Fitorja shqiptare e zgjedhjeve në Maqedoni

17 Dhjetor 2016 - 09:15 - Adriatik Kelmendi      

Gruevski e Zaev do të duhej të jenë të gatshëm që për të bërë koalicion me shqiptarët atyre së paku t’ua japin njërën nga pozitat udhëheqëse shtetërore – kryeministrin, presidentin ose kryetarin e Kuvendit. Pastaj të zyrtarizojnë menjëherë gjuhën shqipe, të arrijnë balancën e të punësuarve në administratë publike bazuar në përfaqësimin etnik, të ndryshojnë sistemin zgjedhor, si dhe të rishqyrtojnë rastet e të dënuarve me bazë politike.

NËSE SUBJEKTET POLITIKE shqiptare në Maqedoni kanë garuar në zgjedhje për të ngritur cilësinë e jetesës në këtë republikë; që i bie, nëse kanë garuar edhe për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve shqiptarë atje; që i bie, nëse kanë garuar për të ndërruar mënyrën e tashme të qeverisjes dhe jo kundër njëri-tjetrit, atëherë atyre iu është ofruar një shans ndoshta i papërsëritshëm i artë.

Kurrë më shumë peshë nuk ka pasur vota e deputetëve shqiptarë në parlamentin e ardhshëm të Maqedonisë sesa mund të ketë kësaj radhe.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës, është e vërtetë që zbritën për disa mandate numrin e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Kuvend, por në të njëjtën kohë rritën fuqinë politike të tyre, në qoftë se do ta përdorin me mençuri.

Partia që udhëheq me dorë të hekurt Maqedoninë tash e 12 vjet, VMRO-DPMNE-ja e Nikola Gruevskit, ka dalë e para, por me vetëm 51 deputetë, 10 më pak sesa i duhen për ta formuar shumicën e thjeshtë në kuvendin prej 120 ulëseve.
Njësoj, partia opozitare, e cila – së paku në fushatë - shtyri përpara një vizion gjithëpërfshirës dhe jo të bazuar në etni, LSDM-ja e Zoran Zaevit, ka 49 deputetë, që d.m.th. jo mjaftueshëm për të bërë qeverinë me vetëm një parti politike shqiptare.
Kjo i bën partitë shqiptare që ta kenë pazarin më të madh politik në vend – për ndryshime pozitive.

BDI-ja e ALI AHMETIT ia ka dalë të fitojë 10 mandate deputetësh në parlamentin e ri, gati përgjysmë më pak sesa në të kaluarin. Sidoqoftë, tash për tash, e vetme ka numër të njëjtë deputetësh sesa tri subjektet e tjera shqiptare bashkë, ku Lëvizja Besa ka fituar 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës 3 dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit 2.
Me këtë matematikë, i bie se nëse Gruevski dëshiron të jetë mandatar i qeverisë së re, ashtu edhe siç i takon sipas rezultatit të zgjedhjeve, ai duhet të bëjë koalicion së paku me BDI-në, ose me të tria partitë e tjera shqiptare bashkë.

Kurse nëse VMRO-DPMNE-ja nuk gjen partnerë te shqiptarët, radha i vjen Zaevit, i cili për të arritur shumicën e thjeshtë do të duhej të bënte koalicion së paku me 2 subjekte politike shqiptare.
Logjika e leximit të rezultatit zgjedhor jep të kuptohet se votuesit në Maqedoni kanë votuar për ndryshim. Nëse shihet se kënd e kanë votuar shqiptarët, përfshirë këtu edhe votat që i kanë dhënë për LSDM-në, dhe rënien e numrit të votave për BDI-në, nënkuptohet se shqiptarët duan ndryshim rrënjësor nga kjo formë e qeverisjes.

Nëse konstatohet se maqedonasit në përgjithësi, si dhe shqiptarët në veçanti, nuk kanë jetuar mirë në dhjetë vjetët e fundit, porosia është se nuk durojnë mënyrë të njëjtë qeverisjeje, si ajo e dyshes Gruevski-Ahmeti.
Por, megjithëse partitë e këtyre të dyve ia kanë dalë që sërish të marrin numrin më të madh të votave të qytetarëve, ata duhet ta kenë të qartë se rënia e votave ka qenë ndëshkim nga votuesit. Si të tillë ata, ose do të ndryshojnë në pushtet, ose do të ndryshojnë në opozitë.

Meqë Gruevski pa BDI-në, ose pa shqiptarët e tjerë, nuk do të mundë ta formojë qeverinë, ai edhe do të detyrohet të bëjë koncesione të mëdha ndaj tyre.
Njësoj edhe Zaevi.
Mirëpo kjo mund të ndodhë vetëm nëse shqiptarët paraprakisht arrijnë një konsensus ndërmjet vete për kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që shqiptarët t’i japin votat për qeverinë e re.

DERI MË TASH, fatkeqësisht, subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë bërë garë ndër vete se cila do të jetë paterica e një qeverie të udhëhequr krejtësisht nga partitë maqedonase. Në këtë mënyrë, për shkak të luftës së brendshme të shfrytëzuar mjeshtërisht dhe lehtësisht nga maqedonasit, as që ia kanë arritur t’i avancojnë në masë të drejtat e shqiptarëve, të cilat edhe u takojnë.

Kjo praktikë tash ka gjasa të marrë fund. Nga ky cikël zgjedhor mundësia për të ndërruar rrënjësisht pozitën e shqiptarëve është e servuar në tavolinë.
Partitë shqiptare duhet të gjejnë fuqinë e të arrijnë konsensusin mbi çështjet e padiskutueshme, të cilat duhet të zbatohen menjëherë nga qeveria e re në Shkup.
Gruevski e Zaev do të duhej të jenë të gatshëm që për të bërë koalicion me shqiptarët, atyre së paku t’ua japin njërën nga pozitat udhëheqëse shtetërore – kryeministrin, presidentin ose kryetarin e Kuvendit. Pastaj të zyrtarizojnë menjëherë gjuhën shqipe, të arrijnë balancën e të punësuarve në administratë publike bazuar në përfaqësimin etnik, të ndryshojnë sistemin zgjedhor, si dhe të rishqyrtojnë rastet e të dënuarve me bazë politike.

Nuk ka përse të mos ua plotësojnë këto kërkesa partive shqiptare si Gruevski, ashtu edhe Zaevi, ndryshe do të detyrohen të shkojnë në zgjedhje të reja, të cilat do të sillnin rezultate edhe më të paqarta.
Gruevski e ka jetike që ta ketë edhe një mandat në krye të qeverisë, me frikën se do të mundë të burgoset për dyshimet e aferave të shumta korruptuese që e ngarkojnë.
Zaev ka gjasa që asnjëherë tjetër të mos e përsërisë këtë rezultat zgjedhor.

Çelësi i artë është krejtësisht te partitë shqiptare.
Nëse ato nuk e shohin armikun më shumë te njëra-tjetra dhe nëse çështjen e shqiptarëve e vënë para interesave personale – atëherë vërtet shqiptarët do të jenë fitues të këtyre zgjedhjeve. Dhe jo vetëm të zgjedhjeve.
adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Karta e lirisë

40 vjet pas publikimit të «Charta 77», me të cilën u themelua lëvizja e parë e disidentëve në Evropën Lindore, jo vetëm në Çeki...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Ballkani shënon kthesë prapa - situata e rrezikshme

Para pikërisht 25 vitesh Kroacia dhe Sllovenia u njohën si shtetet të pavarura nga BE-ja. Në kohën kur ato kremtojnë 25-vjetorin e kë...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...