Fitorja e parimeve serbe

21 Nëntor 2016 - 08:54 - Veton Surroi      

Vetëm Kosova merret me letërngjitës, e tërë bota rreth saj merret me ecje përpara

1.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që më 1 janar të vitit 2015 të gjitha kodet e thirrjeve ndërkombëtare që janë përdorur deri më atëherë të barten tek kodi i ri i Kosovës, të cilin do ta japë ITU-ja.

Kështu qenë pajtuar në gusht të vitit 2013 kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Pajtimi i tyre, i përmbledhur në fjalinë e mësipërme, mund të ilustrojë bukur mirë mënyrën se si Serbia po shënon një konsistencë me platformën e vet negociatore duke i ruajtur interesat e veta strategjike, ndërsa Kosova po shënon po ashtu një konsistencë, pa kurrfarë platforme negociatore, duke shënuar dëmtime të interesave strategjike të vendit.

Të marrim një kënd ilustrues të thjeshtë, faktorin kohë. Marrëveshja e Thaçit dhe Daçiqit është prodhuar dy vjet pasi kishte filluar procesi negociues (dialogu teknik) mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht tre vjet pas vendimit të GJND-së (2010) me të cilin pavarësia e Kosovës vlerësohej të ishte brenda së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja u arrit pra pesë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, një akt i nevojshëm mes tjerash edhe për të mos e pyetur Serbinë se a duhet të ketë kod të vetin ndërkombëtar apo jo.

Tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia arriti që vendi të mos e ketë , deri më tani, kodin shtetëror. Këtë e bëri duke ia bllokuar, me diplomaci, përcaktimin për shtetndërtim dhe duke e sjellë shtetndërtimin kosovar në tryezën e negociatave të Brukselit. Serbia kështu ndërtoi një parim të rëndësishëm negociator, atë të bashkësovranitetit. Pra, Serbia duhet të pyetet për çdo çështje që ajo konsideron interes të vetin strategjik në Kosovë.

Dhe, këtë parim nuk e bëri as të fshehtë, e as vetëm në një fushë. Fillimisht e arriti kur kryeministri Thaçi u pajtua me parimin, në prill të vitit 2013, se Serbia kishte hise në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës dhe në këmbim për këtë pranim kryeministri Thaçi dhe Kosova kishin lëvdata në konferencë shtypi- dhe vetëm kaq. Koncesioni i Kosovës, që Serbia të ishte bashkëhisedare nuk mori shpërblim, ashtu si u trumbetua nga qeveritarët dhe mediat e tyre. Kjo në fund qe evidente për qeveritarët edhe me debaklin e anëtarësimit në UNESCO, i cili shërbeu si mostër se si do ta ketë të vështirë Kosova në anëtarësime të tjera, si për shembull Interpoli.

2.

Pra, nëse Serbia nuk ka fshehur që nga fillimi platformën e vet negociatore, nuk ekziston interpretim racional pse duhet fajësuar Serbinë për çfarëdo që të ndodhë në Bruksel. Ajo e mbron interesin e vet strategjik, dhe interesi i saj strategjik është që Kosova të mos ketë kod shtetëror; nëse ka nevojë të ketë kod atëherë do të jetë gjeografik, duke e mbrojtur parimin e sovranitetit të Serbisë dhe duke nxjerrë edhe koncesione të mëtejme, sikur është zgjatja territoriale e Telekomit të Serbisë.

Siç tregon parimi kohë, Serbisë nuk po i ngutet. Ka premtuar se Kosova mund ta ketë kodin më 1 janar 2015, por kjo nuk ndodhi. Dhe vështirë e paramenduar të ndodhë më tutje, pos nëse Kosova pranon të ketë kod gjeografik, nën sovranitetin e Serbisë, duke pranuar njëkohësisht atëherë precedentin për çdo pronë tjetër shtetërore e publike të Kosovës.

Dhe Serbisë nuk i ngutet ekonomikisht e politikisht. Ajo ka kod të vetin dhe nuk humb nga mungesa e tij. Nëse përpjesëtohen shifrat e humbjeve të drejtpërdrejta të Kosovës nga mungesa e kodit prej gati 200 milionë për 17 vjet (humbjet që nuk janë të drejtpërdrejta mund ta ngrenë këtë shifër në një miliard euro, thonë ekspertët), atëherë del se Kosova humb drejtpërdrejt 11.8 milionë euro në vit. Pra, janë humbur minimalisht 94 milionë euro prejse Kuvendi i Kosovës, më 2008, shpalli se nuk do ta pyesë Serbinë për kod të vetin shtetëror. Janë humbur 70.5 milionë prejse GJND-ja ia dha Kosovës të drejtën që të ketë kod shtetëror, 58.8 milionë euro prejse Qeveria Thaçi vendosi që nëpërmjet bisedimeve teknike ta marrë kodin, 35 milionë euro prejse Hashim Thaçi pranoi se kodin e Kosovës mund ta merrte me lejen e Ivica Daçiqit. Dhe, 23.5 milionë euro prej afatit kur Brukseli tha se Kosova duhej ta kishte kodin e vet (pa specifikuar në ishte shtetëror a gjeografik).

3.

Valorizimi i humbjeve që përjeton Kosova është në mënyrë dramatike më i madh sesa ato të shënuara në telekomunikacion.

Subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit është futur në shtratin e ngushtë të negociatave me Serbinë, e ato kanë rënë në nivelin më banal të mundshëm.
Negociatorët kosovarë dhe serbë ishin marrë vesh që më 2011 për atë që quajtën marrëveshje për qarkullim të lirë, me specifikim se çështja e targave automobilistike KS dhe RKS të hynte në fuqi në nëntor të atij viti, pra 2011. Pesë vjet më pas, dhe me raunde të pandërprera disavjeçare negociatash që kishin të bënin me vlefshmërinë e dokumenteve të sigurimit të makinave, u arrit "marrëveshja historike" që targat e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë (në pjesët që simbolizojnë shtetësinë) të mbulohen me letërngjitës.

Në pesë vjetët e kaluar, përderisa Kosova është përpjekur të vrasë mendjen për letërngjitësin me të cilin do të mbulohen targat, e tërë bota përreth saj ka shënuar një hap përpara diku. I vetmi vend që ka mbetur i ngujuar në identitetin e vet ndërkombëtar ka mbetur Kosova me letërngjitëset e saj. Madje ka shënuar regresion: deri në votimin e UNESCO-s ka mbajtur një lloj uzdaje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare falë përkrahjes së 2/3 të vendeve të kësaj bote. Tash nuk e ka as atë uzdajë.

Serbia kështu ka arritur të shënojë sukses me platformën e vet negociatore. Do të merret me "çështje konkrete" deri në pakufi, duke treguar vullnet të mirë gjithnjë nëse nuk preken vijat e veta të kuqe, që kanë të bëjnë me të drejtën që Serbia të vendosë për Kosovën. Të njëjtën "tolerancë" që e ka treguar për të diskutuar pesë vjet rreth një çështjeje që përfundon me letërngjitës, ka mundësi ta tregojë edhe në vitet në vijim. Gjithnjë do të ekzistojë një çështje konkrete që në fund zgjidhet me letërngjitës, apo ngjyrë korrektuese, apo ndonjë formë tjetër inventive.

4.

Por, fitorja e parimeve serbe mund të vazhdojë vetëm nëse Kosova pajtohet me to. Nga të tria palët që marrin pjesë në këtë proces negociator, Brukseli dhe Beogradi nuk do t'i jetojnë pasojat e vendimeve. Të vetmit që do t'i pësojnë këto janë qytetarët e Kosovës.

Rrjedhimisht, përfaqësuesit e Prishtinës mund ta ndërrojnë kahun, dhe të fillojnë t'i avancojnë interesat e qytetarëve të Kosovës.

A është kjo e mundur? A është e mundur që Kosova t'i riadresojë negociatat e Brukselit, të nxjerrë mësim nga pësimet dhe të dalë me platformë të veten? Natyrisht se po.

(Të hënën: Çfarë duhet të jetë Kodi (negociator) i Kosovës)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Mbi integritetin që s’e kemi

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së ...

Agron Bajrami

Agron Bajrami

Ra ky dialog e u pamë

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që pë...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...