Viti i ri për Evropën nuk mund të jetë më i keq se i vjetri

4 Janar 2017 - 08:46 - Augustin Palokaj      

Britanikët vendosën të largohen nga BE-ja, holandezët nuk duan as marrëveshje tregtare të BE-së me Ukrainën, amerikanët zgjodhën për president njeriun i cili nuk e pëlqen as ekzistimin e BE-së dhe vë në dyshim parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Filloi procesi i ngushtimit të BE-së pas 60 vjetësh zgjerimi dhe integrimi. Të gjitha këto ndodhën në vitin në të cilin terroristët sulmuan edhe në zemër të Evropës, Parisin, Brukselin dhe Berlinin. Viti 2016 pa dyshim do të mbetet si viti më i keq për Evropën dhe të shpresojmë se viti i ri mund të jetë më i mirë.

Ministri i dikurshëm amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, duket se i pari ka përdorur termin “të panjohurat e panjohura!” kur ishte pyetur se cilat mund të jenë sfidat më të mëdha të sigurisë. Ku shumë gjëra mund të parashikohen, por nuk është e mundur të parashikohet gjithçka. Gjithmonë ndodhin shumë të papritura. Në botën moderne mundësia për të njohur dhe parashikuar gjërat është e madhe. Prandaj gjërat që ndodhin shpesh edhe mund të parashikohen. Të panjohurat janë sfida, por më të mëdha janë “të panjohurat e panjohura”. Terrorizmi në vitin 2016 goditi në zemër të Evropës. Në Bruksel pati shpërthim në aeroport, njërin ndër aeroportet më të rëndësishme ndërkombëtare. Vetëm disa minuta më vonë shpërtheu bomba në stacionin e metrosë nën ndërtesat e Komisionit Evropian, vetëm disa metra nga ndërtesat e Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Terrorizmi nuk ishte i panjohur. Nuk ishte as i paparashikueshëm dhe qëmoti ishte thënë se është çështje se kur e jo nëse do të ketë apo jo sulme terroriste në Bruksel. Por këto sulme terroriste nxorën në shesh edhe faktin se sfidat paskan qenë edhe “të panjohurat e panjohura”. Se mund të ndodhë sulmi terrorist në qendër të Evropës nuk ishte diçka e papritur dhe e panjohur. Fundi i fundit Brukseli simbolizon gjithçka që është ferrë në sytë e terroristëve: qendër e BE-së dhe e NATO-s, dy organizatave kryesore që mbrojnë parimet perëndimore, qytet multietnik, multikulturor, qytet i tolerancës, me histori të begatshme perëndimore dhe të krishterë. Por ajo që ishte e panjohur ishte fakti se sulmet do t’i kryejnë terroristët vendas, ata të cilët janë rritur në këtë qytet dhe jetojnë këtu. Nuk ishte e njohur se Brukseli pos që është cak i sulmeve terroriste është edhe çerdhe e terrorizmit dhe xhihadizmit në Evropë. Dihej se mund të ketë elemente të tilla në Bruksel, por jo në atë shkallë. Jo në atë masë saqë të mos ketë pothuajse sulm terrorist diku në Evropë e që ato sulme të mos jenë planifikuar, riorganizuar dhe kryer në Bruksel apo nga personat nga Brukseli. Kështu terrorizmi në vitin 2016 ishte goditja më e rëndë për Evropën, sepse, pos që shkaktoi viktima të mëdha në njerëz të pafajshëm, ai ndryshoi dhe mënyrën e të menduarit dhe sjelljen e njerëzve. Brukseli pas sulmeve nuk është më sikur që ishte para tyre. Tash në kryeqytetin e Evropës është bërë normale të shohësh jo vetëm policë, por edhe ushtarë me armë të gjata nëpër rrugë dhe para ndërtesave, të presësh në radhë para ndonjë qendre tregtare për t’u kontrolluar nga personat e sigurisë para se të hysh të blesh diçka.

Por sikur terrorizmi të mos mjaftonte si e keqe Evropa u përball në vitin 2016 edhe me shumë të këqija tjera. Britanikët me referendum vendosën të largohen nga BE-ja, holandezët nuk duan as marrëveshje tregtare të BE-së me Ukrainën, amerikanët zgjodhën për president Donald Trumpin, njeriun i cili nuk e pëlqen as ekzistimin e BE-së dhe vë në dyshim parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Filloi procesi i ngushtimit të BE-së pas 60 vjetësh zgjerimi dhe integrimi. Të gjitha këto ndodhën në vitin në të cilin terroristët sulmuan edhe në zemër të Evropës, sepse pos Brukselit u sulmuan edhe Parisi, edhe Berlini.

Edhe për Kosovën ishte një vit i dështuar sa u përket lidhjeve me Brukselin. Pos hyrjes formale në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që ishte një gjë e pritur, sepse puna ishte kryer në vitin e mëparshëm, gjithçka tjetër ishte zhgënjim. Nuk u liberalizuan vizat, ndërsa BE-ja nuk kundërshtoi ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës. BE-ja përsëriti se Kosova është vend ku lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni, ku gjithçka që lidhet me përmbushjen e standardeve evropianë është “në fazën fillestare” dhe, si në NATO ashtu edhe në BE, Kosovën e përmendin si vend i cili ka rrezik dhe nga i cili kanoset rreziku i radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosovarët u përballën edhe me realitetin se as nuk e kanë rininë më të zgjuar në Evropë e as ajrin më të pastër. Në fakt për nga të dyja këto kritere është në fund të pusit dhe nuk mund të matet as me shtetet afrikane e lëre më me ato të Evropës.

Viti 2016 pa dyshim do të mbetet si viti më i keq për Evropën dhe të shpresojmë se viti i ri mund të jetë më i mirë. Janë disa gjëra të pritura që do të jenë sfidë për vitin e ri në Evropë. Zgjedhjet në tri vende kyç për Bashkimin Evropian, por edhe për NATO-n. Do të votohet në Francë, Gjermani dhe Holandë. Në Francë dhe Holandë ka rritje të dukshme të partive ekstremiste dhe ato, edhe nëse nuk fitojnë, do të ndikojnë në politikat e këtyre shteteve. Edhe në Gjermani forcat e moderuara të udhëhequra nga kancelarja Merkel janë duke humbur mbështetjen. Nga këto tri palë zgjedhje në tri vende do të varet se kah do të shkojë BE-ja në të ardhëm. Sepse nëse cilido nga ky vend do të ndiqte shembullin e Britanisë së Madhe dhe të vendoste të largohej nga BE-ja, kjo do të thoshte praktikisht fundi i BE-së.

BE-ja në vitin e ri do të shënojë 60 vjetorin e Traktatit të Romës, që në fakt është edhe 60- vjetori i krijimit të Bashkimit Evropian. Me BE-në do të udhëheqë në gjashtëmujorin e parë Malta, shteti me popullsi dhe territor, më i vogli anëtar.

BE-ja dhe NATO-ja do të kenë sfida që tashmë janë të njohura. Por ekziston edhe rreziku nga “të panjohurat e panjohura”. Ndër to pa dyshim është sjellja e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Evropa disi i ngjan Kosovës për nga varësia që ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika Evropës i jep fuqi. Ajo ia ka garantuar sigurinë. Më shumë se 70 për qind të kapaciteteve mbrojtëse të NATO-s janë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vënia në dyshim e obligimeve të SHBA-së për të mbrojtur aleatët evropianë gjithsesi do të inkurajonte edhe agresorët potencialë dhe Evropën do ta bënte edhe më pak të sigurt. Pas një viti të rëndë që Evropa pati, ky vit i ri mund të jetë një rast për një këndellje të saj.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Mbi integritetin që s’e kemi

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së ...

Agron Bajrami

Agron Bajrami

Ra ky dialog e u pamë

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që pë...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...