2016-shi, viti pas të cilit bota më kurrë nuk do të jetë e njëjtë, vërtet?

31 Dhjetor 2016 - 09:38 - Bodo Weber      

Një vit i ngjarjeve të paparashikueshme politike

Një seri e ngjarjeve madhore e ka shndërruar 2016-shin në një vit vërtet të veçantë, me ngjarjet që drodhën themelet e botës perëndimore: duke nisur nga kriza evropiane e refugjatëve, te vota britanike për Brexit-in, puçi i dështuar ushtarak në Turqi, rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane e deri te sulmi terrorist në Berlin në prag të festës së Krishtlindjes. Dhe derisa politikëbërësit, analistët dhe publiku i gjerë kanë dallime të dukshme në vlerësimet e tyre për kuptimin dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve, ata të gjithë pajtohen në një gjë – se është gjë e mirë që ky vit më në fund po përfundon.

Në të vërtetë, secila prej këtyre ngjarjeve e kanë shënuar në vete, të paktën potencialisht, një pikë kthese politike. Kriza evropiane e refugjatëve nxiti kulmimin e krizës së brendshme dhe strukturore të BE-së kur tentimet drejt bashkimit për veprim të 28 shteteve anëtare dështuan dhe kur receta politike e Unionit kundër krizës – lidershipi reaktiv gjerman i kombinuar me një koalicion të shteteve të vullnetshme anëtare – u përplasën për muri për të parën herë në më shumë se një dekadë. Vota e paparamenduar për Brexit-in e nxori në pah një kombinim të dobësisë kronike të udhëheqjes në mesin e elitave politike dhe ngritjen e populizmit, jo vetëm në Britani, por edhe më gjerë në BE. Vendimi i pashembullt i një shteti të vjetër anëtar për të dalë nga BE-ja, la të kuptohet për herë të parë se ekziston mundësia për një shpërbërje të ardhshme të Unionit.

Në Turqi, spastrimet politike pas puçit të dështuar e vënë shtetin në shtegun që çon drejt diktaturës presidenciale dhe daljes nga orbita politike evropiane dhe perëndimore. Në SHBA, Donald Trump papritmas fitoi zgjedhjet presidenciale falë afrimit populist që refuzonte establishmentin politik dhe i sfidonte faktikisht të gjitha rregullat e shkruara dhe ato të pashkruara të lojës politike. Politikat e tij të ardhshme, të shpallura publikisht, nëse zbatohen, do të nënkuptonin një moment vendimtar për SHBA-në dhe rendin global. Në kuadër të politikave ekonomike dhe tregtare ai paralajmëroi kthimin në sektorin e parregulluar financiar dhe orientimin drejt një politike tregtare të shënuar nga proteksionizmi kombëtar që si synim ka luftimin e forcave të globalizimit. Për sa u përket politikave ndërkombëtare, Trump paralajmëroi tërheqjen në një pozitë izolacioniste të papraktikuar qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Derisa Trump synon të forcojë arsenalin e armëve bërthamore të SHBA-së, ai në të njëjtën kohë dëshiron të arrijë marrëveshje me burrështetas autoritarë si puna e Vladimir Putinit. Kjo gjë do të shënonte një ndryshim të madh prej përkushtimit për aleanca tradicionale dhe lidership amerikan në ruajtjen e rendit liberal botëror, i cili do të çonte drejt një afrimi transaksional ndaj politikave të jashtme dhe të sigurisë dhe një lloj ringjalljeje multipolare të gjeopolitikave të sferës së ndikimit, të kohës së luftës së ftohtë. Me sulmin terrorist në Berlin, dhuna islamike, më në fund, e goditi kryeqytetin e përfaqësuesit të fundit madhor perëndimor që i ruan vlerat liberale përkundër frymës në rritje të populizmit. Incidenti ka ngjallur frikën për zmbrapsjen e liberales nën presionin e dyfishtë të ekstremizmit ndërkombëtar dhe nacionalizmit e racizmit të brendshëm në rritje.

Vala e pesimizmit liberal

Në kombinim, këto ngjarje i dhanë shtysë një vale të pesimizmit liberal në Perëndim dhe përtej.
“Asgjë më nuk do të jetë e njëjtë”, ishte ndjenja që shoqëroi jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Një numër gjithnjë më i madh i analistëve parashikojnë shpërbërjen e BE-së, fundin e ekspansionizmit amerikan dhe atë të rendit liberal që i dha formë botës gjatë 70 vjetëve të fundit. Megjithatë, përtej dorëzimit mazohist karshi këtij pesimizmi liberal, kur shikohet më nga afër e ardhmja e botës më 2017 duket të jetë më pak e qartë dhe më pak e zymtë. Për sa i përket BE-së, me fitoren e befasishme të Francois Fillon në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, Evropa sipas të gjitha gjasave do të kursehet nga të pasurit për president francez LePenin. Zgjedhjet e ardhme në Francë, Holandë dhe Gjermani do t’u sjellin përfitime të reja populistëve, por kjo nuk do të përbëjë një moment vendimtar. Kriza e BE-së prandaj ende ka gjasa që të shkojë në dy drejtime – mund ende të shërbejë si një thirrje për zgjim me qëllim të përafrimit kah reformat vërtet strukturore. Pozita e dobësuar e liderit të Gjermanisë mund megjithatë të mos rezultojë me fundin e lidershipit gjerman, por me krijimin e një stili ndryshe të udhëheqjes, një udhëheqje më integruese, më e orientuar kah dialogu. Për sa i përket vetë Gjermanisë, zgjedhjet e ardhshme parlamentare aty sipas të gjitha gjasave do të rezultojnë me mbijetesën e kancelares Merkel, edhe pse të dobësuar, dhe me një tërheqje vetëm të pjesshme nga pozita liberale, por jo edhe me braktisjen e përgjithshme të parimit të mbrojtjes së vlerave liberale.

Ndërkaq për Brexit-in, liderët britanikë dhe ata të BE-së do të pushojnë së shkëmbyeri fyerje ngase do të fillojnë t’i definojnë marrëdhëniet e tyre të ardhshme. Për Britaninë, ky në të njëjtën kohë do të jetë momenti i kapërcimit prej një populizmi pa kosto drejt një kontrollimi të matur të realitetit. Shtegu i Turqisë duket se do të shpjerë pashmangshëm drejt krijimit të një diktature presidenciale nën Erdoganin, mirëpo realizimi i transformimit autoritar të pushtetit tek AKP-ja njëkohësisht do të kërcënohet nga rrezikimi i prosperitetit ekonomik dhe paqes së brendshme. E për sa i përket Amerikës së Trumpit, ajo që pritet të shihet pas 20 janarit të vitit 2017 është një përplasje serioze ndërmjet një lëvizjeje politike në ardhje të papërvojë, e antiestablishment në njërën anë dhe establishmentit dhe institucioneve të shtetit në anën tjetër.

Lidhur me politikat e ardhshme ndërkombëtare të administratës Trump, çdo synim për të ringjallur një lloj Lufte të Ftohtë të shekullit 21 me ringjalljen e gjeopolitikave do të hasë në telashe qysh në fillim – së pari, për shkak se Trump do të mësojë se autokratët si Putini kanë pak çka për ofruar për politikat e jashtme transaksionale dhe të sigurisë, dhe së dyti, për shkak të dobësisë së qenësishme dhe paaftësisë së këtyre regjimeve autokrate (si në Rusi, Turqi, e madje Kinë) si dhe mungesës së një ideologjie që ata mund t’u ofrojnë satelitëve potencialë në sferën e tyre të ndikimit. Me t’i marrë të gjitha këto bashkë, një periudhë e çorientimit të politikave të jashtme dhe të sigurisë dhe e jostabilitetit duket si skenari më i mundshëm për performancën e administratës së ardhshme Trump.

Për sa u përket politikave të Perëndimit si tërësi, kjo gjë sipas të gjitha gjasave do të nënkuptojë se ne do të shohim një vazhdimësi të politikës ekzistuese profetike, vetëpërmbushëse të dobësimit të rendit liberal – të dobësimit të rendit liberal shkaku i përqendrimit të BE-së dhe SHBA-së në vajtimin e pushtetit global në tkurrje, në vend të trajtimit me seriozitet të krizave të ndryshme të brendshme strukturore. Kjo politikë përfshin mohimin e gjasave për përhapjen e mëtutjeshme globale të demokracisë dhe si rrjedhojë injorimin e interesave të shprehura dhe nevojave për demokratizim të mëtutjeshëm përtej Perëndimit tradicional (në botën arabe, në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor etj.).

Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën?

Kjo gjë në rend të parë do të thotë se ne me shumë gjasë nuk do të shohim ndonjë ndryshim fondamental në rajon gjatë 2017-s. Në anën tjetër, ne njëkohësisht mund po ashtu të mos shohim ndonjë përmirësim të qenësishëm të gjendjes politike në Ballkanin Perëndimor. Politikat e jashtme amerikane padyshim se nuk do të përqendrohen në Evropë, e lëre më në Ballkanin Perëndimor apo në Kosovë. Sidoqoftë, kjo nënkupton se nuk do të ketë ndryshime qenësore nga ajo që tanimë kemi pasur gjatë administratës Obama. Në praktikë, kjo mund të nënkuptojë se Departamenti amerikan i Shtetit do të mbetet i angazhuar në rajon dhe në Kosovë, bazuar më shumë në trashëgiminë e ish-rolit prijës perëndimor të SHBA-së në rajon se sa në ndonjë mbështetje serioze prej kreut të tij. Britania do të mbetet e angazhuar në politikat e zgjerimit dhe në zgjidhjen e konflikteve për statuse të pazgjidhura në Ballkan si një prej shteteve anëtare më proaktive të BE-së, mirëpo me ndikim në venitje – një qëndrim ky vetëm gradualisht por jo edhe fondamentalisht i ndryshëm prej atij të para vendimit për Brexit. Për sa u përket politikave të BE-së karshi Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, politika e zgjerimit do të vazhdojë të jetë e zënë ngushtë, sikurse edhe më parë, ndërmjet preokupimit të tepruar të Unionit me vetveten dhe pranimit në heshtje të kërcënimit potencial të sigurisë që rajoni do të përbëjë për Evropën në rast të shpërbërjes së BE-së apo përfundimit të procesit të zgjerimit. Gjermania do ta ruajë rolin e vet prijës, vetëm për shkak të mungesës së angazhimit serioz të ndonjërit prej shteteve më të fuqishme anëtare.

Dhe çfarë do të thotë kjo për performancën e ardhshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Kosovës?

Sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të nënkuptojë ndonjë ndryshim radikal në orientimin e BE-së për shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë. Megjithëse në Serbi, si dhe në shumicën e pjesëve të banuara me serbë të shteteve të tjera, joshja nga ndjenjat dhe retorika nacionaliste proruse padyshim se do të rritet, siç do të rriten edhe apetitet ruse për përzierje në çështjet lokale, për të luajtur rol ndërhyrës me qëllim të dobësimit të ndikimit të BE-së në rajon dhe për ta destabilizuar Unionin nga periferia.

Sidoqoftë, ajo që nuk do të zhduket është vetëdija në mesin e vendimmarrësve të brendshëm dhe grupeve të tjera të rëndësishme sociale se Rusia nuk ofron një alternativë reale për integrimin në BE.

Megjithatë, do të jetë më e zorshme, si për elitat politike ashtu edhe për forcat sociale proevropiane në Ballkanin Perëndimor, që të argumentojnë në favor të një perspektive evropiane. Kjo, po ashtu, është një situatë aspak më ndryshe prej viteve të fundit, në të cilën mbështetja për BE-në në mesin e qytetarëve të periferisë tanimë ka qenë gradualisht më e lartë se në mesin e qytetarëve të shumë shteteve anëtare.

Sido që të jetë, vetë fakti se orientimi pro-BE i elitave politike në rajon ka qenë më i motivuar nga konformizmi se sa nga bindja e sinqertë, mund ta bëjë më të vështirë mbrojtjen e këtij orientimi politik, tani që BE-ja po bëhet më pak joshëse. Kjo gjë mund të rrisë apetitet e elitave për ta shtyrë BE-në e dobësuar drejt kompromiseve të mëtutjeshme për kushtëzimin e reformës së saj demokratike. Në mënyrë alternative, askush nuk mund ta hedhë poshtë plotësisht mundësinë që ndërgjegjësimi për një Bashkim Evropian në krizë serioze dhe pa një alternativë reale për të ardhmen do të hapë rrugën për kthimin e elitave rajonale politike drejt një shtyse serioze për reforma strukturore.

Në fund, çfarë sinqerisht nënkupton e gjithë kjo për forcat liberale pro-evropiane, pro-perëndimore në shtetet e Ballkanit Perëndimor? Roli i tyre në terrenin e brendshëm do të jetë më i rëndësishëm se kurrë më parë. Mirëpo në të njëjtën kohë do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që zëri i tyre të fillojë të dëgjohet në Perëndim, që t’i bashkohen luftës në mbrojtje të Perëndimit liberal dhe rendit liberal ndërkombëtar, duke argumentuar se me qëllim të mbijetesës së që të dyjave nuk do të nevojitet vetëm kapërcimi i problemeve strukturore të BE-së dhe SHBA-së, por edhe demokratizimi i mëtutjeshëm përtej Perëndimit tradicional.

(Bodo Weber është analist politik në Berlin dhe një anëtar i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC). Analiza është shkruar ekskluzivisht për “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...