“Panda diplomatike” e Serbisë

11 Janar 2017 - 10:07      

Serbia e ka dërguar edhe një hap më tej shpikjen e saj se shqiptarët në diasporë kanë në plan të rrëmbejnë përfaqësues të saj diplomatikë ose se do të sulmojnë përfaqësitë e tyre nëpër botë, kryesisht në Perëndim, për hakmarrje pas arrestimit të liderit të AAK-së, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye, njoftojnë media të Beogradit, Ministria serbe e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga disa vende që të shtojnë masat e sigurisë në përfaqësitë e saj diplomatike, të cilat, sipas kësaj ministrie, janë në shënjestër të sulmeve nga shqiptarë në diasporë pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë me urdhër arrest të Serbisë nga viti 2004.

Pos kësaj, diplomatët serbë nëpër disa vende perëndimore, kanë marrë instruksione që masat e kujdesit t’i ngrenë në shkallën më të lartë.

Sipas gazetës “Veçernje Novosti”, përcjell Koha.net, diplomatëve u është sugjeruar aktivizimi i planeve speciale për situatat krizë dhe ata janë urdhëruar të evitojnë frekuentimin në ngjarje publike e lëvizjet t’i reduktojnë në masën më të madhe.

Masa të sigurisë janë kërkuar nga autoritetet në Zvicër, Turqi, Gjermani, Itali dhe Belgjikë, ku sipas informatave të shërbimit informativ të Beogradit, në shënjestër janë 40 diplomatë të Serbisë.

Serbia, gjatë historisë shpesh ka bërë inskenime për vrasje e akte të tjera terroriste me përpjekje që për to t’ua lërë fajin shqiptarëve.

Kështu ka ndodhur edhe në dhjetorin e vitit 1998 kur në kafenenë “Panda” në Pejë u vranë disa të rinj serbë e për doras u akuzuan shqiptarët.

Media serbe, por edhe politikanë nga Beogradi tash, 19 vjet pas aktit vrasës, po pranojnë se sulmi ishte bërë nga serbët me qëllim që të fajësoheshin shqiptarët e të vazhdonte ndjekja ndaj tyre.

Serbia, autoriteteve franceze të drejtësisë dje ua ka dorëzuar kërkesën për ekstradim të Ramush Haradinajt i cili në burgun e Colmarit po mbahet që nga 4 janari. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...