Kush do ta sjellë Kostandinin

4 Janar 2017 - 16:44 - Brikenda Rexhepi      

Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra, pyje...

Festa e Vitit të Ri është kuptimplotë nëse përpara, bashkë me motet, ecin edhe vlerat. Ato të origjinës. Mësimet e legjendave të të parëve. Atyre që jetën e kanë ilustruar me thjeshtësinë e parimeve njerëzore. Të tilla që sot thuajse nuk i njohim.
Kostandini dikur ka jetuar.

I ka dalë zot një dashurie që ka ngërthyer sakrifica. Ka luftuar me armiqtë më të ashpër. Ka dhënë jetën për ta mbrojtur vendin e vet. Ka mbajtur fjalën. Ka lartësuar nënën dhe motrën. Ai ka bërë atë që sot shihet e pamundur. Është ringjallur për t’iu përgjigjur zotimit. Ka shkrirë në një fuqinë e trupit dhe të shpirtit.

Legjenda e tij është bartur ndër breza. Si një rrëfim rrëqethës, ka bërë pasardhësit e këtyre trojeve të ndiejnë dhimbjen e nënës që ka humbur bijtë; guximin e njeriut që ka kaluar shtatë malet; të ndiejnë ndërgjegjen për fjalën e dhënë.

* * *

Derisa festat e moteve janë shtuar dhe numri ka arritur në 2017, jemi bërë më të largët. Mes vete. Me vendin. Me natyrën. Me shpirtin. Me dashurinë. Me fjalën.

Ka shkuar kjo përtej udhëheqësve të këtij vendi. Atyre në mesin e të cilëve ka kohë që askush nuk e kërkon më Kostandinin. Përtej atyre që kanë mbyllur poret e shtetit e që po ia gjymtojnë tokën. Që plaçkitin të vyeshmit e që kanë shtrembëruar drejtësinë. Atyre që lëndojnë të sëmurët e që kanë shqelmuar dijen. Përtej atyre që tashmë dihet se fjalës nuk i dalin zot as për së gjalli e që shpirtin nuk ka gjë që ua trazon.

Problemi bëhet i padurueshëm kur kjo reflekton te shoqëria; kur e përcjell trendin e besueshmërisë brenda saj. Afro 90 për qind e njerëzve në Kosovë nuk kanë besim te njëri-tjetri. Sociologët e shohin këtë si rezultat i mangësisë së integritetit të individit në raport me të tjerët, i humbjes së ndershmërisë dhe mirëbesimit reciprok; ku synimi shihet si diçka individuale e jo në të mirë të shumicës.
Ne si qytetarë e shohim si një të vërtetë që ka zënë të bëhet e zakontë. Si një mobilizim për të mos pësuar thuajse në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

* * *

Kostandini ka ekzistuar kur shtet nuk ka pasur. Nuk ka pasur politikanë dhe as sociologë. Kur nuk ka pasur shkolla e as spitale, siç i dimë sot. Ka jetuar dhe është ringjallur për t’i dalë zot fjalës së vet, në këto treva ku ne sot po e presim 2017-n.

Ka fisnikëruar nënën e motrën këtu, ku sot pozita e gruas në shoqëri lë shumë për të dëshiruar; ka ndjekur parimet njerëzore në këto treva, ku sot politika i ka përdhosur e “feja” i ka çoroditur ato; është bërë një me natyrën këtu, ku sot njerëzit shkatërrojnë pyjet e lumenjtë; i është kthyer jeta në këto treva, ku sot atë e humb për një grusht parash.

Legjenda e Kostandinit, i cili është ngritur nga varri për ta mbajtur fjalën që ia ka dhënë së ëmës dhe për t’ia dërguar motrën e tij Doruntinën pranë, është promovuar tradicionalisht si tregues që besa përbën thelbin e shqiptarëve. Si fëmijë e kemi dëgjuar e pastaj edhe kemi lexuar për të. Kemi ndier dhimbje për fatet e personazheve dhe, në të njëjtën kohë, mburrje për guximin e përkushtimin e tyre. Të atyre që na është thënë se janë paraardhësit tanë. Të gjakut që kemi edhe ne.

Si shoqëri këtë virtyt e kemi përjetuar më së miri në vitet ‘90, kur thuajse jemi bindur që kur të çlirohemi Kosovën do ta bëjmë një shtet të mirë. Një vend ku solidariteti do të ngrihet në nivel tjetër dhe sakrificës do t’ia dimë si popull e jo si individë.

* * *
Me luftën iku edhe Kostandini. Dhe, derisa kemi festuar motet e çlirimit, pasojat e mungesës së tij janë bërë më të mëdha.
Në fillim, ata që morën punët në dorë nuk mbanin fjalën dhe askush as nuk e mendonte. Pak vjet më vonë sërish nuk mbahej fjala dhe të paktë ishin ata që e shihnin. Me kalimin e viteve e kuptonin më shumë e më shumë, gradualisht dhe në lëkurën e vet. Dikush do ta shiste shpirtin. Dikush do të fliste. Dikush do të ikte. Dikush do të rrinte e të vegjetonte. Një sistem i instaluar ashtu, që i bëri njerëzit të mendojnë se besimit do t’ia shihnin sherrin.

...Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji t'a shkelte e t'a pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë.

Kjo nuk ndodhi veç në legjendën e Kostandinit. Shumë ranë edhe në luftën e Kosovës. Në vitet ‘90. Por zemrën e nënave nuk pati kush ta shëronte. Besa për ta bërë Kosovën ashtu siç e deshën vajzat e bijtë e tyre u shkel e u harrua. Ëndrra e tyre u mbyll në varr, e të gjallëve u zu në gryka të pangopura.

Ky vend nuk ka të ardhme pa Kostandinin dhe atë mund ta rikthejnë veç njerëzit e zakontë – ata që këtë tokë e shohin si të të gjithëve, jo veç të veten.

Kostandini i legjendës nuk qëndroi mbi dhe më shumë se për ta çuar në vend fjalën që ia dha të së ëmës. Nuk lakmoi gjë.

* * *

Kostandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u bë dhè dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri reth e qark zotëroi heshtja e vdekjes.

Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.
- Mëmë hapma derën!

brikenda@koha.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...