Rama - lideri që nuk u bë

29 Tetor 2016 - 14:11 - Ilir Ibrahimi      

Minimumi që pritet nga një udhëheqës i Shqipërisë është të flasë dhe të mbrojë interesat e Kosovës

Edi Rama që nga hyrja e tij në politikë është dukur ndryshe, është sjellë ndryshe, flet ndryshe, e shumë edhe kishin shpresuar që do të qeveriste ndryshe.

Si kryebashkiak i Tiranës ende mbahet mend për idenë e tij të ngjyrosjes së ndërtesave të vjetra nga koha e Enverit.
Si kryetar i Partisë Socialiste mbahet mend për qasjen e tij të paskrupullt kundër kundërshtarëve, duke u treguar edhe më makiavelist se vetë autori i Princit.
E si fitues i zgjedhjeve pas fushatës së tij të Rilindjes, shumë kishim pritur që do të sillte një frymë të re edhe në qeverisje të vendit.

Yjet ishin të radhitur të gjithë në favor të tij. Shansi i ishte dhënë për të marrë rolin udhëheqës në zonën e brishtë të Ballkanit. Kjo u pa edhe në takimin e Berlinit, ku Rama dukej të ishte i përkëdheluri i Merkelit.
Por Rama na dëshpëroi që në sfidën e parë.
Pasi kishte bërë një premtim në instancat më të larta të Qeverisë amerikane rreth mbetjeve të armëve kimike, u zmbraps sapo dëgjoi disa zëra protestues në sheshet e Tiranës. Kjo ishte një flakaresh fytyre ndaj SHBA-së, gjë që, siç shihet, ende nuk është harruar në korridoret e vendimmarrjes amerikane, dhe Rama po përpiqet nga anë të ndryshme që të futet sërish në ato dyer të kësaj qeverie, të cilat iu mbyllën nga ky veprim amatoresk.

Nuk shkoi gjatë dhe tregoi edhe një herë qasjen e tij djaloshare në diplomaci, kur në një emision të CNN-së u shpreh hapur kundër njërit nga kandidatët presidencialë republikanë, i cili sot ka shanse të zgjidhet president. Për të dëshmuar se ajo deklaratë nuk ishte vetëm lajthitje e rastit, një deklaratë gati të njëjtë Rama e bëri edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.

Në qeverisjen e vendit të tij Rama dëshpëroi edhe më tepër. Shumë kishin pritur që si një karakter i fortë që njihej, do të mundë t’iu thoshte jo grupeve të ndryshme të interesit, të cilat qeverisin me Shqipërinë për dekada nga prapaskena. Por edhe këtu zhgënjeu shumë nga ata që kishin mbajtur shpresë.

Por nuk mund të thuhet që Rama nuk e ka sensin e një politikani që di të manovrojë me situata. Fatkeqësisht këtë manovrim ai ka zgjedhur ta bëjë në një relacion që me vete sjell shumë rreziqe. Tashmë Rama ka vizituar dy herë Beogradin, në përpjekje, siç thotë ai, “për ta tejkaluar të kaluarën dhe për ta ankoruar pushtetin në të ardhmen”.
Në vizitën e parë Rama tha se ishte nisur duke u quajtur tradhtar, dhe ishte kthyer si hero. E të gjithë mbajmë mend euforinë që kishte ndezur me deklaratën e madhe se Pavarësia e Kosovës ishte e pakthyeshme. Rapsodët pothuajse filluan t’i thurin vargje kësaj trimërie midis Beogradit.

Por një deklaratë të tillë e kanë thënë pothuajse të gjithë politikanët e shteteve që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, gjatë vizitave të tyre në Beograd. E prej një kryeministri të Shqipërisë një deklaratë e tillë është më e pakta që pritet. Por sensi folkloriko-patriotik që ende mbretëron te ne kaloi në trans nga kjo deklaratë.
Rama e di dhe e njeh mirë këtë turbofolk këndej kufirit dhe e shfrytëzoi mjeshtërisht gjatë vizitës së parë në Beograd. Por kjo nuk i eci gjatë vizitës së dytë.

Deklaratat e tij dhe qasja për disa projekte që prekin Kosovën, tashmë një shtet të njohur nga shumica e shteteve të botës, ngrenë shumë kontradikta duke sjellë edhe një reagim nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, reagim i cili mendoj se është më i maturi që e ka bërë ky ministër ndonjëherë.

Kjo vizitë u bë në një kohë kur tashmë kishte filluar një debat i nxehtë rreth bashkimit kombëtar, kombit kosovar, futbollit kosovar e shumë gjërave që ka filluar t’i ndërtojë shteti i ri i Kosovës.
Vështirë të paragjykohet nëse Rama ka bërë ndonjërën nga këto deklarata me qëllim, sidomos duke pasur parasysh rrethanat e debatit që mbretëronin atë ditë, por nuk ka asnjë dyshim se nuk i ndihmoi atij debati.

E theksoj edhe një herë se minimumi që pritet nga një udhëheqës i Shqipërisë është të flasë dhe të mbrojë interesat e Kosovës. Këtë jo vetëm që e ka për detyrë, por e ka edhe një lloj borxhi që ia kanë faturuar paraardhësit e tij në udhëheqje të Shqipërisë.
E ajo që gjithashtu pritet dhe do të duhej të ishte e vetëkuptueshme, është që Rama do të duhej të ishte kontribuuesi më i madh jashtë kufijve të Kosovës për fuqizimin sa më të shpejtë të shtetësisë së shtetit të Kosovës.
Sepse vetëm një Kosovë e fuqishme do të mundësonte edhe realizimin e një bashkimi të mundshëm ndërmjet dy vendeve. Nëse nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, atëherë duhet të përpiqet që të paktën të mos e pengojë këtë fuqizim.

Turbofolklorizmi që tashmë ka filluar të zbehet në Kosovë nuk është se do të mundë ta mbajë lart reputacionin e Ramës politikan. Nuk do të mundë as t’ia risjellë edhe një herë atë shans të humbur për t’u bërë lider i rajonit. Një amatorizëm politik në relacion me Serbinë do ta dërgojë Ramën në histori jo vetëm si një lider që nuk u bë, por edhe si një politikan që na vështirësoi të bëhemi.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami

Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ...

Valbona Mehmeti

Valbona Mehmeti

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një ...

Adriatik  Kelmendi

Adriatik Kelmendi

Ju lutem, mos i vrisni serbët, tha Vuçiq...

...edhe pse ka më shumë se 10 vjet, sigurisht, që në Kosovë nuk ka pasur ndonjë vrasje me motive etnike. Për çfarë vrasjesh e ka ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...