Përtej konsensusit

2 Tetor 2016 - 08:06 - Agron Bajrami      

Me gjithë rrëfimet mitike për bashkimin që bën fuqinë dhe shtatë thuprat që nuk thyhen, duket qartë se një unifikim politik është mision pothuaj i pamundur sot, në situatën në të cilën gjendemi dhe shoqëria tashmë duhet të përballet me realitetin e jetës në krizë permanente

I

Konsensusi.

Në latinisht consensus, sipas Fjalorit të fjalëve të huaja, botimi i vitit 1988, i Institutit Albanologjik të Kosovës, ka domethënien: marrëveshje, ujdi ndërmjet dy a më shumë palëve për një çështje me detyrime reciproke.

Në fjalorin Merriam-Webster, definicioni i konsensusit është: një pajtim i përgjithshëm rreth një gjëje, një ide apo opinion që ndahet nga të gjithë njerëzit në një grup.

Në politikë, prej kohësh konsensus është procesi i vendimmarrjes, përmes të cilit të gjithë pjesëmarrësit në vendimmarrje pajtohen dhe përkrahin vendimin që konsiderohet të jetë në interesin më të mirë të të gjithë grupit.

Historikisht, konsensusi në politikë është kërkuar si formë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për probleme a çështje të ndjeshme. Sigurisht, në raste të caktuara, konsensusi ka mundur të mos jetë i plotë – pra, që vendimi apo zgjidhja të mos jenë të pranueshme për të gjitha palët e interesuara. Por, minimumi i domosdoshëm që një marrëveshje të mundë të jetë funksionale është kur ajo përkrahet nga palët me fuqi për të penguar zbatimin e saj.

Nëse këtë e përkthejmë në kontekstin e sotëm kosovar, marrëveshja konsensuale funksionale do të mundë të konsiderohet ajo që arrihet dhe përkrahet nga pesë partitë më të mëdha politike shqiptare në Kosovë, dy në pushtet dhe tri në opozitë.

II

Një elaborim i këtillë na sjell para dy konkludimeve imediate.

I pari është se shumica prej dy të tretash në Kuvend nuk mjafton. Tutje, kjo nënkupton se konsensusi nuk do kërkuar përmes instrumenteve parlamentare, por përmes ndërtimit të një formati të ri, ngjashëm me ato që Kosova ka aplikuar më parë – si G-15 për negociatat në Rambouillet apo Ekipi i Unitetit për negociatat në Vjenë.

Dhe, konkludimi i dytë, që rrjedh nga ky elaborim, është se konsensusi nënkupton nisjen e procesit të kërkimit të një zgjidhjeje të re për problemet aktuale (demarkacioni, Asociacioni i Komunave serbe, dialogut me Serbinë) dhe jo kërkimin e pajtimit rreth marrëveshjeve/vendimeve që tashmë janë marrë pa konsensus.

Praktikisht kjo do të thotë se koalicioni qeveritar duhet të heqë dorë nga marrëveshjet e arritura për demarkacionin dhe asociacionin, dhe të kërkojë konsensusin për marrëveshje të reja.

III

Me gjithë rrëfimet mitike për bashkimin që bën fuqinë dhe shtatë thuprat që nuk thyhen (me të cilat jemi rritur si shumë prej nesh ashtu edhe përfaqësuesit politikë që bartin përgjegjësinë sot), duket qartë se një unifikim politik është mision pothuaj i pamundur sot, në situatën në të cilën gjendemi.

Së pari, për shkak se në fjalorin politik të Kosovës kërkimi i konsensusit ka fituar të njëjtën peshë sa edhe parullat zgjedhore për punësime masive, luftim të korrupsionit dhe zhvillim të shpejtë ekonomik.

Në më shumë se tetë vitet që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova ka kaluar disa momente kritike, të cilat kanë mundur të shmangen, apo të tejkalohen më lehtë dhe me sukses, nëse konsensusi do të ishte kërkuar me kohë dhe sinqeritet. Kështu është e qartë për secilin se mënyra hipokrite me të cilën qeveritarët kërkojnë konsensus pasi që kanë marrë vendimet është një manipulim që nuk çon në zgjidhje të problemeve, por vetëm në thellimin e tyre.

Sigurisht, konsensusi nuk është se duhet shtruar si kërkesë vetëm nga ana e pushtetit, dhe në këtë pikë rol të madh është dashur të ketë edhe opozita, nga e cila publiku nuk pret vetëm kundërshtim të proceseve dhe vendimeve, por edhe ofrim të solucioneve konsensuale, gjë që nuk ka qenë rasti në vazhdimësi.

Sidoqoftë, edhe pse përmendet shpesh fjala “konsensus” në politikën kosovare është boshe, apo, edhe më keq, ka marrë një kuptim krejt tjetër prej atij burimor: nënshtrim ndaj diktatit të pushtetit.

IV

Megjithatë, gjërat po ndryshojnë paksa.

Sot, situata është e rëndë jo vetëm për shkak se nuk ka konsensus të gjerë politik në relacionin pozitë-opozitë, por, para së gjithash, se nuk ka konsensus as brenda forcave qeverisëse. Koalicioni në pushtet nuk i ka votat për të kaluar vendimet që ka marrë, dhe kërkimi i konsensusit tani vjen më shumë si pasojë e kësaj.

Në anën tjetër, konsensusi mungon edhe tek opozita që deri para disa muajsh ishte e bashkuar, dhe ky zhvillim, bashkë me dallimet brenda koalicionit qeverisës duket të jenë arsyeja e vërtetë pse konflikti politik nuk është i dhunshëm aq sa ishte muaj më parë.

Kuvendi tashmë është i bllokuar jo nga gazi lotsjellës opozitar, por nga mungesa e votave të shumicës parlamentare.

Sa mund të vazhdojë kjo situatë, mbetet të shihet. Por, e qartë është që tani se në prapavijë duket sikur kërkohet një konsensus i ri politik për Kosovën, brenda dhe jashtë saj. Kësaj radhe jo për të ratifikuar demarkacionin apo për të themeluar Asociacionin, por për të shkuar në zgjedhje të reja të përgjithshme.

V

E gjithë kjo na sjell para disa konkludimeve tjera.

Së pari, konsensusi do të mundë të arrihet vetëm pas zgjedhjeve, kurdo që ato të mbahen. Sigurisht, nuk ka kurrfarë garancish se kjo do të jetë e mundshme as atëherë, duke marrë parasysh natyrën e konflikteve politike në Kosovë, ku rivalitetet janë personalizuar deri në masë urrejtjeje, ndërsa interesi individual i njerëzve në majë të piramidës së pushtetit dhe të fuqisë vazhdimisht qëndron mbi interesin e përbashkët të shtetit dhe të shoqërisë.

Së dyti, shoqëria kosovare, e cila në fund të fundit është viktima kryesore dhe më e madhja e politikës jokonsensuale, tashmë duhet të përballet me realitetin e jetës në krizë permanente politike e shoqërore.

Sepse, mungesa e konsensusit nuk është aksidentale. Është politikë e paramenduar e njerëzve që nuk çajnë kokën për vendin.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Karta e lirisë

40 vjet pas publikimit të «Charta 77», me të cilën u themelua lëvizja e parë e disidentëve në Evropën Lindore, jo vetëm në Çeki...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Ballkani shënon kthesë prapa - situata e rrezikshme

Para pikërisht 25 vitesh Kroacia dhe Sllovenia u njohën si shtetet të pavarura nga BE-ja. Në kohën kur ato kremtojnë 25-vjetorin e kë...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...