#MeHalepin

18 Dhjetor 2016 - 08:03 - Arbana Mjekiqi dhe Nita Lleshi      

Ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë shpëtoi kosovarët nga mizoritë e policisë dhe ushtrisë serbe, më 1999. Ishin bombat e NATO-s ato që ua sollën lirinë. Pse kjo heshtje dhe ky mosveprim për Sirinë?

Një nënë siriane me shikimin e drejtuar nga qielli sikur pret ndihmë nga lart për foshnjën e plagosur që mban në duar. Shkatërrim, pluhur dhe njerëz që vrapojnë në panik shihen kudo përreth saj. Por vetëm mjekë e ndihmë nuk ka askund. Kjo fotografi nga Halepi është rrëqethëse. Për kosovarët, sidomos.

Jo shumë kohë më parë nënat e Kosovës po kalonin nëpër të njëjtat vuajtje. Fotografia e një nëne të re kosovare që i jep gji foshnjës së saj vetëm disaditëshe teksa ik nga bombat dhe plumbat e armëve të forcave serbe, pati tërhequr vëmendjen e botës për krimet që po ndodhnin në Kosovë. Por ishte fotografia e trupave të gjymtuar të fshatarëve kosovarë, përskaj të cilave qëndronte i ashtuquajturi “Engjëlli i kaltër” - diplomati William Walker – ajo e cila zuri vend në ballinat e gazetave vendore dhe ndërkombëtare të kohës dhe i dha botës shtysën për të vepruar. “Ky është krim kundër njerëzimit”, pati thënë diplomati amerikan në Reçak.

Ndonëse i përjeton thellë vuajtjet e sirianëve, Kosova si vend i vogël nuk mund të ketë ndonjë ndikim për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve atje. E tëra që mund të bëjë është solidarizimi – qoftë me tubime simbolike, qoftë me porosi e mesazhe përkrahjeje në rrjetet sociale.

“Shpëtojeni Halepin”. “Lutuni për Halepin”. “Shpëtojini fëmijët”. Këto ishin parullat që një grup të rinjsh të Gjilanit bartën të premten në duart e tyre, në shenjë solidarizimi me popullin sirian. Përdoruesit e rrjeteve sociale në Kosovë, mbushin muret e profileve të tyre me hashtagun #SaveAleppo dhe i shpërndajnë fotografitë që e shpërfaqin ferrin në Halep.

Një solidarizim i tillë, në mënyrë virtuale, nuk ndodh vetëm në Kosovë. Thirrjet për ndërhyrje vijnë nga çdo cep i globit. Sepse lufta në Siri po shpërfaqet para syve të botës si kurrë më parë.

Por tmerri nëpër të cilin po kalon populli sirian duket se nuk po e prek ndërgjegjen e atyre që e kanë fuqinë ta ndryshojnë realitetin në Siri. Indiferenca e tyre është e pakuptueshme jo vetëm për sirianët.

“Përse kjo heshtje? Njerëzit po eliminohen”, pyeste Abdulkafi Alhamdo, një banor i Halepit, në një xhirim të shpërndarë në rrjete sociale. “Ky është mesazhi i fundit. Faleminderit për të gjitha. Kemi ndarë shumë momente bashkë. Është ky një mesazh nga një baba i emocionuar. Lamtumirë #Aleppo”, shtoi ai.

Lutjet për ndihmë u shpeshtuan këtë javë, pasi Halepi, qytet me histori mijëravjeçare ra në duart e forcave të presidentit, prej të cilëve halepasit kërkonin të shpëtoheshin.

****

Brenda një kohe të shkurtër mijëra vjet të historisë u bënë rrafsh me tokën.

Halepi ishte një metropol i lashtë dhe një nga qytetet më të vjetra në botë. Pikërisht këtu thuhet se Ibrahimi kishte kullotur delet e tij, duke ua dhuruar qumështin të varfërve. Aleksandri i madh kishte themeluar një koloni helene. Halepi ishte pjesë e Rrugës së Mëndafshit dhe metropol i madh në shumë perandori që pushtuan dhe sunduan rajonin. Fortesa mesjetare e Halepit, pikë strategjike gjatë kryqëzatave është një prej më të vjetrave dhe më të mëdhave. Madje edhe Shekspiri e përmend Halepin, si tek “Makbethi”, ashtu edhe “Othello”. Viti 2016 e fut Halepin përsëri në histori, kësaj here si simbol të fundit të njerëzisë.

Për Assadin rënia e Halepit paraqet fitoren më të madhe në luftën në Siri. Luftë kjo që tani ka hyrë në vitin e gjashtë dhe që ka lënë gati gjysmë milion të vrarë. Si në këtë qytet, ashtu edhe në tërë Sirinë, miliona njerëz janë detyruar të largohen prej shtëpive të tyre, derisa qindra e mijëra të tjerë kanë kërkuar strehim në Evropë. E kjo gjë ka nxitur një përplasje epike kulturash në kontinent dhe ngritjen e befasishme të politikanëve të së djathtës ekstreme.

Produkti më i shëmtuar i kësaj lufte, “Shteti Islamik”, ia ka futur tmerrin Perëndimit, me sulme të njëpasnjëshme nëpër metropole botërore. Shpresat e të rinjve arabë se “Pranvera Arabe” do t’ua sillte lirinë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore janë shuar nga realiteti i ri, që mori formë pas luftës në Siri. Përpos që e ndërroi raportin e forcave në skenën botërore, kjo luftë e vuri edhe njëherë në pah paaftësinë e Perëndimit për të parandaluar gjenocide.

****

“Kurrë më”, kishte qenë premtimi që u dha pas gjenocidit që ndodhi në Ruandë, më 1994. E njëjta u tha edhe pasi 8.000 burra e djelmosha srebrenicas u masakruan, përpara syve të forcave të OKB-së, në gjenocidin më të madh të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto gjenocide bënë që më 2005 OKB-ja ta miratojë doktrinën e saj “përgjegjësia për të mbrojtur”. “Parandalimi dhe ndalja e gjenocidit është në rend të parë detyrë e shtetit, por bashkësia ndërkombëtare ka një rol dhe nuk bën të bllokohet, shkaku i sovranitetit”, shkruan në të. Kjo nënkupton se kur një shtet dështon që ta mbrojë popullsinë e vet, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vendosur të ndërmarrë aksion të përbashkët për mbrojtjen e civilëve.

“Një rrënim total i njerëzisë po ndodh në Halep”, thanë zyrtarët e OKB-së këtë javë. Por, asnjë nga shtetet nuk ishte i gatshëm ta merrte përsipër “përgjegjësinë për të mbrojtur”.

Bashkimi Evropian, i përçarë në shumë çështje të tjera, duket se gjeti gjuhë të përbashkët kur ishte fjala për ndërtimin e mureve. Rrethoja e kufij u vendosën për të penguar kalimin e valës masive të refugjatëve, të cilët ia kishin mësyrë kontinentit të vjetër. Ndonëse Assadi po vriste popullin e vet me armë nga më të ndryshmet, madje edhe me ato kimike, duke e shkelur “kufirin e tolerancës” amerikane, Parlamenti në Britani votoi kundër çfarëdo aksioni ushtarak.

“Por fajin më të madh e ka SHBA-ja”, është konstatim i të gjitha mediave me peshë në SHBA.

Pas një dhjetëvjeçari të fushatave ushtarake në shtete si Afganistani e Iraku, fushata këto që sollën vetëm kaos dhe dështuan në demokratizimin e këtyre shoqërive, Amerika ishte skeptike që të përfshihej ushtarakisht në Siri. Shkaku i vuajtjeve të mëdha njerëzore, në njërën anë, dhe lodhjes së qytetarëve amerikanë me luftërat jashtë, në anën tjetër, Obama dukej se ishte midis dy zjarresh. Ai fillimisht kërkoi largimin e Assadit me çdo kusht dhe vuri “vijën e kuqe” përtej së cilës do të pasonte ndërhyrja amerikane. “Vija e kuqe” u shkel, por SHBA-ja nuk ndërmori gjë. Politika jokonsekuente dhe pavendosmëria amerikane bënë që ajo të përjashtohej nga marrëveshja e javës së kaluar për Halepin. “E vetmja gjë që po bëjmë janë apelet për ndaljen e bombardimeve, në mënyrë që njerëzve t’u mundësohet largimi”, e pranon një zyrtar i lartë amerikan.

Si rezultat i indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare, bota tani është dëshmitare e skenave të tmerrit në Siri.

Bombat që më 1999 aeroplanët e NATO-s i hodhën nga ajri mbi caqet ushtarake serbe ua mbanin gjallë kosovarëve shpresat për shpëtim. Pas afro katër muajsh përballjeje me vrasje e mizori, ishin bombat ato që u dhanë fund vuajtjeve dhe i kthyen në shtëpi rreth një milion shqiptarë të dëbuar. Bombat ua sollën lirinë. Pse është aq i vështirë shpëtimi i fëmijëve, nënave, pleqve dhe të pafajshmëve të Halepit? Mosveprimin dhe heshtjen për Sirinë s’ka gjë që i arsyeton. #MeHalepin

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...