deri te prerja e thonjve. Kur ishte e plotë kërkonte të mos merrej vendim i madh, apo thjesht të mos bëhej rrugë, të mos dilej në det, sepse egërsohet. Ishte diçka midis besëtytnisë dhe vetëngushëllimit në rast rreziku e dështimi… ”Ka qenë Hënë e plotë dhe ndodhi”, thoshte. Më shumë si një ves që të mendohet një grimë para çdo hapi, qoftë edhe duke vështruar Hënën. Se fatin e ke në dorë dhe duhet ta ndjekësh. Nipërve e mbesave u jepte si një argument bindës: “Kan’ thanë të moçmit dhe ata e kan’ ditë mirë”. Më të vegjëlve ua lidhte me ëndrra dhe shpjegimin e bënte disi më përrallor: “Vështroje Hënën, se në gjumë sheh ëndrra të bukura. Nadje ato plotësohen”. Në raste të tilla, s’kishte rëndësi në ishte e plotë, e re, gjysmëhënë, a e vjetër. Mjaftonte të bënte dritë dhe të kthjellonte netët.

Dikush prej tyre do t’i bindej këshillës së saj, të tjerë do të shtireshin sikur i bindeshin, e të tretëve as që u bëhej vonë të ngrinin kryet për të parë se çfarë Hëne është.

“Të moçmit” për Nanamadhen ka qenë si një lloj sinonimi për të mençurit. Zor se mund ta ketë pasur fjalën për Aristotelin, që besonte se truri i njeriut është më i prekshmi nga ndikimet e Hënës, e cila shkakton dallgët. Gjatë mesjetës, edhe në Evropë, me të madhe i besohej “efektit të çmendurisë hënore”, kur perëndesha romake e hënës, Luna, harlisej dhe lunatikët, të çmendurit, ishin pjellë e saj. Në mesjetë kishte disi arsye për shpjegime të tilla. Ishte kohë e errët kur as dielli s’bënte punë. Njeriu për njeriun ishte çakall. Angullima ishte ogurzi dhe njerëzit i dorëzoheshin së keqes.
Dhe historia, përsëritet. Lunatikë, bota e ditëve të sotme ka me bollëk.

Nata e 14 nëntorit të këtij viti ka qenë e asaj që quhet superhënë, kur ky satelit i është afruar më së shumti Tokës që prej 26 janarit të 1948-s. Do të rikthehet më 3 dhjetor të vitit të vjen, e shkencëtarët që merren me këtë punë, parashikojnë se edhe më afër se kurrë, Hëna do të jetë më 25 nëntor të vitit 2034. Sa të çmendur e sa ëndërrimtarë do të ketë deri vitin që vjen. Të dytët, këtij vendi i duhen tash. Aso që vrapojnë pas ëndrrave. Dhe i bëjnë realitet. Kur Hëna të na afrohet si asnjëherë më parë, do të jetë tepër vonë. Edhe ëndërrimtarët kanë kufij. Dikur lodhen.

* * *

Si për ta hedhur poshtë se ky trup qiellor - 384 mijë e 400 kilometra larg nga Toka, ku ka shkelur a s’ka shkelur njeriu, e ka ngulitur a jo flamurin - ka gisht në fatin e njeriut, janë rrëfimet nga objekti me 13 kate, aso që banorët i bën komshinj me zor edhe me ata të objektit përballë, aso që prapë me zor i bind se njashtu si kulmin, kanë edhe fat të përbashkët. Se lehja e qenve është tellall, se korbat ushqehen me ëndrra njerëzish.
Natë e ftohtë me Hënë të plotë.

Ne pesë katet e para ajo s’ia del ta përthyejë dritën. Në pesë të tjerat e ka në dorë intensitetin e ndriçimit edhe brenda apartamenteve, ashtu sikurse në tri katet e fundit ende të papërfunduar.

Kati i parë, apartamenti nr. 4: Një burrë që s’duket fort i lodhur nga puna, në dhomën e ndejës shëtit nëpër kanalet televizive, tek ndalet në atë që shfaq reportazhe nga vende ekzotike, që kurrë s’ka pasur e as do të ketë mundësi t’i vizitojë, pos në ëndrra. Duket indiferent dhe i ngushëlluar në stilin: ”E pati e imja. Kam shëtitur boll në rininë time”. U kthehet kujtimeve sa për ta mbajtur gjallë shpirtin, i dromcon për t’i kursyer ose ua shton pak fantazi kur është tepër i uritur për to. Tash, shtetet fqinje që e lejojnë të hyjë edhe pa pasaportë, i mjaftojnë. Kotet, ani pse ekrani e dërgon në aso qytetesh që nuk flenë kurrë. Pjesën tjetër të udhëtimit e vazhdon në gjumë të capërluar në kolltuk ngjyrë bezhë, më kokën që lëkundët dhe i duhet mbështetja e dorës për ta mbajtur në baraspeshë. Ngrihet pupthi, fshin jargët, fik si me nervozë televizorin sikur ai të jetë fajtori për një dremitje larg asaj që mund të jetë çlodhëse. Dhe nata me Hënë për të mbaron.

Kati i dytë, apartamenti nr. 8: Dhoma e ndejës duket e ftohtë, me mure të bardhë bilur, boja e të cilëve ende nuk është terur mirë. Perdet e kadifenjta e kryejnë mirë punën e ruajtjes të privatësisë, pos në dy pëllëmbë që lejojnë të shihet brenda. Një zonjë duket e papërtueshme teksa çdo 3 a 4 minuta bën sfilatë me gjygym çaji të larë në ngjyrë bakri, që reflekton mbase edhe dritën e Hënës.

Kati i tretë, apartamenti nr. 12: Në mes të dhomës me qilim të kuqërremtë një djalosh rreth 3 vjeç, me lego shumëngjyrëshe ndërton objekte, i lidh me ura, i rrëzon dhe i ngre prapë në formë të ndryshme, por prapë me ura. Pastaj i bën njëngjyrëshe, i vendos paralel si kulla binjake.

Kati i katërt, apartamenti nr. 16: Djaloshi që ende s’i ka rënë brisk fytyrës, sorollatet zbathur nga njëra dhomë në tjetrën, me pantallona të shpërvjela sikur bëhet gati për të kaluar lumin. Përhumbet në dhomën e errët kthyer nga lindja. Numëron nga 33 herë fjalët magjike të cilave nuk ua di kuptimin por beson se janë fjalëkalimi për botën tjetër, atje ku e presin haremet, lumenjtë e mjaltit, qumështit e të verës. Ku të tjerët punojnë për të, i bëjnë edhe fresk dhe s’e pyesin se çfarë ka bërë midis të gjallëve.

Kati i pestë, apartamenti nr. 20: Katër studentë, qiraxhinj. Më trupshkurtri, “viktimë” e treshes që zbraz talljet në hesap të tij. Më kapoja, i qethur shkurt, ia jep kalimthi edhe ndonjë flakaresh sa për t’i shpeshtuar shpërthimet e të qeshurave. Për humor s’kanë as barsoleta.

Kati i gjashtë, nr. 22: Familje katëranëtarëshe. Edhe dy herë më shumë mysafirë. Festë që do të zgjasë deri vonë. Vajza e hijshme, pak e plotë, ende mban veshur fustan të kuq, në bel i thyer me ojna, të zgjedhur për ditën e mbrojtjes së masterit në një universitet privat. Duket ekonomiste edhe për nga mënyra se si i mbush gotat, deri në gjysmë. Edhe mysafirët sikur e përgëzojnë për këtë. Për ta kjo mjafton si shenjë se do të jetë e zonja në profesionin e saj.

Kati i shtatë, nr. 26: Të gjithë flenë. Ka gjasë që secili nga ta të shohë ëndrra të ndryshme, por që harrohen me t’u zgjuar.

Kati i tetë, nr. 30: Televizori i ndezur, e vetmja dritë në dhomë gjysmë të mobiluar, kombinim orendish të vjetra me të reja. Në mure, kopje kryeveprash, pak të dala boje, të kornizuara me plastikë. Personazhet kryesore të këtij ambienti janë ata nëpërmjet ekranit: dy shokë të shndërruar në simbole të njerëzve që guxojnë të ëndërrojnë. Banorët kanë fjetur dhe aparati i televizorit është lënë ndezur për të shpërndarë djajtë e ndonjë hajn të cilin zëri i njeriut mjafton për ta trembur. Është vonë, tepër vonë. Transmetohet direkt një ceremoni nga një kontinent tjetër, i largët nga vendi prej nga vijnë djelmoshat.
Kati i nëntë, nr. 34: Se nata ka përfunduar del të jetë mashtrim. Befas një hije njeriu vërehet në dritaren e ballkonit francez, si lugat i çuar somnabul, dhe perdja merr formën e fytyrës, si mumie. Zhduket, ndez dritën dhe kthehet prapë bashkë me cigaren që e thith fort. Tash janë të dallueshme edhe vijat e fytyrës: një hundë me majë të theksuar, buzët e holla s’arrijnë t’ia mbulojnë krejt dhëmbët që shndrisin edhe nga drita e Hënës. Vështron anash sa mund t’i kapin sytë nga ai kënd. Mbështetet më fort në parmak me trupin në bel e përpjetë zhveshur. Lë përshtypjen e një njeriu pas mëkatimit ose krenar pas një akti a të një torollaku që kot i frikësohet edhe vetes pas një veprimi krejt njerëzor.

Kati i dhjetë, nr. 38: I zbrazët. Tre katet e fundit, ende të papërfunduar.

* * *

Objekti trembëdhjetëkatësh, ende i papërfunduar është si puna e këtij vendi. S’ka asgjë të përbashkët me shtëpinë e Nanamadhes, e cila kishte si një paradigmë të pjekur kaherë që çdo mysafiri që kalon pragun e saj t’i jepte diçka. Qoftë një mollë, tre a katër karamele, një grusht sheqer mbështjellë në pece, lidhur me tojë. Një palë çorape, në raste më të mira. Soj riti të cilin donte ta përcillte edhe te të tjerët. Kur harronte ndihej si në faj. “Duhet me të dhanë diçka”, thoshte dhe ia behte drejt arkës së trashëguar nga nëna e saj. “Është adet”, ia përsëriste edhe vetes kur kthehej. “Asgjë s’marrim me vete andej”. Cipëronte sytë gjithherë kur e thoshte këtë dhe jo vetëm në raste si ky. Se në këtë botë duhet dhënë dhe duhet lënë diçka, nënkuptohej.
Në objektin trembëdhjetëkatësh banorët aty janë aso që kanë hequr dorë prej ëndrrave, që s’kanë fare, që i prishin edhe ato të të tjerëve, apo aso që i shohin syhapur. Pak sosh që diku larg i bëjnë realitet. Dhe të tillë, si dy shokë, rastësishëm në katin e tetë, i duhen këtij vendi.
Gëzuar për një vit kur netët me Hënë të re janë për të ëndërruar!

© KOHA Ditore  

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...