Kuaziqeveria si Kuazimodo

7 Nëntor 2016 - 08:59 - Drenusha Zajmi-Hoxha      

Ka disa vjet që edhe Halloween ose Nata e shtrigave e ka humbur kuptimin e vet në Kosovë. Kot gjithë ky arsenal maskash, merimangash e gjymtyrësh të këputura artificiale, që shiten në secilin kënd të shitoreve përkatëse.

Kot edhe këto “organizimet” e përvitshme të supermarketeve, që përbëhen vetëm nga turma njerëzish me fëmijë duke pritur radhën e gjatë para dy vajzave që ua vizatojnë fytyrën fëmijëve, ndërsa prindërit blejnë pa hesap gjëra që do të hidhen të nesërmen.

Aman njerëz, shtrigë e vampir nuk mund të bëhesh me zor. Sidomos kur nuk je pjesë e kësaj qeverie.

Maçorri baksuz

Para veç pak kohësh kishte lezet. Njerëzit maskoheshin e bëheshin tebdil, ashtu që nuk i njihte as nëna e vet. Sa individi fshihej nën një, dy, ose tri maska, nën të cilat nuk mund ta dalloje në ishte bamirës apo b...lëpirës.

Sa interesant ishin edhe ngjarjet nën maska! Sa droga e ari vidhej nga njerëzit që mbanin maska policie. Sa krimineli lirohej nga njerëzit me maska prokurori e gjykatësi. Sa personi punësohej nga njerëzit me maska politikani e deputeti. Sa budallakia shkruhej nga njerëzit me maska gazetari. Sa hajni legale nga institucioni me maskë banke. Sa matrapazllëku nga njerëzit me maska doktorësh, profesorësh e drejtorësh.

Ama kish lezet bre. Halloween gati tërë vitin. Edhe populli kënaqej. Gjithmonë nën maskën e viktimës, të paditurit o të budallait. Hajde de, me rëndësi procesi.

E tash, kohërat ndryshuan. Njerëzit i hoqën maskat dhe po i bëjnë gjërat për ledine, haptas, vetëm përmes fytyrës, herë me disa, herë pa të. Shumë palidhje. Edhe popullit nuk po i duket interesant, bile e lodhshme. Shumë më këndshëm kur e bindnin veten se nuk dihej kush ishte përfundi cilës maskë. Ti ia qet votën për shembull Princeshës, ajo hop, del shtrigë. Tepër intriguese. Ia qet votën Princit, ai hop del Çoban. Ose breshkë e shëmtuar, ose krimb ose parazit. Ia qet votën Kuazimodos, ai del Kuaziministër. Pra shqip, ti ia qet votën Kurrizos së Noterdamit, ai del Pakurrizor. I doli boja lojës.

Të rriturit i hoqën maskat e ua lanë fëmijëve, si argëtim hesapi, që ta heqin frikën nga errësira, fantazmat dhe krijesat e frikshme. Aman, çfarë strategjie e lodhtë. Po këta fëmijë e kanë errësirë diturie çdo ditë, në shkollat ku mungojnë kompjuterë, laboratorë, ujë dhe shpesh edhe tualete. E kanë errësirë në media ku në vend të emisioneve edukative u ofrohen cullakhane e tallava në pikë të ditës.

Ndërsa fantazma e krijesa të frikshme shohin çdo ditë në televizor, sa në Kuvend me tym e flakë, zëra të çjerrë e thirrje për turrë të druve. Sa shohin në lajme, njerëz me kallashë, politikanë me revole e thika, njerëz të vrarë, kafshë të vrara e të therura pavarësisht ligjit që i mbron, fajdexhinj, korrupsion, trafikantë, prostituta. Secili prej këtyre fëmijëve ka dëgjuar së paku pesë herë, se kjo qeveri, këto banka, ky trust pensional, kjo postë, apo këto gjykata, po ua pinë gjakun popullit më zi se kont Drakulla. U bë bajat kjo punë.

Jo bre, fëmijëve tanë u duhet më shumë sesa njëfarë lideri i lagjes- kryemaçorr i zi baksuz, i cili ngërmohet tërë ditën, me surrat të varur dhe i tregon thonjtë sa herë e kritikon dikush. Megjithëse, vërtet, po ta preu rrugën, definitivisht të mbrapshtohet dita.

Ilir apo I- lirë?
Maskat i çjerrën edhe shumë liderë narcisoidë, analistë, banalistë, kanalistë e zhurmaxhinj të tjerë. Dolën ndasira, fyerje, sharje, jo ju andej kështu, jo ne këndej kështu. Jo pse nuk na bëhesh nënë, jo pse na bëhesh vëlla i madh. Jo duhemi bashkuar, jo duhemi ndarë. Jo nuk ju njohim, jo nuk na njihni.

E s’jemi ngushtë kush na njeh e kush jo. Ne e njohim veten fort mirë, nuk kemi nevojë të na njohë kush! E dimë se jemi më të mirët, më të bukurit, më të fuqishmit, më të ndershmit, më trimat, më të mençurit, më të shkathëtit, më oratorët, më të lashtët, më të zgjuarit, bile edhe më potentët. Sa e sa nënat e motrat ia shajmë njëri-tjetrit, do duhej qëndruar tërë ditën në krevat. Veç s’po ka mundësi, se i gjithë populli do të ishim presidentë, kapedanë, gjeneralë e ministra. Është si të thuash me të leme ky gjen iliro -pellazg. Megjithëse, nëse p.sh. fjala “ilir” mund të vijë nga kuptimi “I-lirë” , a thua pse kemi qenë dhe jemi ende vazhdimisht të okupuar? Sigurisht ka kuptim tjetër kjo fjalë. Mbase jemi “të lirë” për të na okupuar lirisht kush të dojë e sa herë të dojë.

Dhe mund të na prekësh kudo pos në patriotizëm. Ah, aty të ha dreqi hiç pa Halloween. Ama mund të na shtypin përditë, të na shkelin dinjitetin, inteligjencën, krenarinë, xhepin, familjen, emrin, gjakun, nuk ka dert. Ama mund të vritemi me njëri-tjetrin për një vend parkimi, vend në kafiteri, një mezhdë, një gjakmarrje e vjetër para një shekulli, fajde, dashnore, dy lekë. Ama mund t’i rrahim e vrasim gratë tona kur të na e rrokë loçka e qejfit dhe të lirohemi pas gjashtë muajve ose të mos përndiqemi kurrë. Ama mund të jemi të akuzuar e të arrestuar, por të endemi lirshëm e të zhvillojmë veprimtari e aktivitete. Ama mund të vrasë vëllai motrën, djali babanë apo xhaxhai mbesën. Ama vërtet akoma e fshehim prezencën e incestit, prostitucionit, trafikimin e fëmijëve dhe krimin e organizuar. Hiç send nuk janë këto për ne. I durojmë si kokë shqiptari pa bërë “xëk” me gojë.

Por bëre e the për shembull se Mitrovica është e ndarë e se iu fal serbëve në mënyrë të organizuar, të mori lumi. Ani pse ajo është e ndarë vërtet. Për syrin iliro-pellazg është e papranueshme. Tutje, po na preke në gjakun kuqezi, jemi shumë agresivë. Menjëherë gjejmë biografi “me gjak shkinash”, me baballarë “spiunë” dhe teori të tjera komploti. Për shqiptarinë e falim shpirtin. Nuk kemi faj që dreqi zakonisht ofron çmim të mirë dhe mashtrohemi si të pasherr që jemi.

Pleqëria e papjekur

E pra, kështu shkon. Si individi ashtu dhe populli. Zakonisht me moshë, njeriu kërkon më shumë qetësi, komoditet dhe urtësi. Por kur një njeri ose popull nuk piqet kurrë, ai vazhdon të kërkojë dreqin në pjatë. Dhe ia servir vetvetes sërish e sërish. Sepse kur njeriu, hajde të themi shqiptari, nuk di më prej nga të prodhojë dramë e skandale më tepër, atëherë fillon e bën budallallëqe. E si bëhet budallallëku, kemi kiametin e mësimeve që na ofrohen duke na bombarduar frontalisht prej qeverisë, mediave e deri te populli paqedashës letargjik.

Kështu që, ndërkohë derisa të lexojmë akoma lajme “ekskluzive” për ndonjë trupulë që ka vendosur gjysmë kilogrami silikon në buzë dhe mollëza, për kreaturat që na shpjegojnë ku dallon striptizi dhe vallëzimi ose shohim ca dembelë me veshje ala pizhama, që qëndrojnë shtrirë në kanapetë e shtrenjta të ndonjë klubi dhe na tregojnë për jetën e tyre të zbrazët, duke e shndërruar në filozofi jetësore, mbase kujtohet dikush dhe fillon e jep lajme që quhen thjesht lajme. Të reja nga shkenca, ligji, ekonomia, astronomia, mjekësia, ngjarjet politike botërore, sporti e ku ta di. Dhe kështu mëson edhe vetë. Gjëra të mërzitshme këto, për rininë tonë që po i shpërlahet truri përditë me lloj-lloj mënyrash, e që po i shndërron në kukulla buzëfryra dhe robotë pa tru.

Dhe nuk është për t’u çuditur pastaj pse je ti ashtu si je, e pse jam unë kështu si jam. Të gjithë jemi pjesë e këtij llumi si shoqëri.

As s’ka rëndësi a je ti shqiptar Shqipërie njësoj si unë, apo jam unë shqiptar Kosove i ngjashëm si ti. E keqja është se ne bashkohemi si brenda, si jashtë, vetëm nëpër fatkeqësi.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...