Sytë kah Amerika

6 Nëntor 2016 - 08:04 - Nita Lleshi & Arbana Mjekiqi      

Po të votonin të gjitha shtetet e botës, garën për presidente të Amerikës do ta fitonte Clinton. Trump do të fitonte vetëm në Rusi. Por në Amerikë, ku çdo votë ka peshë, anketat paralajmërojnë një garë shumë të ngushtë në mes të dy kandidatëve. Shqiptarët, si më proamerikanët në botë, shpresojnë në fitoren e së parapëlqyerës së tyre, Hillary Clinton. Të martën, si e gjithë bota, edhe ata do t’i kenë sytë kah Amerika

Sa herë që ndonjë ngjarje e madhe merr hov në botë, në Kosovë përcillet me batuta, me komente e teori konspiracioni prej më të ndryshmeve.

“Dul Britania prej Evrope, po kris lufta në Turqi, tash veç edhe Trumpi me fitu në Amerikë, edhe vaj halli për ne!” ishte një nga komentet e shumta në rrjetet sociale, pak kohë pasi britanikët zgjodhën divorcin me Bashkimin Evropian. Nëse jo në rrjetet sociale, qëndrimet për ngjarjet e mëdha botërore shqiptarët i shprehin edhe gjatë udhëtimit me autobusët e linjave të trafikut urban të Prishtinës.

“Si qysh o ditë se në zgjedhjet e kaluara në krye të Amerikës ka me ardhë një president me ngjyrë, qashtu është e ditur që kësaj radhe president ka për t’u bërë një grua”, parashikon një plak në të gjashtëdhjetat e vonshme, teksa e komenton Amerikën dhe zgjedhjet presidenciale atje bashkë me mikun e ulur pranë tij në autobus. Jo shumë minuta pas këtij muhabeti, autobusi ndalet në stacionin pranë njërit prej simboleve kryesore që shpërfaq dashurinë e Kosovës për Amerikën. Sikur të donte ta përshëndeste pikërisht këtë plakun hallexhi, “Bill Clintoni” prej bronzi ngre dorën lart dhe u dhuron mirëseardhje të gjithë atyre që hyjnë dhe dalin nga Prishtina.

Rrallë ndodh në botë që t’i ngrihet shtatore një njeriu të gjallë. E ish-presidenti amerikan mund të mburret me të vetën. E ngritur në bulevardin me të njëjtin emër, shtatorja e Bill Clintonit përpos që është simbol i mirënjohjes së thellë për Amerikën, shumë shpesh bëhet subjekt raportimesh të gazetarëve ndërkombëtarë. Nëpërmjet kësaj shtatoreje bota ka mësuar se diku në glob është një shtet i vogël i quajtur Kosovë, që ushqen dashuri të madhe për Amerikën, sikur kjo të ishte gjëja më e çuditshme në botë.

Vizitat e mediave të huaja në këtë bulevard dhe në butikun afër tij “Hillary” sivjet janë shpeshtuar goxha, pasi që ish-Zonja e Parë e Amerikës ia mësyu ta rikthejë familjen Clinton në Shtëpinë e Bardhë.

****

Ama Bill e Hillary Clinton nuk janë amerikanët e vetëm të nderuar nga shqiptarët. Rrugë të shumta në mbarë Kosovën dhe në Shqipëri mbajnë emrat e ish-presidentëve amerikanë. Shëngjini, destinacioni i preferuar i kosovarëve për pushime veriore dikur e kishte emrin Uilson, në nder të ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson. Këtë emër e ka mbajtur nga viti 1924, deri më 1937, kur me vendim të Ahmet Zogut iu rikthye emri i vjetër. Wilsoni tani “i përshëndet” turistët me bustin e tij në shëtitoren e Shëngjinit.

Historiani Arbër Hadri, në librin “Presidenti Vilson dhe çështja shqiptare” flet pikërisht për presidencën e Wilsonit si kohë e fillimit të marrëdhënieve të mira të kombit shqiptar me Amerikën. Wilson ishte ndër burrështetasit e parë që kishte mbështetur krijimin e Shqipërisë shtet. “... Shqipëria duhet të jetë e pavarur”, është citati që zë vend në ballinën e këtij libri.

Tradita e dashamirësisë me Amerikën vazhdon edhe sot. Mbase jo deri në atë masë sa për Kosovën, por edhe për vetë Clintonët lidhja me shqiptarët është e veçantë. “Për mua, për familjen time dhe bashkëvendësit e mi amerikanë, Kosova është më shumë se politikë e jashtme. Është personale”, pati deklaruar Hillary Clinton gjatë vizitës në Prishtinë, më 2012.

Kjo zonjë të martën do të përballet me garën më të rëndësishme të jetës, atë që mund ta fusë në histori si presidentja e parë grua në SHBA. Kundërkandidat i saj është republikani Donald Trump, biznesmeni i patundshmërive që ka vendosur t’i futet politikës, i njohur për organizimin e garave të bukurisë dhe spektakleve televizive, që këtë vit në botë u bë i njohur edhe për deklarata bombastike e skandale të njëpasnjëshme.

Ethet në të cilat ndodhet Kosova janë më se të kuptueshme. I kuptueshëm është edhe interesimi enorm i botës për këto zgjedhje. Presidenti i ardhshëm amerikan do të përballet me një botë thellësisht të trazuar, ku Lindja e Mesme vazhdon të jetë pika më problematike dhe Evropa ende është në hall si me valën e refugjatëve, ashtu edhe me ndjenjën e pasigurisë dhe panikut, shkaktuar nga sulmet terroriste në disa shtete evropiane. Agresioni rus dhe lufta për ndikim ka marrë hov të madh, derisa rishtazi, edhe Ballkani ka nisur që të përmendet si vatër e mundshme krize.

*****

Përderisa Hillary e njeh shumë mirë çështjen e Kosovës, kundërkandidati i saj, Donald Trump, aq sa dihet publikisht, e ka përmendur vetëm një herë. Në vitin 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s. Në një intervistë me Larry King, ndonëse jo në cilësinë e një politikani, Trump e kishte vlerësuar disi si të gabuar fushatën e Aleancës ushtarake.

“Bombat e hedhura prej ajrit ndaj një popullate të vogël kanë shkaktuar aq shumë viktima. Po të pyetesha unë këtë gjë do ta bëja më ndryshe”, ka thënë Trump.

Bash këto bombardime dhe Trumpi ishin bërë pjesë e një tjetër lloj fushate javë më parë, kur javorja serbe, “Nedeljnik”, doli me një titull bombastik për serbët dhe u përball me demante të mëpasshme. Gazeta ka shkruar se Trump gjoja u kishte kërkuar falje serbëve për bombardimet e NATO-s. Interesante ishte se askush nga mediat nuk e mori mundin që ta konfirmonte vërtetësinë e këtyre pohimeve të tij, por këtë u desh ta bënte vetë ekipi i Trumpit. Fundja ai është njeriu që propozon ndërtimin e mureve me Meksikën, deportimin e emigrantëve të paligjshëm dhe u bën thirrje amerikanëve që modelin rus ta marrin si shembull se si duhet të udhëhiqet shteti. Pra, as kjo deklaratë e tij nuk e kishte çuditur askënd.

Kosova e viteve nëntëdhjetë dhe SHBA-ja e 2016-s mund të mos kenë shumë të përbashkëta, por janë thirrjet që i kanë shoqëruar tubimet e kandidatit republikan, “Kill em all” (Vrisni të gjithë) ato që ia rikthyen Kosovës kujtimet e luftës. Janë këto thirrje, si dhe gjuha e urrejtjes dhe përçarjes ato që nxitën frikë kudo në botë. Me krizat e shumta që kanë kapluar botën, një president që synon të udhëheqë politikat botërore, duke nxitur frikë dhe pasiguri, natyrisht se bëhet i papranueshëm për njerëzimin.

Po të vendoste bota, zgjedhja do të ishte e qartë, madje me një diferencë shumë të madhe. Në një anketë të organizatës “Gallup International”, të realizuar në muajin tetor, po të votonin të gjitha shtetet e botës, Trump do të fitonte vetëm në Rusi. Fitorja do t’i takonte Clintonit.

Por në SHBA, në shtetin ku çdo votë ka peshë, anketat paralajmërojnë një garë shumë të ngushtë, pjesërisht si rezultat i pakënaqësisë së madhe amerikane me gjendjen ekonomike. Shumë amerikanë e kanë humbur besimin në Washingtonin, në establishmentin, pjesë e të cilit është edhe vetë Clinton. Ata thjesht duan që t’i ndryshojnë gjërat.

Sidita Kushi, ligjëruese në Universitetin Northwestern, e sheh situatën në këtë mënyrë: “Trump po mobilizon një pjesë të popullsisë amerikane që, nё zgjedhjet e mëparshme, është treguar indiferente – pra këta njerëz rrallë kanë votuar. Tani, kjo pjesë e popullsisë është ngritur kundër sistemit ekzistues të Amerikës”.

Të shumta kanë qenë apelet e intelektualëve, analistëve, e madje edhe vetë anëtarëve të partisë që ka nxjerrë Trumpin kandidat, që në ditën e zgjedhjeve të përcillet mesazhi se Amerika është dhe do të mbetet shembull i demokracisë dhe se gjuha e urrejtjes dhe e përçarjes nuk do të kenë vend në shoqërinë amerikane.

Amerika ndodhet para një sprove të madhe. Kjo si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, apatisë së votuesit, pakënaqësisë me establishmentin, që u shfrytëzua nga një demagog me gjuhë urrejtjeje e qasje raciste. Ironia konsiston në faktin se është pikërisht një miliarder amerikan ai që po përfaqëson amerikanët e varfëruar, të mllefosur me elitën dhe me biznesmenët.

Për njohësin e rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer, gara e ngushtë në anketa reflekton ndasinë e thellë ndërmjet kampeve të demokratëve dhe republikanëve në SHBA. Megjithatë, ai pret se do të fitojë Hillary Clinton. Ashtu siç presin shumica e shqiptarëve si në Amerikë, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri. Mbetet të shihet nëse e marta do t’ua përmbushë pritjet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...