Xhindi i zgjedhjeve

30 Tetor 2016 - 08:03 - Agron Bajrami      

Nëse dalja e vetme nga kazani i dështimeve dhe i mjerimit, ku na kanë futur këta maskarenj të kthyer në politikanë, është duke shpresuar se përmes zgjedhjeve, sado të manipuluara të jenë, do të mundë të imponojmë, qoftë edhe një emër të ndershëm brenda sistemit të korruptuar politik –ia vlen të provohet

Xhindi.

Marrë parasysh se tensionimet politike në vend vetëm shtohen, ndërsa koalicioni qeverisës tashmë e pranon publikisht se në mungesë votash në Kuvend nuk po mund t’i mbyllë çështjet që i ka hapur vetë, nuk është për t’u habitur se edhe partitë në pushtet kanë nisur të flasin për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Ka qenë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ai që e ka nxjerrë xhindin nga shishja, pasi e ka quajtur opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si një mundësi reale për dalje nga kriza politike. Kështu ai edhe e pranoi se vendi është në krizë të rëndë, por edhe u dakordua se zgjedhjet janë rrugëdalja, mbase edhe e vetme e mbetur. Por, edhe ata në Qeveri që ende flasin sikur janë të bindur se do të ketë një mandat të plotë deri në vitin 2018, siç janë kryeministri Isa Mustafa dhe Lidhja e tij Demokratike, në prapavijë kanë hedhur hapat tipikë parazgjedhorë, siç është projektimi i rritjes së madhe të buxhetit apo anëtarësimi i figurave me kapacitet të madh monetar për fushata të shtrenjta zgjedhore.

Sidoqoftë, politikanët kosovarë me mendje të shëndoshë tashme e kanë të qartë se në situatën kur Qeveria nuk i ka dy të tretat e votave në Kuvend për ta kaluar Marrëveshjen e demarkacionit apo transformimin e Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, dhe pasi partneri serb në Qeveri, Lista Serbe, ka dalë hapur në anën e Serbisë dhe kundër Kosovës, mundësitë për të vazhduar mandatin qeverisës deri në vitin 2018 janë të barabarta me - zero.

Faktorët.

Sigurisht, rol të rëndësishëm në këtë “këndellje” të politikanëve lokalë ka luajtur edhe faktori ndërkombëtar i cili, i zhgënjyer skajshmërisht me paaftësinë e krerëve të Qeverisë (si kryeministrin Mustafa ashtu edhe presidentin Thaçi) për të kaluar vendimet e mëdha për më shumë se një vit, tashmë nuk kundërshton shkuarjen në zgjedhje të parakohshme siç e kishin kundërshtuar pak muaj më parë. Apo, siç ua kishte ilustruar një zyrtar ndërkombëtar krerëve të Kosovës, në një takim nga fundi i verës: Demarkacioni duhet të kalojë. Nëse ju nuk mund ta bëni atë gjë, do gjinden të tjerë që mund ta bëjnë.

Njëkohësisht, është edhe një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në ndryshimin e mendjes së diplomatëve me peshë në Prishtinë: Gjykata Speciale. Sinjalet tashmë duken të qarta se mbajtja e zgjedhjeve para ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale do të mund të ishte më pak e dhimbshme se një proces zgjedhor në kohën pasi Qeveria (aktuale) ta ketë dorëzuar në Hagë dikë nga ish luftëtarët e UÇK-së. Një opsion i tillë me gjasë duhet të jetë i preferuar edhe për ato parti që do të mundë të preken drejtpërdrejt nga aktakuzat e Hagës. Sepse, një fushatë zgjedhore e ngarkuar me aktakuza jo vetëm se do të shndërrohej në përplasje kolosale mes “spiunëve të shitur e tradhtarë” dhe “heronjve të viktimizuar”, siç kemi rastin të shohim në moment gjatë debateve të ditëve të fundit, por edhe do të mundë të shkaktonte çarje të mëdha brenda partive që në gjuhën e përditshme i quajmë “të luftës”. Andaj dhe këtyre partive – “të luftës” pra – do t’u konvenonte më shumë mbajtja e zgjedhjeve para Gjykatës Speciale. Që nuk do të thotë se mbajtja e zgjedhjeve pas aktakuzave të Gjykatës Speciale do t’u konvenonte partive të “rezistencës paqësore”. Përkundrazi.

Debati i fundit në Kuvendin e Kosovës pas konfirmimit të dënimit për Grupin e Drenicës ka shërbyer si ilustrim i mirë i minimumit e tensionimit dhe përplasjeve që mund të priten pasi Gjykata Speciale të ketë ngritur aktakuzat e paralajmëruara. Andaj dhe do pritur që në ditët dhe javët që vijnë të rritet ndjeshëm numri i atyre që preferojnë nisjen e diskutimeve për një marrëveshje zgjedhore mes partive politike, në pushtet e opozitë. Nëse për asgjë tjetër, nën presionin e jashtëm që zgjedhjet të mos shndërrohen në referendum rreth vlerave të luftës!

Ristartimi.

Sigurisht, mbajtja e zgjedhjeve pa një reformë kuptimplote është ngjashëm sikur ristartimi i një kompjuteri që ka telashe në funksionim: gjasat që të funksionojë më mirë pas ristartimit janë kurrfare. E megjithatë, kompjuteri do ristartuar, sepse defekti brenda tij e mban të bllokuar dhe nuk e lë të funksionojë fare. Natyrisht, kur flasim për kompjuterë, zgjidhja e problemit është në riparimin e tij, parim ky që në rastin e zgjedhjeve e ka domethënien e reformës së sistemit. Pra, riparimit të pjesëve që nuk lejojnë funksionimin e tërë sistemit. Kështu, një reformë e sistemit zgjedhor dhe legjislacionit të përgjithshëm që do të pamundësonte manipulimin me vullnetin e popullit nga ana e politikës është esenciale që vendi të lëvizë përpara drejt një demokracie funksionale e llogaridhënëse.

Por, problemi qëndron në atë se krerët e politikës nuk e duan reformimin e sistemit zgjedhor. Ata preferojnë një sistem zgjedhor që manipulohet lehtë, siç kemi pasur rastin ta shohim qartë pas zgjedhjeve të vitit 2014. Dëshminë për mungesë të vullnetit të politikës për reforma të plota e kualitative qytetarët e Kosovës i kanë parë në vazhdimësi, që nga viti 2007 e këndej. Dhe, meqë është kështu, është iluzore të pritet që këta politikanë, që nuk kanë dashur ta reformojnë sistemin zgjedhor për gati dhjetë vite, ta bëjnë këtë brenda dy viteve të ardhshme.

Pra, nëse nuk mund ta riparojmë – ta ristartojmë.

Kazani.

Sigurisht. Pyetja që logjikshëm shtrohet tani është: nëse zgjedhjet pa reformë nuk mund ta ndryshojnë mentalitetin e politikës, ndërsa reforma e zgjedhjeve nuk mund të ndodhë, sepse nuk lejon politika, çfarë kuptimi ka mbajtja e zgjedhjeve? Sidomos nëse – siç insistojnë disa dhe e kundërshtojnë disa tjerë – rezultatet zgjedhore nuk do të sjellin ndonjë ndryshim dramatik të numrave partiakë?

Përgjigjja është e thjeshtë: Në këtë kazan në vlim, ku na kanë futur këta maskarenj të kthyer në politikanë, kemi mbetur të ngujuar të gjithë. Qytetarët e rëndomtë paguajnë çmimin e politikës, derisa politikanët gëzojnë beneficionet nga paratë e qytetarëve.

Dhe nëse dalja e vetme nga kazani është duke shpresuar se përmes zgjedhjeve, sado të manipuluara të jenë, do të mund të imponojmë, qoftë edhe një emër të ndershëm brenda sistemit të korruptuar politik - ia vlen. Madje edhe nëse ai emër përfaqëson të keqen më të vogël.

Demokracia...

“Shumë forma të Qeverisjes janë provuar, dhe do të provohen në këtë botë mëkatesh dhe mjerimi. Askush nuk pretendon se demokracia është e përkryer apo e gjithëdijshme. Dhe vërtet, është thënë edhe më parë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç gjithë atyre formave të tjera që tashmë janë provuar kohë pas kohe…” - Winston Churchill

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Karta e lirisë

40 vjet pas publikimit të «Charta 77», me të cilën u themelua lëvizja e parë e disidentëve në Evropën Lindore, jo vetëm në Çeki...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Ballkani shënon kthesë prapa - situata e rrezikshme

Para pikërisht 25 vitesh Kroacia dhe Sllovenia u njohën si shtetet të pavarura nga BE-ja. Në kohën kur ato kremtojnë 25-vjetorin e kë...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...