Pushteti i drogës

9 Tetor 2016 - 08:05 - Valbona Mehmeti      

Me qeveritarë të dalldisur nga “droga” e pushtetit, vështirë të kemi strategji dhe politika që do t’i shkëpusnin të rinjtë nga pushteti i drogës dhe t’u krijonin mundësi t’i kthenin ëndrrat në realitet

“Kurrë mos u jep fëmijëve shumë para nëpër duar dhe kërkoju llogari se si e shpenzojnë çdo cent”, më këshillonte një mik para disa vitesh. Miku më fliste nga përvoja e hidhur me fëmijën e tij, i cili kishte rënë në kthetrat e substancave narkotike dhe e kishte kthyer në ferr jetën e vet dhe të familjes.

Kontrolli mbi shpenzimin e parasë mund të jetë vetëm një formë e mbrojtjes së të rinjve nga rënia në kontakt me substanca narkotike. Një nënë rrëfente në media për mënyrën se si fëmija i saj i moshës 14-vjeçare kishte nisur rrugën e drogës. Ai dhe tre-katër shokë i bënin bashkë të hollat e xhepit për të blerë një cigare marihuanë që ta tymosnin me radhë. Por kureshtja nuk kishte përfunduar me kaq. Dëshira për të provuar edhe drogat e tjera më të rënda e kishte sjellë djalin e saj në gjendje varësie dhe agresiviteti sa vetë nëna ishte detyruar t’ia dorëzojë policisë, sepse nuk kishte as forcë as mundësi ta nxirrte nga kurthi i drogës.

Mijëra familje kosovare kalojnë nëpër peripeci të tmerrshme të përballjes dhe menaxhimit të situatave me familjarë narkomanë.

Si trend global, përdorimi i drogave ka qenë gjithmonë i pranishëm në Kosovë. Edhe para luftës, territori i Kosovës ka shërbyer si rrugë transit e trafikimit të drogës nga Azia për në Evropë. Por hovi i përdorimit të drogës, si edhe shumë dukuri të këqija, Kosovën e mbërtheu në vitet e pasluftës. Një dorë të mirë “ndihme” ia ka dhënë edhe Shqipëria, me hapjen e tregtimit nga Lazarati.

Sado që zyrtarët e institucioneve përgjegjëse për luftimin e drogës nuk e konsiderojnë gjendje alarmante, trendi i rritjes së përdorimit të drogave nga të miturit në Kosovë ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Përderisa para disa vjetësh niveli i moshës së përdoruesve të drogave sillej në 20 vjeç, statistikat tregojnë se në 2015 niveli ka rënë në 16 vjeç. Në rastet ekstreme edhe në 12.

Me kaq shumë probleme të grumbulluara në Kosovë nuk çudit fakti që të rinjtë kosovarë duan të ikin nga realiteti, duke i krijuar vetes qoftë për disa orë ndjesinë e deliriumit apo gjendjen “High” (nga anglishtja, lart), siç e shpjegohet me gjuhën e narkomanisë.

Janë shumë faktorë që i shtyjnë të rinjtë tanë ta fusin vetëdijen e tyre “tuneleve të errëta” të drogës.

Në radhë të parë, kjo rini në mënyrë të pavetëdijshme po i “ripërjeton” traumat e luftës dhe ankthet e patrajtuara të prindërve të tyre. Dhe jo vetëm këto. Ata çdo ditë përballen me përpjekjet gjigante të prindërve për mbijetesë në një vend ku papunësia prek pothuajse gjysmën e popullatës.

Duke iu nënshtruar për pesëmbëdhjetë vjet një sistemi arsimor që e ka kthyer në eksperiment edukimin e nxënësve, rinia po humb çdo motiv për të ecur në hap me shkencën, artin e kulturën.

Asnjë qeveri e pasluftës nuk u angazhua seriozisht t’i ofrojë brezit të ri arsimim, aktivitete kulturore e argëtuese, hapësira rekreacioni ku do ta zbrazte energjinë rinore.

Revolta e rinisë shtohet edhe më shumë kur ajo e di se as kryerja e shkollimit të lartë në këtë sistem, kështu si është i kalbur deri në themel, nuk u mundëson atyre një vend të sigurt pune. Sepse nepotizmi dhe korrupsioni janë bërë imperativ i shoqërisë kosovare.

Pasojat e zhgënjimeve të rinjtë natyrisht se nuk i shprehin me fjalë. Ata duan veprime për të dalë nga situata.

Dhe kur nuk shohin shpresë dhe kur shteti nuk u ofron ndonjë zgjidhje dhe perspektivë, ata e kërkojnë zgjidhjen diku tjetër. Sfidojnë veten dhe familjen, qoftë duke u futur rrugëve kriminale, qoftë rrugëve të shtypjes së dëshirave me fuqinë e drogës. Sepse droga u ofrohet te hundët.

Qasja te drogat në Kosovë është aq e lehtë sa mund të blihet edhe në kioska.

Dyqanxhinjtë e dyqaneve të vogla tregojnë se u shesin të rinjve me dhjetëra letra cigareje në ditë të cilat i përdorin për të mbështjellë marihuanën. Kjo lloj droge që konsiderohet si e lehtë, sipas të dhënave të policisë dhe të organizatave joqeveritare konsumohet më së shumti.

Pikërisht qasja e lehtë te drogat, për mjekët, psikologët dhe ata që merren me trajtimin e narkomanëve paraqet problemin më të madh. Ky, sipas tyre, është një ndër faktorët e rëndësishëm në shtimin e përdoruesve.

Dështimi i Policisë, i prokurorive dhe i gjykatave për të kapur dhe ndëshkuar trafikantët e substancave narkotike është ndër faktorët vendimtarë për të zvogëluar ofertën e drogës për të rinjtë.

Për të parandaluar përhapjen edhe më të madhe të narkomanisë nuk mjafton vetëm edukimi familjar, por edhe vetëdijesimi qysh në moshë të hershme i fëmijëve nëpër shkolla për rreziqet që sjell konsumimi i drogës. E fushatat e vetëdijesimit nëpër shkolla janë të rralla dhe jopërmbajtjesore. Edukimi mbi drogën do të ishte mirë ndoshta të futej si lëndë e obligueshme në shkolla.

Sikur në shumë angazhime të tjera në luftimin e dukurive negative të shoqërisë, edhe angazhimi institucional, por edhe i organizatave joqeveritare më shumë i ngjan një improvizimi.

Ndonëse nuk ka shifra të sakta, supozohet se në Kosovë aktualisht janë rreth 30 mijë përdorues të herëpashershëm të drogës, dhe rreth 5 mijë përdorues të varur. Ata u takojnë të gjitha shtresave të shoqërisë. Sipas të dhënave nga qendrat e rehabilitimit, ka përdorues që kanë në duar pa kontroll para, por edhe aso që nuk kanë as bukë për të ngrënë.

Përderisa nuk nis një luftë më efikase kundër drogës nga institucionet përgjegjëse të shtetit dhe shoqëria civile, qoftë me luftë të pakompromis kundër trafikantëve qoftë me fushata të mirëfillta vetëdijesimi, rinia kosovare do të vazhdojë të preferojë t’i shmanget realitetit, duke u zhytur në botën e drogave. Kjo gjendje përkohësisht mund të duket perfekt, por pasojat e saj janë të rënda dhe afatgjata për shoqërinë.

Me qeveritarë të dalldisur nga “droga” e pushtetit, vështirë të kemi strategji dhe politika që do t’i shkëpusnin të rinjtë nga pushteti i drogës dhe t’u krijonin mundësi t’i kthenin ëndrrat në realitet.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Mbi integritetin që s’e kemi

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së ...

Agron Bajrami

Agron Bajrami

Ra ky dialog e u pamë

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që pë...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...