“Pronto 2”, zile për Prokurorinë

11 Shtator 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti      

Ndreqja e imazhit dhe e depolitizimit të Prokurorisë nuk është detyrë e mediave apo e qytetarëve. Është detyrë e vet Prokurorisë. Me raportime të keqpërdorimeve dhe të hajnive të zyrtarëve shtetërorë, mediat po u ofrojnë prokurorëve dëshmi për të vepruar, e jo për të bërë spektakle. “Pronto 2” është zilja e radhës, si thirrje për veprim

Adrian B. është sulmuar mesnatën e 25 gushtit 2016 nga dy persona në qendër të qytetit, disa metra larg Stacionit të Policisë në Prishtinë. Ai është goditur me grushte e shqelma, ndërsa një shishe xhami i është thyer për koke. Si pasojë i është dashur t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik. Adriani vuan nga një sëmundje e rëndë. Sulmi ia ka keqësuar edhe më shumë gjendjen.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore po atë natë ai e ka denoncuar rastin në polici. Njërin nga sulmuesit e ka njohur, por tjetrin jo. Ia ka lënë hetuesit kujdestar emrin e mbiemrin dhe numrin e telefonit të sulmuesit, me të cilin ka thënë se nuk ka pasur asnjë lloj konflikti vetëm se e ka njohur si një kapadai që frekuenton klubin ku Adriani punon si muziktar. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nuk ka mundur të shpjegojë rastin në detaje dhe hetuesi i ka thënë që të paraqitet në mëngjes. Ka shkuar në mëngjes dhe e ka dhënë deklaratën e dytë.

Kanë kaluar disa ditë, por askush nga policia nuk i është paraqitur. Sulmuesi ka vazhduar të lëvizë i lirë. Adriani është detyruar të angazhojë një avokat që të interesohet për rastin. Kur avokati ka kërkuar deklaratën e dytë të viktimës dhënë policisë me shënimet për sulmuesin, në hetuesi i kanë thënë se nuk ekziston. Pas këmbënguljes së vazhdueshme të avokatit në një sirtar të policisë është “shfaqur befas” deklarata e Adrianit.

Shtatë ditë pas sulmit, madje me insistimin e avokatit, lënda e tij është dorëzuar në prokurori. Sulmuesi as që është marrë në pyetje, e lëre më arrestuar. Ai shëtitet i lirë, sepse është djali i një biznesmeni të njohur prishtinas, ndërsa një i afërm i tij punon hetues në Polici.

***
Përgjimet e para të komunikimit nëpërmjet telefonit të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, që edhe atëherë ishte në pushtet, u publikuan në vitin 2012. Patën bërë bujë në opinion, sepse ishte hera e parë që qytetarët e dëgjonin nivelin e ulët të komunikimit të zyrtarëve shtetërorë. Për disa ditë populli qe “argëtuar” me sharjet, fyerjet e humorin banal të njerëzve, të cilëve ua kishte dhënë votën për të udhëhequr shtetin.

Atëherë përflitej se përgjimet u publikuan nga oponentët politikë, jo aq për t’i inkriminuar penalisht zyrtarët e PDK-së, sa për t’i diskredituar moralisht.

Përveç sharjeve në “Pronto 1” pati edhe kërkesa për “rahatime” të të afërmve nëpër poste publike, që dëshmonin për kontrollin që kishin mbi punësimet zyrtarët e PDK-së. “Nuk ma rahatove një dajë…”, i thoshte Adem Grabovci kryeministrit Hashim Thaçi. “Daja” tashmë është rehatuar. Udhëheqë institucionin kryesor shëndetësor në vend (QKUK), gjendja e të cilit ka qenë dhe vazhdon të mbetet e mjerueshme edhe me “dajën” në krye.

Pesë vjet më pas dolën incizime të reja të përgjimeve. Veç banalitetit ekstrem gjuhësor, në to u shpërfaq edhe ndërhyrja e shefit të shefave, Adem Grabovci, në emërimin e njerëzve të partisë dhe të të afërmeve nëpër borde të institucioneve publike, veprim që sipas ligjit përbën vepër penale të ushtrimit të ndikimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë qenë në dijeni për përgjimet e zyrtarëve shtetërorë, sepse ata i kanë kryer hetimet. Burime të afërta me Prokurorinë e Shtetit kanë thënë se “kjo pjesë e bisedave nuk i është përkthyer prokurorit të EULEX-it, që merrej me rastin e njohur si MTPT”, prandaj edhe nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës. Prokurori i EULEX-it nuk e ka njohur gjuhën shqipe. Edhe sikur ta njihte, vështirë se do ta kuptonte në mënyrën si e flasin protagonistët e “Prontos”. Edhe nëse nuk janë përkthyer bisedat e “Prontos”, hetuesit do të duhej ta informonin prokurorin ndërkombëtar për përmbajtjen e bisedave dhe t’ia shprehnin dyshimin për ekzistimin e mundshëm të veprës penale të zyrtarëve të përgjuar.

U desh presioni medial që Prokuroria e Shtetit të nisë mbledhjen e informatave rreth “Pronto 2”.

***
Rasti i Adrianit mund të duket minor krahasuar me “Pronton”, por bëhet fjalë për rrezikimin direkt të jetës së një qytetari. E përbashkëta e të dyja rasteve është fshehja e dëshmive dhe mosreagimi me kohë i hetuesve për të parandaluar një të keqe. I pari supozohet të jetë pasojë e presionit të njerëzve të fuqishëm të biznesit dhe lidhjeve miqësore, i dyti pasojë e presionit të njerëzve të fuqishëm të politikës.

Duke mos e zbatuar drejt ligjin për arrestimin e sulmuesit, organet e drejtësisë kanë dështuar ta mbrojnë një qytetar nga rreziku që i kanoset. Në rastin “Pronto” kanë dështuar ta mbrojnë shtetin nga kapja dhe plaçkitja që po i bën një klasë politike për afër dy dekada.

Raporti i hetuesisë për Adrianin, ashtu si ai i përgjimeve, patjetër se duhet ta kenë nënshkrimin e dikujt. Ai dikush duhet të merret në përgjegjësi. Hetuesit policorë janë ata që i “gatuajnë brumin” Prokurorisë, por Prokuroria është ajo që i identifikon lëshimet dhe joprofesionalizmin e tyre, duke i raportuar në Inspektoratin Policor. Në asnjërin rast Prokuroria nuk ka reaguar. Ose nuk e ka bërë se është joprofesionale, ose se u frikohet presioneve.

Mediat dhe shoqëria civile vazhdimisht i kanë kritikuar Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit se po u nënshtrohen ndikimeve politike dhe bosëve të krimit. “Pronto” po dëshmon se kanë pasur të drejtë. Nga përgjimet po del se edhe në krye të këtyre dy institucioneve janë vendosur njerëz me direktiva të politikës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, e ka mohuar për gazetën se ai dhe institucioni që e udhëheq janë të politizuar. Ai ka thënë se nuk duhet të krijohen percepsione në bazë të aferës ‘Pronto 2’, të bëra para 5 vjetëve lidhur me politizimin e Prokurorisë. Kryeprokurori, madje, ka kërkuar përkrahjen e mediave dhe të opinionit publik për ta ndryshuar, siç ka thënë ai, “mentalitetin e politikës në raport me Prokurorinë”.

Ndreqja e imazhit dhe e depolitizimit të Prokurorisë nuk është detyrë e mediave apo e qytetarëve. Është detyrë e vet Prokurorisë. Me raportime të keqpërdorimeve dhe të hajnive të zyrtarëve shtetërorë, mediat po u ofrojnë prokurorëve dëshmi për të vepruar, e jo për të bërë spektakle. “Prontoja” është zilja e radhës, si thirrje për veprim. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Kosova e vajtimit

Me kot i shkruajnë BE-së. Koha e protestave të ashpra të nëndegëve të degëve ka kaluar qe gati tridhjetë vjet. Atëherë s’kemi ...

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Mbi integritetin që s’e kemi

Dhe përderisa Serbia është e zënë me gjithë mekanizmin e saj politik e parapolitik të gërmojë nën themelet e shtetësisë së ...

Agron Bajrami

Agron Bajrami

Ra ky dialog e u pamë

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që pë...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...